25 vjet Aleanca Franceze në Tetovë, kapitull i ri në objekt të ri

Në 25 vjetorin e veprimtarisë së saj, Aleanca Franceze në Tetovë inaguroi hapsirat e reja në kampusin e Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), transmeton Portalb.mk.

Vendosja e Aleancës në një mjedis universitar shënon një etapë të re dhe mundësi të çmuar për studentët dhe të rinjtë.

“Ky hap na afron edhe më shumë me botën akademike dhe hap perspektiva të reja për mësimin e gjuhës frënge, promovimin e Frankofonisë, si dhe zhvillimin e projekteve dhe bashkëpunimeve të reja”, thekson Mimoza Ceka, drejtoreshe e Aleancës Franceze në Tetovë.

Përmes dëshmive me video të përgatitura posaçërisht për këtë përvjetor, ish-drejtorë dhe ish-vullnetarë ndanë kujtimet dhe mesazhet e tyre.

“Prezantuam gjithashtu rrugëtimin e disa prej ish-nxënësve të Aleancës, të cilët sot vazhdojnë studimet ose karrierën e tyre në Francë dhe në vende të tjera evropiane, duke dëshmuar për mundësitë që mund të hapë mësimi i gjuhës frënge”, tha Ceka.

Aleanca Franceze në Tetovë. Foto: Ambasada e Francës në Shkup

Një nga momentet tjera të ceremonisë ishte ndarja solemne e diplomave DELF. Ceremonia u shënua edhe nga disa performaca artistike.

Në ceremoni krahas nikoqirëve nga UEJL, të pranishëm ishin edhe ambasadori francez Christophe Le Rigoleur si dhe drejtori i Institutit Francez në Shkup, Geégoire Giessler.

“25 vite nuk janë vetëm një përvjetor. Janë vite mësimi, takimesh, projektesh, bashkëpunimesh, miqësish dhe kujtimesh, të krijuara nga breza të tërë të Aleancës Franceze në Tetovë”, thonë nga Aleanca Franceze.

Aleanca Franceze në Tetovë. Foto: Ambasada e Francës në Shkup
Aleanca Franceze në TetovëFrancaUniversiteti i Evropës Juglindore (UEJL)