Kosova e zgjodhi Justina Shiroka Pulën për presidente, u votuan edhe ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara

Me 81 vota për Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur presidenten e re. Justina Shiroka Pula është zgjedhur presidente e Kosovës në raundin e parë të votimit. Votimi përfundoi tre minuta pas mesnatës, ndërsa numërimi përfundoi rreth 15 minuta pas mesnatës. Kryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ishte propozim i momentit të fundit nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Propozimi u pranua nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza dhe kundërkandidate u propozua Eliza Hoxha, deputete e PDK-së. Seanca e jashtëzakonshme, me dy pika të rendit të ditës, nisi rreth 35 minuta para mesnatës, që ishte afati i fundit për zgjedhjen e presidentit. Fillimisht u votuan ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ndërsa më pas nisi një votim “flash” për presidenten. Votimi përfundoi në ora 00:03, ndërsa rezultati i kumtuar u bë në ora 00:14. Shiroka-Pula u zgjodh me 81 vota për. Ajo mbajti betimin si presidente, raporton Koha.net.

Shiroka-Pula: Do të jem presidente e gjithë qytetarëve

Në fjalimin e saj pas zgjedhjet presidente, Justina Shiroka-Pula, ka thënë se do të jetë presidente e gjithë qytetarëve të Kosovës.

Ajo ka thënë se e pranon me nder të madh e përgjegjësi postin e presidentes.

“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi, i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza sakrifikuan. Do të jem presidente e gjithë qytetarëve”, tha Shiroka-Pula. “Do të punojë për unitet, drejtësi, zhvillim dhe përforcimin e institucioneve tona. Kosova duhet të ecë përpara si shtet demokratik, sigurt me orientim të qartë euroatlantik e me miqësi të fortë me aleatët tanë. Do ta mbrojë Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë. Besoj në Kosovën, njerëzit e saj dhe besoj së bashku mund të ndërtojmë të ardhme më të mirë për brezat që vijnë. Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës”.

Kosova u bë me presidente

Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e Republikës së Kosovës.

Votimi në Kuvend ka zgjatur deri në 3 minuta pas afatit kushtetues.

Shiroka-Pula ka marrë 81 vota.

Mbyllet votimi për presidenten me 3 minuta vonesë

Ka kaluar afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit, i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese si 6 tetori. 

Deputetët kanë vazhduar të votojnë për presidentin edhe pas orës 00:00, saktësisht deri në orën 00:03. 

Justina Shiroka-Pula dhe Eliza Hoxha janë propozimet për presidente.

Miratimi i ndryshimeve të Ligjit për Specialen – Deputetët e duartrokasin, protestuesit e brohorasin

Miratimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale deputetët dhe kabineti qeveritar e kanë duatrokitur ndërsa edhe jashtë protestuesit e kanë brohoritur në shenjë gëzimi.

Kuvendi ka miratuar projektligjin për ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale. 

88 vota votuan për.

Aktualisht po zhvillohet pika e dytë e rendit të ditës, ajo e votimit për presidentin.

Kandidate e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe e pranuar nga PDK-ja është Justina Shiroka-Pula ndërsa kundërkandidate, Eliza Hoxha.

LDK-ja i bashkohet seancës

Deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i janë bashkuar seancës ku po votohet në lexim të dytë për ndryshimin e Ligjit për Specialen.

Në këtë seancë do të votohet edhe për presidentin.

Kuvendi miraton ndryshimet në Ligjin për Specialen

Kuvendi ka miratuar projektligjin për ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale.

88 vota votuan për.

Shmangen procedurat, projektligji për Specialen shqyrtohet në komisione

Me shumicë votash deputetët kanë votuar për shmangie të procedurave në votimin në lexim të dytë të projektligjit për ndryshimet e Ligjit për Specialen. 

89 deputetë votuan pro pas propozimit të Lëvizjes Vetëvendosjes për shmangie të procedurave. 

“Nga komisionet të shqyrtohet menjëherë dhe të vazhdohet me lexim të dytë”, ka thënë kryeparlamentarja Albulena Haxhiu. 

Pas votimit të këtij projektligji, deputetët do të votojnë për presidentin. 

Kanë mbetur rreth gjysmë ore deri te përfundimi i afatit për zgjedhjen e presidentit.

Deputetët nisin të mblidhen për seancë

Deputetët e partive politike kanë nisur të hyjnë në sallën e seancave plenare të Kuvendit. 

Kjo pasi kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se pranon propozimin e kryeministrit Albin Kurti që Justina Shiroka-Pula të jetë kandidate për presidente. E PDK-ja propozoi që kundërkandidate të jetë Eliza Hoxha, duke theksuar se këta emra janë të vetmit të pranueshëm për të. 

Në pikë të parë do të jetë votimi i projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Specialen, e pas tij votimi i presidentit. 

PDK-ja pranon Shiroka-Pulën për presidente, propozon Eliza Hoxhën kundërkandidate

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se e pranojnë kandidaten e propozuar nga kryeminsitri Albin Kurti, Justina Shiroka-Pulën për presidente, ndërsa si kundër-kandidate ka thënë se e propozojnë Eliza Hoxhën.

“E dimë janë orët e fundit nuk është dashur të ndodhë kjo. Është dashur të ndodhë shumë më herë, para shumë ditëve. Është dashur të ketë seriozitet për këtë çështje, e seriozitet për vendin se ku ndodhet dhe për situatën ku duam ta çojmë vendin. Për PDK-në ne nga kjo konferencë shkojmë në sallë të Kuvendit e presim me votu Ligjin për Dhomat e Specalizuara e me përfundu këtë çështje…Edhe pse s’kemi pasur mundësinë të bisedojmë me znj. Shiroka Pula, por për Partinë Demokratike është emër i pranueshëm për presidente. Përveç kësaj, me qëllim të zhvillohen procedurat e plotësohen kushtet, PDK-ja e propozon si kundërkandidate edhe znj. Eliza Hoxha”, tha Hamza. 

Hamza theksoi se kandidati do të duhet të ishte me marrëveshje në tavolinë, teksa deklaroi se PDK-ja nuk pranon kandidatë tjerë “pos dy kandidateve që i thamë”. 6 tetori është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit. 

