Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHPNKOK) mbrëmë, në një aksion të koordinuar, kryen bastisje në shtëpinë dhe në zyrat e një prokurori të lartë publik nga Prokuroria e Lartë Publike në Manastir, transmeton Portalb.mk.
Bastisjet, siç njoftuan nga Prokuroria, u kryen me urdhër gjykate për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm. Më shumë detaje për aksionin, MPB-ja dhe PTHPNKOK-ja kanë paralajmëruar se do t’i bëjnë të ditura gjatë ditës së sotme.
Një pjesë e mediave, duke iu referuar burimeve të tyre, jozyrtarisht kanë publikuar se aksioni lidhet me procedurën për kthimin e pasaportës së biznesmenit nga Manastiri, Borçe Markovski.
Në lidhje me rastin, në qershor të këtij viti Prokuroria Themelore Publike e Strugës fillimisht kishte dhënë mendim negativ për kthimin e pasaportës së biznesmenit Borçe Markovski, por pas kërkesës së re të mbrojtjes, lënda ishte përcjellë në Prokurorinë e Lartë Publike në Manastir. Prokurori i lartë publik kishte vlerësuar se me garancinë e përcaktuar më parë, në vlerë prej rreth 5 milionë eurosh, ishte eliminuar rreziku i arratisjes dhe kishte kërkuar që Prokuroria e Strugës të jepte mendim pozitiv, pas së cilës Gjykata Themelore e Strugës më pas ia kishte kthyer pasaportën Markovskit.
Biznesmeni nga Manastiri, Borçe Markovski, dhe tetë persona të tjerë po gjykohen për zhvendosjen e stacioneve operative nga miniera “Osllomej” në minierat e REK “Manastir”, një tender me vlerë mbi 1.7 milionë euro. Përveç Markovskit, në bankën e të akuzuarve janë edhe pesë të punësuar në REK “Manastir” dhe dy të punësuar në kompaninë e Markovskit.
Një nga të akuzuarit është edhe ish-drejtori i REK “Manastir”, Pece Matevski, ndaj të cilit tashmë po zhvillohet proces gjyqësor edhe në Gjykatën Themelore në Manastir për rastin e tenderit me kompaninë e Manastirit “Rudkop” Bitola.
Abuzimet në REK Manastir kanë qenë në fokusin e publikut për vite me radhë.
- LEXO: Gjykata e Strugës ia ktheu pasaportën biznesmenit Borçe Markovski, paraqiti garanci prej mbi pesë milionë eurosh
- LEXO: Borçe Markovski u lirua nga paraburgimi, dha garanci prej rreth 5 milionë eurove
- LEXO: Janë ngrirë asetet në Serbi dhe Maqedoni të biznesmenit Borçe Markovski, i dyshuar për abuzime me tenderët në REK “Manatir”