Për të mbuluar shpenzimet minimale të një familjeje me katër anëtarë në maj të këtij viti, nevojiten 63.908 denarë. Kjo është shuma e shportës minimale sindikale të llogaritur nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM). Krahasuar me muajin e kaluar, vlera e shportës sindikale për muajin maj është rritur me 1.217 denarë, transmeton Portalb.mk.
Shporta e prillit ishte 62.691 denarë.
Shpenzimet për ushqim dhe pije në shportën sindikale në maj arritën në 22.434 denarë dhe janë 954 denarë më të larta në krahasim me prillin.Sipas LSM-së, është e qartë se pa masat, çmimet po rriten në mënyrë të pakontrollueshme.
“Sfida e çmimeve të larta, veçanërisht e produkteve bazë ushqimore, po ushtron presion të madh mbi pagat e ulëta të punëtorëve në Maqedoni. Në kushte të rritjes së kostove të jetesës, rritja e vlerës së shportës minimale sindikale, veçanërisht pas përfundimit të masave të Qeverisë, tregon se nevojitet rritje e pagave. Sot është më se e qartë se nuk jemi vetëm ne nga LSM që flasim për rritjen e pagave, por gjithnjë e më me zë të lartë flasin punëtorët dhe qytetarët që e ndiejnë këtë padrejtësi mbi supet e tyre”, thonë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
Pavarësisht rritjes së vazhdueshme të çmimeve, ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi, muajin e kaluar tha se “falë masave të marra që nga fillimi i vitit – përfshirë kufizimin e marzheve në ushqime dhe produkte higjienike – sot kemi “rezultate konkrete”.