Kush është Justina Shiroka-Pula, kandidatja e propozuar për presidente

Akademikja Justina Shiroka-Pula është propozuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për presidente të vendit, të martën. Aktualisht ajo është kryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK).

Në biografinë e publikuar në faqen e ASHAK-ut thuhet se Shiroka-Pula u lind më 1953 në Prishtinë. Shkollën fillore (1968) dhe të mesmen (1972) i kreu në Prishtinë. Diplomoi me sukses në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, në vitin 1976. Studimet pasuniversitare, në fushën e Teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik, i vijoi në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Zagrebit, ku u diplomua në vitin 1984. Sipas biografisë Shiroka-Pula u doktorua në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës (1977), duke mbrojtur tezën e doktoratës me titull ”Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.

Pas diplomimit, ajo punoi për një kohë të shkurtër në Bankën Popullore të Kosovës. Në vitin 1978, nisi karrierën e gjatë akademike në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës si asistente për lëndën “Kërkimet Operacionale”. Kaloi nëpër të gjitha rrethet e avancimit akademik, duke u zgjedhur Profesore Ordinare në vitin 2004. Gjatë karrierës ka shërbyer si Shefe e Departamentit të Menaxhmentit dhe Informatikës, anëtare e Senatit të UP-së dhe anëtare e Bordit Drejtues të UP-së. Ka kryer studime dhe trajnime post-doktorale jashtë vendit, duke përfshirë Universitetin e Lincit në Austri dhe Universitetin e Arizonës në SHBA.

Përveç kontributit shkencor, Justina Shiroka-Pula ka mbajtur pozita të larta publike: Ka shërbyer si Ministre e Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës gjatë viteve 2008–2011. Ishte anëtare e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e PDK-së gjatë viteve 2011–2014.

Kurti propozon Justina Pulën për presidente

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dalë sërish në një konferencë për media dhe ka ndërruar propozimin për postin e presidentit.

Kurti ka propozuar Justina Shiroka-Pulën për këtë pozitë dhe ka ftuar Partinë Demokratike të Kosovës të vijnë dhe ta votojnë. Ai përsëriti se janë të gatshëm që paraprakisht të votojnë për ndryshimet në Ligjin për Specialen nëse Hamza zotohet se do të marrin pjesë me votë në seancë.

Kryeministri ka theksuar se Shiroka-Pula ka qenë ministre e PDK-së dhe e ka ftuar Hamzën që ta bindë atë për këtë post.

“Kryetari i PDK-së le të dalë publikisht sonte pas meje menjëherë që 22 deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së zotohen se marrin pjesë me votë për president, ne po ja votojmë projektligjin paraprakisht për ndryshimet në Ligjin e Gjykatës Speciale. Pastaj pika tjetër për votimin e presidentit. Justina Shiroka Pula ka qenë ministre e PDK-së. Le ta bindë Hamza unë jam dakord”, ka thënë Kurti.

Edhe para kësaj konference, Kurti deklaroi se janë të gatshëm që së pari të votohet në lexim të dytë për ndryshimet e Ligjit për Gjykatën Speciale, në rast se PDK-ja zotohet se do të marrë pjesë në votimin për president. 

Por, emrat e propozuar më parë nga Kurti ishin Glauk Konjufca e Feride Rushiti – emra të cilët i kishte propozuar edhe para zgjedhjeve të cilët ishin mbajtur më 7 qershor. 

Pas Kurtit, në konferencë doli kryetari i PDK-së, Bedri Hamza dhe e refuzoi propozimin.

Hamza i quajti joserioze propozimet e Kurtit, ndërsa theksoi se të dy emrat e propozuar nga Kurti për president janë politik. Sipas Hamzës edhe Feride Rushiti është Vetëvendosje porse nuk e di ka edhe librezë të këtij subjekti politik.

Haziri: UÇK nuk është mall tregu, durimi po soset

Çlirim Haziri, një nga organizatorët e protestave ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se durimi po soset.

Ai ka thënë se “çështjet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ligjet e lirisë s’guxojnë të shndërrohen në monedhë këmbimi”.

“Çdo përpjekje për të kushtëzuar apo vonuar vendimet jetike për UÇK-në, përbën papërgjegjësi historike. Të vendosesh në peshore sakrificën e një populli përballë emrave të përveçëm apo interesave partiake është pengmarrje e historisë sonë. Le ta dëgjojnë mirë këtë shesh në këto orë të vona të mbrëmjes. Mesazhi ynë është i prerë e i qartë. UÇK nuk është mall tregu e nuk bën pjesë në asnjë pazar politik”, ka thënë Haziri në fjalimin e tij para turmës së protestuesve që janë mbledhur para ndërtesës së Qeverisë.

Ai u ka bërë thirrje protestuesve të mos hedhin mjete piroteknike në drejtim të policisë.

Sot është dita e fundit për zgjedhjen e presidentit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në propozimin e fundit ka ofruar mbajtjen e një seance me dy pika të rendit të ditës: votimin në lexim të dytë të ndryshimeve të Ligjit për Specialen dhe zgjedhjen e presidentit. Ai ka propozuar Glauk Konjufcën dhe Feride Rushitin, si kandidatura për postin e presidentit. Oferta është refuzuar nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.

Protestuesit gjuajnë mjete piroteknike në drejtim të Qeverisë, lëndohet një protestues

Protestuesit kanë nisur të hedhin mjete piroteknike në drejtim të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.  Organizatorët e protestës kanë bërë thirrje te protestuesit të mos e gjuajnë asnjë mjet piroteknik në drejtim të policisë.

Një numër i mjeteve piroteknike kanë rënë në afërsi të policisë.

“Policia është e jona. Ne kemi dal për të protestuar, jo me u përlesh me policinë. Forca jonë është zëri ynë”, ka thënë Çlirim Haziri.

Një protestues është lënduar dhe nga policët është dërguar në autoambulancë.

