Prokuroria kërkoi burgim të përjetshëm për vrasësin serik nga rajoni i Kumanovës

Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës kërkoi që gjykata t’i shqiptojë dënim me burgim të përjetshëm Trajçe Bojkovskit, i akuzuar për katër vrasje seriale të grave dhe dy tentativa për vrasje, transmeton Portalb.mk.

Në fjalën përfundimtare të seancës së sotme, prokurori Kjubomir Lape tha se i akuzuari Bojkovski, në vend që t’i mbronte personat e pafuqishëm, ishte grabitqar i tyre. Sipas tij, viktimat i zgjidhte ekskluzivisht mes grave të moshuara dhe të pafuqishme, i sulmonte kur ishin vetëm, ndërsa katër prej tyre i privoi nga jeta.

Sipas Lapes, provat tregojnë në mënyrë të pakontestueshme se Stançe Karevska, Janka Antevska, Marija Marinkovska dhe Mira Stankovska janë vrarë në të njëjtën mënyrë, me mbytje dhe presion në pjesën e kraharorit.

Prokurori përmendi edhe dy gratë që mbijetuan, Sllobotka Arsovska dhe Rosanka Trajkovska, të cilat në dëshmitë e tyre kanë përshkruar se ishin kapur për qafe, rrëzuar përtokë dhe mbytur.

Prokuroria theksoi se, sipas ekspertizës psikiatrike, i akuzuari është person i kalkuluar, tregon aftësi për fshehje, ndërsa te ai mungojnë empatia, pendimi dhe turpi. Po ashtu, ekspertiza ka konstatuar se ekziston rrezik që ai t’i përsërisë veprat.

Ekspertiza psikiatrike-gjyqësore ka konstatuar se Bojkovski ka aftësi për fshehje. Siç tha prokurori, publiku ishte dëshmitar i kësaj që në seancën e parë, kur i akuzuari Trajçe shikonte në tavan, ndërsa në seancën e fundit gjykata ishte objekt i një përpjekjeje për manipulim, kur i akuzuari Trajçe u betua në Allah, edhe pse është ortodoks, me qëllim që t’i pëlqente kryetarit të trupit gjykues, duke supozuar se ai është mysliman bazuar në emrin dhe mbiemrin e tij.

Avokatët e të dëmtuarve u pajtuan me prokurorin dhe thanë se kërkojnë edhe mbulimin e shpenzimeve të procedurës, si dhe kompensim për dëmin në procedurë civile.

Avokati i mbrojtjes, Toni Cvetkovski, i caktuar sipas detyrës zyrtare për Bojkovskin, kërkoi që Gjykata të marrë një aktgjykim të rëndësishëm për shoqërinë dhe shprehu ngushëllime për familjet e të ndjerave. Ai tha se mënyra e kryerjes së veprave dhe lëndimet janë indikacion, por jo dëshmi e mjaftueshme për fajësi.

Në seancën e radhës, Gjykata Themelore e Kumanovës duhet ta shpallë aktgjykimin.

Prokuroria Themelore Publike (PTHP) RMVVrasje - Ekzekutim