Banka Botërore: Maqedonia e Veriut duhet ta ndryshojë modelin e rritjes ekonomike

Maqedonia e Veriut ka shënuar përparim ekonomik që nga pavarësia. Por, në 17 vitet e fundit ka mbetur në nivelin e një vendi me të ardhura të mesme të larta. Vendi po afrohet më ngadalë me nivelin e të ardhurave të BE-së, krahasuar me disa shtete të rajonit. Kështu vlerëson Banka Botërore në raportin e ri për rritjen dhe vendet e punës, transmeton Portalb.mk.

Sipas raportit, modeli aktual ekonomik po i arrin kufijtë. Ekonomia mbështetet kryesisht te konsumi privat dhe investimet e huaja direkte. Këto investime kanë vlerë të ulët të shtuar dhe kërkojnë shumë importe.

Edhe eksporti mbetet i përqendruar. Ai varet nga një numër i vogël tregjesh dhe produktesh.

Banka Botërore identifikoi tri probleme kryesore. Produktiviteti dhe investimet janë të ulëta. Konkurrenca në tregje është e dobët. Ndërsa kapitali njerëzor po zvogëlohet dhe nuk po shfrytëzohet sa duhet.

“Nëse nuk ndërmerren reforma, rritja mesatare vjetore e PBB-së mund të ngadalësohet në 2.4 për qind deri në vitin 2050. Në një skenar të tillë, Maqedonia e Veriut do të arrinte vetëm rreth 55 për qind të të ardhurave mesatare të BE-së, që do të nënkuptonte se hendeku me BE-në do të mbetet i konsiderueshëm“, thuhet në raport.

Por, një paketë gjithëpërfshirëse reformash mund ta ndryshojë këtë trend. Sipas Bankës Botërore, ajo do ta rriste rritjen mesatare vjetore në 3.8 për qind deri në vitin 2050.

Reformat mund të krijojnë deri në 250 mijë vende pune më shumë dhe më të paguara. Ato mund të përmirësojnë edhe pagat dhe kushtet e punës.

Banka Botërore propozon reforma në tri fusha. E para është qeverisja ekonomike dhe konkurrenca. Prioriteti i dytë është teknologjia dhe inovacioni. Prioriteti i tretë është kapitali njerëzor.

Nga Banka Botërore thonë se procesi i anëtarësimit në BE mund të ndihmojë në përshpejtimin e reformave. Por ai nuk mund t’i zëvendësojë ato.

“Rruga ekonomike e Maqedonisë së Veriut që nga pavarësia e deri më tani përbën një histori suksesi. Pyetja tani është se si të ndërtohet mbi këtë bazë“, deklaroi Karol Megjivand, drejtoreshë e Grupit të Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Sipas Bankës Botërore, vendi ka disa përparësi të rëndësishme. Popullsinë e re, pozitën strategjike gjeografike dhe lidhjen me tregjet evropiane.

Mbi këto baza, vlerëson Banka Botërore, Maqedonia e Veriut mund të ndërtojë një model më dinamik, më rezistent dhe më gjithëpërfshirës të rritjes ekonomike.

Banka BotëroreEkonomia e shtetit - Lajme ekonomi