Haradinaj: Kurti po bën lojë me ndjenja dhe nerva të njerëzve

Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka thirrur partitë politike që sonte të votohen ndryshimet e Ligjit për Gjykatën Speciale para përfundimit të afatit për presidentin. 

Ai në një konferencë për media ka kritikuar sërish kryeministrin Albin Kurti duke thënë se po bënë lojë. 

“Është vërtet lojë me ndjenja të shqiptarëve sjellja e këtij e Kurtit dhe loja e tij me nerva të njerëzve me këto kushtëzimet e tij për këtë ligj. Nuk ka asgjë morale me këtë që po e bën ai. Loja e tij prej ore në orë, prej konference në konferencë, me ligjin e 91 deputetëve që e kanë votuar në lexim të parë, është e pandershme të lihet në gjysmë”, ka thënë Haradinaj.

Hamza refuzon Kurtin: Jo president pa marrëveshje

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza e ka quajtur joserioze për vendin atë se çka deklaroi kryeministri i vendit, Albin Kurti për çështjen e presidentit.

Kryeministri Albin Kurti njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, para pak minutash doli me propozim të ri për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Emrat e propozuar nga Kurti janë Glauk Konjufca e Feride Rushiti – emra të cilët i kishte propozuar edhe para zgjedhjeve të cilët ishin mbajtur më 7 qershor. 

Hamza ka thënë se Ligji duhet të kalojë por edhe për çështjen e presidentit duhet të ketë marrëveshje.

“Sa ka seriozitet në këtë punë kur vetëm sot ka që tri-katër herë qëndrime të ndryshme. LDK-së i thotë nuk ka mundësi të ketë president politikë ndërsa vetë propozon emra politikë. Janë këta emra që nuk kanë kaluar që sa kohë. Për të cilët s’ka pasur marrëveshje. Ligji duhet të kalojë, presidenti ka mund të zgjidhet por jo president pa marrëveshje. Jo ky është presidenti merre ose lëre. Pse s’ka qenë kjo lloj bisede në takimet e tjera, pse ska qenë sot paradite”, ka thënë Hamza në konferencën për media pas asaj të Kurtit.

Hamza ka thënë se propozimi i bërë nga Kurti për postin e presidentit, Feride Rushiti, është Vetëvendosje. 

“Nuk e di a ka librezën apo jo, mendoj se është Vetëvendosje. Nuk e di a ka librezë, ndoshta nuk e ka. Por, është Vetëvendosje. A është një propozim i bërë bashkë me ne? Çdo propozim që e bëjë unë pa marrëveshje, është vetëm propozim i yni. Nuk është edhe i palës tjetër. Si është propozim vetëm i yni, mund të jetë me librezë apo pa librezë, por i yni është”, tha Hamza. 

Hamza ka thënë se PDK-ja ka emra të denjë që mund ta kryejnë punën e presidentit. 

E ai ka thënë se po shihet se qëllimi i kryeministrit Albin Kurti është qysh me kap edhe postin e presidentit. 

Kurti: E votojmë ligjin të parin nëse PDK-ja na garanton votën për Konjufcën ose Rushitin

Kryeministri Albin Kurti njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dalë me propozim të ri për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), kur kanë mbetur edhe më pak se katër orë para se Kosova të shkojë në zgjedhje të reja. Kurti ka thënë se janë të gatshëm ta votojnë së pari në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, në rast se PDK-ja zotohet se do të marrë pjesë në votimin për president. Emrat e propozuar nga Kurti janë Glauk Konjufca e Feride Rushiti – emra të cilët i kishte propozuar edhe para zgjedhjeve të cilët ishin mbajtur më 7 qershor. 

Në një konferencë për media, Kurti ka thënë se do t’ua votojnë ligjin në lexim të dytë nëse ata (PDK) mendojnë se përbën problem mosrespektimi i afatit 72-orësh mes dy leximeve. 

“PDK-ja e refuzoi ofertën tonë që ta mbështesim Beskim Sejdiun. Besoj se, në rast të një përgjigjeje pozitive nga ana e tyre, Sejdiu do të rikthehej në garë. Përveç tij, natyrisht, i kemi edhe dy emra të tjerë, të cilët gjatë këtij viti i kemi prezantuar si kandidatë për president – Glauk Konjufcën dhe Feride Rushitin. Të dy janë ende kandidatë, nëse ka interesim nga opozita. Propozimi më i ri është ky: meqë kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, nuk po arrin të takohet me ne, le të dalë publikisht sonte dhe të zotohet se i gjithë grupi parlamentar i PDK-së do të marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit – qoftë për, abstenim apo kundër. Pas këtij zotimi, ne ua votojmë leximin e dytë të ligjit, nëse ata mendojnë se nuk përbën problem mosrespektimi i afatit 72-orësh mes dy leximeve. Ne ua votojmë ligjin dhe menjëherë pas kësaj kalojmë në votimin për presidentin”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se ndërlidhjen mes projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Specialen dhe zgjedhjen e presidentit e ka bërë vetë kryetari i PDK-së, Bedri Hamza më 25 shtator. 

Por, ai ka thënë se nuk ka si të mos jenë të ndërlidhura këto. 

“Nëse shembull e votojmë leximin e dytë, por s’kemi president e shkojmë në zgjedhje, atëherë kush do ta zbatojë? Me cilën qeveri do ta zbatojë? Si është e mundur të besosh se e voton ligjin në lexim të dytë sonte, e nesër shkojmë në zgjedhje e fillon fushata, e të shpresosh në zbatimin e tij të plotë me dëshirat më të mira…A duam strategji shtetërore kombëtare apo rivalitet elektoral”, tha Kurti. 

Ai ka thënë se edhe nëse gjykata e hedh poshtë ndryshimin e Ligjit për Specialen ajo mund të rikthehet sërish në Kuvend. Por thotë se nëse nuk zgjidhet sonte presidenti, atëherë do të humbet Kuvendi. 

Ai tha se kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka ndërprerë komunikimet me të sot.  

Paraburgim ndaj dy protestuesve që kapën dhunshëm deputetin Rexhepi

Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar një muaj paraburgim dy protestuesve që kapën dhunshëm deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, duke e kthyer brenda rrethojave të Kuvendit.

Rasti që ndodhi ditën e djeshme u cilësua si “sulm ndaj personit zyrtar” nga Prokuroria.

Një nga të arrestuarit është pjesë e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

E në një reagim të mëvonshëm, deputeti Rexhepi, gjithashtu ish-ushtar i UÇK-së, ka thënë se ajo që i ndodhi nuk i bën nder Kosovës, sakrificës së popullit dhe vlerave për të cilat luftua. 

Kurti – Hamza polemizojnë në distancë, drejt zgjedhjeve, pa marrëveshje për presidentin e ligjin

Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, hapur kanë shprehur dallimet mes tyre, pas dështimit për të arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit dhe miratimin në lexim të dytë të Ligjit për Specialen.

Pasi tha se Hamza më nuk pranon kërkesat për takim, kryeministri Kurti publikoi në një konferencë për media një ofertë për PDK-në.

“Nëse PDK-ja zotohet publikisht se i siguron së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për Bekim Sejdiun, meqenëse pjesën tjetër e kemi bashkë me LDK-në, atëherë po procedojmë me votimin në leximin e dytë. Kërkojmë që të zotohen para jush. Ata mund të votojnë edhe kundër. Sa herë kanë kërkuar prej nesh, ne kemi qenë të gatshëm për votën për, e ne po e kërkojmë gjysmën e tyre kundër”, tha Kurti.

Por, profesori i Juridikut, Bekim Sejdiu, ka thënë se mbetet në fuqi vendimi për t’u tërhequr nga gatishmëria për të qenë kandidat për president, por nuk ka treguar se si do të veprojë në rast se do të siguroheshin votat për të.

“Kam njoftuar krerët e LDK-së dhe kryeministrin Kurti se unë nuk e konsideroj vetën pjesë të procesit të zgjedhjes së presidentit, për arsye të mos arritjes së një marrëveshjeje politike dhe mungesës së përkrahjes së nevojshme në Kuvend”, tha shkruar Sejdiu në Facebook.

Në konferencë, kryeministri Kurti është zotuar se nëse presidenti zgjidhet deri në mesnatë, me çka do të evitoheshin zgjedhjet, atëherë ndryshimet në Ligjin për Specialen do të votohen të enjten, kur të arrihet afati procedural prej 72 orësh.

Por, atij i është kundërpërgjigjur Hamza. Ai ka insistuar se vota për ndryshimet ligjore për Specialen nuk mund të kushtëzohet me votën për presidentin.

“Marrëveshja për Sejdiun nuk është me PDK-në. Është me një subjekt tjetër politik. As nuk kam vërejtje për Sejdiun, por është marrëveshje jashtë PDK-së. Po t’i kërkoj 10 deputetë, 11 atëherë edhe unë po t’i kërkoj ty 29. Sillni në sallë qysh do le të votojnë, por nuk shkojnë kështu. Nëse duam ta bëjmë ligjin, sjelli 29 deputetë në sallë, le të votojnë për a kundër ose edhe abstenim. Në orët e fundit nuk mundesh të imponosh marrëveshje”, tha Hamza.

Sipas Hamzës, zgjedhjet e reja janë projekt i Vetëvendosjes.

Këtë e ka theksuar edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, që është deputet i kësaj legjislature.

“Kurti po e çon vendin në zgjedhje. I njëjti Kurti që tri herë para kësaj here i fitoi zgjedhjet dhe prapë po e çon vendin në zgjedhje. Kjo është hera e katërt që i njëjti person po e çon vendin në zgjedhje. Kurti po do me ia dhënë edhe një goditje Kosovës. Ky po punon ta zhbëjë Kosovën të tillë çfarë e kemi dhe e kemi mbërritur me shumë mund, përfshirë gjak e vuajtje të mëdha. Nuk do t’ia arrijë, Kosova është më e madhe…” – tha Haradinaj.

Pasojë e moszgjedhjes së presidentit, deri mesnatën e së martës, është shpërndarja e Kuvendit dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme. Për rrjedhojë, edhe nismat ligjore, përfshirë atë për kufizimin e juridiksionit të Gjykatës Speciale, kthehen nga e para në procedurë.

Haziri: S’ka më kohë për kushtëzime politike, votojini ndryshimet në Ligj

Çlirim Haziri nga platforma “Jo në emrin tim” u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën para Kuvendit të Kosovës, në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Ai ka thënë se për 21 ditë radhazi kërkesa mbetet e njëjtë: votimi i ndryshimeve të Ligjit për Gjykatën Speciale. 

“I bëj thirrje çdo qytetari të na bashkohet në protestën paqësore përballë Kuvendit. Ejani ë shesh pa dallime partie, bindje politike, pa dallime mes nesh. Kjo protestë është për UÇK-në, gjakun për liri, për historinë tonë që nuk duhet të trajtohet si çështje e pazareve politike. Për ne ky ligj është emergjencë. Kjo protestë nuk është pronë e askujt”, ka thënë ai.

Haziri u është drejtuar edhe partive politike që të votojnë ndryshimet në ligj sonte.  

“Nuk ka më kohë për heshtje, nuk ka më kohë për kushtëzime politike, nuk ka më kohë për bartje të  përgjegjësisë nga një institucion në tjetrin.  U drejtohemi partive politike, merrni përgjegjësinë që ju takon, votojeni ligjin”, u shpreh ai. 

Sejdiu: Nuk e konsideroj veten pjesë të procesit për zgjedhjen e presidentit

Profesori Bekim Sejdiu ka deklaruar se nuk e konsideron më veten pjesë të procesit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, disa orë pasi kryeministri njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kërkoi mbështetjen e gjysmës së deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ta zgjedhur Sejdiun president në këmbim të votimit të projektligjit për Spcialen në lexim të dytë. 

Sejdiu ka thënë se më 14 shtator kishte njoftuar tërheqjen e tij nga procesi i zgjedhjes së presidentit, pasi, sipas tij, nuk ishte arritur marrëveshja mes LDK-së dhe LVV-së, dy partitë që e kishin propozuar dhe mbështetur kandidaturën e tij.

Ai ka treguar se ditëve të fundit ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me krerët e LDK-së, duke theksuar se fillimisht ishte ftuar nga kjo parti në fillim të shtatorit, kur edhe i ishte ofruar posti i presidentit.

“Kam njoftuar krerët e LDK-së dhe kryeministrin Kurti se unë nuk e konsideroj veten pjesë të procesit të zgjedhjes së Presidentit, për arsye të mosarritjes së një marrëveshjeje politike dhe mungesës së përkrahjes së nevojshme në Kuvend”, ka shkruar Sejdiu në rrjetet sociale.

Ai ka thënë se motivi i vetëm për të pranuar kandidaturën kishte qenë interesi i vendit dhe përpjekja për të ndihmuar në tejkalimin e krizës politike.

Sejdiu ka falënderuar kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për besimin dhe komunikimin korrekt, ndërsa mirënjohje ka shprehur edhe për mbështetësit e tij nga skena politike dhe ajo akademike.

Në fund, ai ka shprehur shqetësimin për situatën politike në vend.

“Nuk mund të përmbyll këtë postim pa shprehur dhimbjen time personale për ankthin dhe zhgënjimin që po përjeton Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj. Le të jenë këto momente reflektimi për të gjithë, përtej inateve të ngushta dhe interesave personale”, ka shkruar Sejdiu.

Haradinaj: Sot ranë maskat, Kurti i dha goditje të rëndë UÇK-së

Deputeti i Aleacnës, Ramush Haradinaj, e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për, siç tha ai, mospërkrahje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe drejtuesve të saj. Ai e ka fajësuar Kurtin se qëllimshëm po e lë në gjysmë miratimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Specialen. 

Haradinaj ka theksuar se synimi i Kurtit janë zgjedhjet e reja.

“Është shumë e pandershme që të lihet në gjysmë ky ligj duke ditur rëndësinë e tij dhe momentin kritik për mbrojtjen e udhëheqësve të UÇK-së. Është koha të bashkohemi dhe të mos turpërohemi para historisë. Sot ranë maskat, Kurti e kurthoj edhe ligjin edhe vendin, pra e futi në kurth. Kurti i dha një goditje të rëndë UÇK-së, duke lënë në gjysmë ligjin në momentin më kritik dhe Kurti po e çon vendin në zgjedhje. Kurti që tri herë para kësaj here i fitoi zgjedhjet dhe prapë e çoi vendin në zgjedhje. kjo është hera e katërt që po e çon në zgjedhje. sa herë që e ka çu vendin në zgjedhje e ka lënë qytetarin pa zgjidhjet e nevojshme”, ka thënë ai në konferencë për media.

Sipas Haradinajt, Kurti qëllimisht ka shtyrë afatet kushtetuese për konstituimin e institucioneve. 

“Si Aleancë jemi munduar ta shtrijmë dorën dhe kemi bë kujdes por kjo që po ndodh është e pafalshme si për historinë si për ata që e duan me zemër Kosovën… Sot ankohet se janë edhe 7 orë, por prej 8 korrikut Kurti është kujdesur ta konsumojë kohën kushtetuese dhe të mos i konstituojë institucionet. Edhe pyetjet që sot i ka dërguar u.d presidentja, ka mundur t’i çojë para dy jave. E çon në ditën e fundit, kur është dashur të jetë këtu në seancë”. 

Hamza: Qëndrimi ynë nuk ndryshon, Sejdiu s’është marrëveshje me PDK-në

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se vazhdojnë të kenë qëndrim konsistent sa i përket votimit fillimisht të ndryshimit të Ligjit për Specialen.

Paraprakisht, kryeministri Albin Kurti u zotua se të enjten do të votojë ndryshimet e këtij Ligji nëse 
PDK-ja ia siguron gjysmën e votave për presidentin.

Hamza ka thënë në konferencë për media se çështja e presidentit dhe Ligji për Specialen nuk janë të ndërlidhura por vetëm ka rastisur të jenë në të njëjtën kohë.

“Qëndrimi i PDK-së ka qenë dhe vazhdon të jetë konsistent. Aprovimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara në dy leximet. Nuk janë të lidhura me asnjë çështje politike. Ka koinciduar me çështjen e presidentit. Unë i jam mirënjohës i falënderoj të gjithë deputetët që kanë votuar pro deklartës. Por të qartësojmë lufta e popullit të Kosovës e UÇK-së nuk është luftë e cila është veç e PDK-së. Askund në deklaratë nuk shkruan për PDK-në. Unë konsideroj që nuk duhet veç PDK-ja me fol për mbrojtjen e një lufte të drejtë çlirimtare për liri dhe pavarësi. Duhet edhe partitë e tjera politike”, ka thënë Hamza.

Hamza ka thënë se kandidati për president, Bekim Sejdiu nuk është marrëveshje me PDK-në por me LDK-në. Kryetari i PDK-së deklaroi se kërkesa e Kurtit për ta votuar presidentin nuk ishte ofertë por detyrim.

Sipas Hamzës, edhe kësaj radhe vendi shkon në zgjedhje sepse Kurti i dëshiron të gjitha për vete.

“Marrëveshja për Sejdiun nuk është me PDK-në është me një subjekt tjetër politik. As nuk kam vërejtje për Sejdiun por është marrëveshje jashtë PDK-së. Po ti kërkojë 10 deputetë, 11 atëherë edhe unë po ti kërkoj ty 29. Sillni në sallë qysh do le të votojnë por nuk shkojnë kështu. Nëse dojmë ta bëjmë Ligjin sjelli 29 deputetë në sallë, le të votojnë për a kundër ose edhe abstenim. Në orët e fundit nuk mundesh të imponosh marrëveshje. Ne po kërkojmë ta bëjmë ligjin. Çdo orë, çdo kohë që kalon në të vërtetë e pamundëson aprovimin e ligjit në dy leximet. Prandaj edhe herëve të kaluara vendi ka shkuar në zgjedhje si veprim, si projekt i Kurti. Edhe kësaj radhe vendi shkon në zgjedhje sepse LVV i dëshiron të gjitha për vete, edhe ato që nuk i takojnë”, ka thënë Hamza.

Kreu i PDK-së ka thënë se me Lëvizjen Vetëvendosje nuk kanë arritur te pika ku të flitet për emra të përveçëm për postin e presidentit. Hamza ka shtuar se PDK-ja ka më shumë se një emër për president por varet se si do të dakordoheshin për këtë çështje.

“Nuk kemi ardhë të emrat por për PDK-në është e rëndësishme që presidenti apo presidentja t’i ketë karakteristikat që është një përfaqësuese e denjë për postin e presidentin dhe reprezanton vendin në mënyrën më të mirë të mundshme. PDK-ja ka më shumë se një emër për president. Varet a do të dakordoheshim për një emër politik, a një president që ka qenë pjesë e politikës e nuk është apo që ka mundur të jetë pjesë e udhëheqjes së lartë shtetërore dhe ka një përgatitje që mund ta ushtroj me plot sukses postin e presidentin”, ka thënë Hamza

Tutje Hamza ka përsëritur se kanë qenë të gatshëm për flasin për presidentin që do të dilte si rezultat i marrëveshjes me LVV-në, pasi të votohej edhe në lexim të dytë për ndryshimin e Ligjit për Specialen.

“Po qe se do të aprovohej Ligji në të dy leximet, ne kemi qenë të gatshëm të bisedojmë për presidentin me marrëveshje që do të dilte si rezultat i marrëveshjes mes LVV-së dhe PDK-së. Unë nuk po e them në këtë rast president konsensual por president me marrëveshje mes dy partive politike. Nuk ka ndodhur aprovimi i Ligjit, kemi bërë përpjekje t’i mbledhim 40 nënshkrime. Ne i dimë numrat”, ka thënë Hamza.

Hamza ka komentuar edhe afatin 72 orësh në bazë të rregullores së Kuvendit të Kosovës. Ai ka thënë se është i pasaktë juridikisht deklarimi i Kurtit për këtë çështje sepse iu janë referuar nenit 123 për shmangie të procedurës.

“Katër hapa. Asnjë hap. Nëse ligji nuk aprovohet në dy leximet dhe përfundimisht nuk prodhon efekt juridik sepse po qe se nuk finalizohet Ligji dhe vendi shkon në zgjedhje ai kthehet prej fillimit. Ne mundemi me numëru hapa sa të duam. Pse 72 orë, është e pasaktë juridikisht. Ne iu kemi referuar nenit 123 që i shmanget procedurës. Kjo përjashton afatin prej 72 orësh. Pse s’u aprovua Ligji më herët nga Qeveria”, u shpreh Hamza.

Murati: Le të thotë Hamza po, Kurti e Abdixhiku shkojnë e bindin Sejdiun

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se mjafton që kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, të thotë po për votimin e presidentit dhe kryeministri njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, do të shkojnë për ta bindur Bekim Sejdiu që të rikthehet në garë dhe të mos shkojë vendi në zgjedhje të reja.

Reagimi i Muratit vjen pasi Sejdiu në një prononcim për “Infokusin” ka thënë se e ka njoftuar sërish Kurtin dhe Abdixhikun se është tërhequr nga gara, madje ka shtuar se këto ditë nuk është në Kosovë. Sejdiu i bëri këto deklarime pas konferencës së Kurtit, i cili kërkoi gjysmën e votave të PDK-së për Sejdiun dhe u zotua se do ta votonte në lexim të dytë projektligjin për Gjykatën Specialen të enjten.

Murati ka kritikuar mediat që, sipas tij, nxituan ta raportojnë tërheqjen e Sejdiut, në vend se të prisnin përgjigjen e Hamzës për ofertën e Kurtit.

“Disa medie u nxituan që ta rikonfirmojnë tërheqjen e Prof. Bekim Sejdiut për President të Republikës në vend se ta marrin përgjigjen nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, për ofertën e re të Kryeministrit Kurti:  edhe me vetëm gjysmën e grupit parlamentar të PDK-së që e votojnë qoftë edhe kundër Bekim Sejdiun për President, ne i japim votat tona për Projektligjin mbi Gjykatën Speciale në lexim të dytë! Të dashur gazetarë, pyeteni së pari Hamzën.  Le të thotë Bedri Hamza PO, dhe sigurisht që me Prof. Bekim Sejdiun mund të shkojnë e flasin Kurti e Abdixhiku për ta bindur që të mos shkojë vendi në zgjedhje të reja”, ka shkruar Murati.

Sejdiu ishte kandidat i përbashkët i VV-së dhe LDK-së. Por Sejdiu u tërhoq pasi gjashtë deputetë të LDK-së nuk i premtuan votat për të. 

Edhe VV-ja i drejtohet Kushtetueses për kompetencat presidenciale pas skadimit të mandatit

Pas kryetares së Kuvendit dhe ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, edhe Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për sqarim se kush mund t’i ushtrojë kompetencat presidenciale, në rast se Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin e ri sot.

Kërkesën e ka nënshkruar deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, në emër të 31 deputetëve.  

“Kërkesë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e konfliktit ndërmjet kompetencave kushtetuese të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të Presidentit të Republikës së Kosovës, në lidhje me ushtrimin e kompetencave presidenciale të domosdoshme për vazhdimësinë institucionale dhe procesin zgjedhor pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore të ushtrimit të detyrës së Presidentit, në mbështetje të nenit 113(3)(1) të Kushtetutës”, thuhet në kërkesën e VV-së, të cilën e ka siguruar KOHA. 

Gjashtë muajt e Haxhiut si u.d. e presidentes përfunduan më 4 tetor. Më 6 tetor përfundon afati kushtetues për të zgjedhur president të ri. Në rast se sot kjo nuk mbërrihet, Kosova shkon në zgjedhje brenda 45 ditësh. Zgjedhjet shpallen nga presidenti.

Zemaj: Për Kurtin je i mirë vetëm i nënshtruar

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e sheh stabilitetin institucional si opsion politik.

Zemaj në postim në Facebook ka thënë se çdokush që ka besuar se kjo qasje do të ndryshojë, është përballur me të kundërtën. Ai tha se për Kurtin je i mirë vetëm i nënshtruar.

“Albin Kurti nuk e sheh stabilitetin institucional si opsion politik. Çdokush që ka besuar se kjo qasje do të ndryshojë, herët a vonë është përballur me të kundërtën. Edhe kur mendon se ke dakordim, ata shfaqin një kauzë të re, një mashtrim të ri, ndërsa përgjegjësia për krizën tentohet t’i atribuohet palës tjetër. Jo sepse faktet janë të tilla, por sepse propaganda politike e tyre ushqehet në atë mënyrë. Prandaj, kriza institucionale mbetet opsioni i tij i vazhdueshëm. Krejt ata që besojnë në bashkëpunim me të, do t’u dalë gabim; për ta, je i mirë vetëm i nënshtruar. E fatmirësisht, LDK-ja nuk nënshtrohet ndaj askujt, as nuk është nënshtruar kurrë”, ka shkruar Zemaj.

Haziri për Kurtin: Në kurriz të UÇK-së po tenton të shantazhojë

Çlirim Haziri nga platforma “Jo në emrin tim” e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po e përdor çështjen e UÇK-së për interesa politike, duke e lidhur me kusht për zgjedhjen e presidentit.

Në një konferencë për media gjatë ditës së sotme, Kurti ka thënë se votimi i ndryshimeve për Ligjin për Gjykatën Speciale është urgjencë, por votimi i presidentit është emergjencë. 

Gjatë qëndrimit në shesh, ku qytetarët po mbajnë protestë simbolike kundër vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Haziri ka thënë se Kurti nuk i ka dëgjuar kërkesat e tyre, ndonëse, sipas tij, ata kanë 21 ditë e 21 net qëndrim në shesh.

“Kryeministri po na tregon se UÇK-ja nuk është emergjencë shtetërore. Po na tregon përralla për karrigen e butë të presidentit. Ne jemi këtu prej 21 ditësh e 21 netësh në këtë shesh, ndërsa kryeministri as nuk na ka parë e as nuk na ka dëgjuar. E sot, kur po i duhet karrigia e presidentit, po e fut si kusht edhe ligjin për UÇK-në. Në kurriz të UÇK-së po tenton të shantazhojë dhe të bëjë politikë”, ka thënë Haziri.

Ai e ka kritikuar Kurtin edhe për, siç i ka quajtur, lojërat e fjalëve, duke u bërë thirrje partive politike që të bashkohen dhe ta votojnë ligjin.

“Votojeni ligjin, bëhuni bashkë të gjithë. Ia kemi borxh gjakut të dëshmorëve”, ka deklaruar Haziri.

Gjini: Epoka e Kurtit do të mbahet mend si epoka e mashtrimit më të madh në histori

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për abuzim me rregullat shtetërore ndërsa ka thënë se epoka e qeverisjes së tij do të mbahet mend si “epoka e mashtrimit më të madh”.

“Prej datës 8 korrik e deri sot i ka abuzuar krejt rregullat shtetërore për të blerë kohë, e sot na tregon sa me urgjencë jemi. Epoka e tij, e që po përfundon, do të mbahet në mend si epoka e mashtrimit më të madh në historinë e Kosovës”, ka shkruar ai pas konferencës së kryeministrit Kurti.

Kurti në konferencë ka thënë se Ligji për Gjykatën Speciale është urgjencë, por se zgjedhja e presidentit aktualisht është emergjencë. Ai ka thënë se çështja e dënimit të krerëve të UÇK-së nuk është ndërlidhur me zhvillimet e brendshme politike e institucionale, as me presidentin, por të dyja janë tema që e tejkalojnë një parti dhe të gjitha partitë.

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për abuzim me rregullat shtetërore ndërsa ka thënë se epoka e qeverisjes së tij do të mbahet mend si “epoka e mashtrimit më të madh”.

“Prej datës 8 korrik e deri sot i ka abuzuar krejt rregullat shtetërore për të blerë kohë, e sot na tregon sa me urgjencë jemi. Epoka e tij, e që po përfundon, do të mbahet në mend si epoka e mashtrimit më të madh në historinë e Kosovës”, ka shkruar ai pas konferencës së kryeministrit Kurti.

Kurti në konferencë ka thënë se Ligji për Gjykatën Speciale është urgjencë, por se zgjedhja e presidentit aktualisht është emergjencë. Ai ka thënë se çështja e dënimit të krerëve të UÇK-së nuk është ndërlidhur me zhvillimet e brendshme politike e institucionale, as me presidentin, por të dyja janë tema që e tejkalojnë një parti dhe të gjitha partitë.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, do t’i japë 62 vota bashkë me komunitetet nëse PDK-ja zotohet se do t’i sigurojë gjysmën e votave të saj për emrin e Bekim Sejdiut për president.

“Nëse PDK-ja zotohet publikisht se i siguron së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për Bekim Sejdiun, meqenëse pjesën tjetër e kemi bashkë me LDK-në, atëherë po procedojmë me votimin në leximin e dytë. Kërkojmë që të zotohen para jush”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se deputetët e PDK-së mund të votojnë edhe kundër.

“Ata mund të votojnë edhe kundër. Sa herë kanë kërkuar prej nesh, ne kemi qenë të gatshëm për votën për, e ne po e kërkojmë gjysmën e tyre kundër”, ka thënë Kurti në konferencë për shtyp.

“Nëse PDK-ja është kundër Sejdiut atëherë unë u them shpreheni me votë. Mos votoni për, veç votoni. Ndoshta është momenti i tillë që ndoshta 6 nga deputetët e LDK-së mund të na bashkëngjitet. Unë besoj që nëse do ta kishim një votë të tillë të përbashkët vështirë që edhe Sejdiu do të thoshte ‘jo nuk do ta shpëtojë Kosovën’”, ka thënë Kurti.

Sejdiu pati dalë si emër i përbashkët i marrëveshjes së Kurtit me Lumir Abdixhikun e LDK-së. Por marrëveshja u rrezikua pasi 6 deputetë të LDK-së dolën kundër.

Pas kësaj, Sejdiu u tërhoq nga kandidatura.

Në Kuvend, VV-ja me partitë pakicë ka 62 vota. LDK-ja ka 18, ndërsa PDK-ja 22.

Për presidentin duhen 80 deputetë të jenë në sallë në dy rundet e para të votimit. 

Kurti ka deklaruar se do të mbajnë mbledhje në subjektin e VV-së e të diskutojnë për gjendjen aktuale.
Ka shtuar se presin përgjigje nga PDK-ja.

Për protestën ka thënë se nuk i di hollësitë e protestave dhe se gjatë kohës së mbajtjes së tyre ka qenë në Kuvend.

“Në xhirime e shihni që sot policia është shumë më tolerante se në kohën kur unë i udhëhiqja protestat”, ka deklaruar ai.

Kurti është pyetur edhe për komunikimet me kryetarin e LDK-së. 

“Nuk kemi komunikuar me kryetarin e LDK-së. Është e vërtetë që ai e ka kryer punën por kur ai ka negociuar me mua e ka bërë në emër të 18 deputetëve. Ai u mor vesh me mu në emër të 18-ve jo të 12-ve. Ai ka ardhë me folë në emër të 18-ve dhe 6 po mungojnë. Unë do të komunikoj prapë me të. Me të s’kam nevojë për ndërmjetësues”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se nuk kanë pasur garanci nga Hamza nëse do t’i marrin votat e PDK-së nëse votohet Ligji për Specialen.

Kurti: Zotohem se të enjten i votojmë ndryshimet në Ligjin për Specialen

Kryeministri Albin Kurti është zotuar se ndryshimet në Ligjin për Specialen do të votohen të enjten, po që se Kuvendi e zgjedh presidentin sot në afatin e fundit kushtetues.

Ai ka thënë se me këtë ditë do të respektohej edhe 72-orëshi i kërkuar në Rregulloren e Kuvendit.

“Publikisht zotohem që paraditen e së enjtes kalon projektligji për Dhomat e Specializuara. Ne do ta votojmë në lexim të dytë”, ka thënë Kurti.

Kurti: Ligji është urgjencë, presidenti emergjencë

Kryeministri Albin Kurti në konferencë për media i ka cilësuar të paarsyeshme, të panevojshme të kushtueshme një palë zgjedhje të ardhshme në rast se Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin sot në ditën e fundit të afatit kushtetues. E sipas tij, çuarja në zgjedhje ka kosto të rëndë edhe për procesin e Gjykatës Speciale në rastin ndaj katër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një konferencë Kurti ka thënë se çështjen e dënimit të krerëve të UÇK-së nuk është ndërlidhur me zhvillimet e brendshme politike e institucionale, as me presidentin, por të dyja janë tema që e tejkalojnë një parti dhe të gjitha partitë. Janë çështje të interesit të përbashkët kombëtar.

Ka thënë se, për dënimin nga Specialja, besojnë në korrigjim në Apel.

“Ne nuk mund t’i mohojmë pengesat e menjëhershme drejt atij synimi. Moszgjedhja e presidentit na çon direkt në zgjedhje, por na pamundëson të gjithëve të merremi me strategjinë shtetërore e kombëtare. Nuk do të mund të fillojmë të merremi me çështjen e Apelit gjatë vitit të ardhshëm, por duhet të merremi këtë muaj”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se katërshja është dënuar në shkallë të parë, ndërkaq Kosova mund të shkojë në zgjedhje nëse nuk zgjidhet çështja e presidentit.

Ai ka thënë se nuk bëhen mrekulli brenda natës, nuk votohet projektligji, porse brenda orësh shkohet në zgjedhje nëse nuk zgjidhet çështja e presidentit.

“Sot e sonte e kemi temën e presidentit. Ne jemi konstruktivë, të përgjegjshëm e bashkëpunues. Kemi bërë katër hapa drejt realizimit të kërkesës së PDK-së”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se nga takimi i mbrëmshëm është lënë mundësia që të takohen edhe sot me Hamzën.

“Por, pasi Hamza nuk do që të takohet me mua, po i drejtohem me konferencë. Unë nuk kam folur deri tash, kam dashur e dua transparencë. Por tash Hamza na ka kushtëzuar dhe refuzon të takohemi. Prandaj, nuk na mbetet rrugë tjetër veçse t’i drejtohemi kësisoj. Si mund të ketë marrëveshje pa takim e bisedim?”, ka thënë ai.

Kurti ka deklaruar se për dy vjet i ka ftuar në takim dhe vetëm para tri javësh kanë nisur të shkojnë.

Ai ka thënë se marrëveshja nuk bëhet kur refuzohet dialogu.

“Sot i kemi dy përgjegjësi: zgjedhjen e presidentit dhe votimin e ligjit. Ligji është urgjencë, por presidenti është emergjencë”, ka thënë ai.

PDK-ja kërkon nënshkrimet e deputetëve për seancë të jashtëzakonshme

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nënshkrimet e deputetëve të partive të tjera për të ftuar seancën e jashtëzakonshme për të votuar në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin e Gjykatës Speciale.

Në një konferencë për shtyp, Hamza ka bërë të ditur se nënshkrimet i kanë dorëzuar 22 deputetët e PDK-së dhe 7 të Aleancës. Për seancë të jashtëzakonshme duhen 40 nënshkrime.

Ai ka thënë se kanë kërkuar nënshkrime nga deputetët e LDK-së dhe të komuniteteve joserbe.

“PDK-ja po pret, po kërkon që të thirret seanca. Që të aprovohet Ligji për Dhomat e Specializuara. Ne kemi dërguar ftesë kryetares së Kuvendit që ta thërrasë seancën. I kemi mbledhur nënshkrimet e një numri të konsiderueshëm… Iu kemi dërguar ftesë të gjithë deputetëve të VV-së, të LDK-së dhe të komuniteteve joshumicë, joserbe, që të na japin nënshkrimet. Ne kërkojmë që ligji të aprovohet”, ka thënë Hamza.

AAK partiaAlbin KurtiKosovaLDK partiaPDK KosovëVetëvendosjeVideo Lajme