Shoferët me targa të huaja nga tani mund t’i kontrollojnë online gjobat për shkeljet që kryejnë në RMV

Ministria e Punëve të Brendshme informoi se është vënë në funksion aplikacioni ueb me ndërfaqe për pajisjet mobile “Qyteti i Sigurt”, i cili në këtë fazë është i dedikuar për shtetasit e huaj, përkatësisht për pronarët dhe drejtuesit e automjeteve me targa të huaja, transmeton Portalb.mk.

Përmes aplikacionit, siç thonë nga MPB, shtetasit e huaj do të mund të marrin në mënyrë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë informacione për kundërvajtjet në komunikacion të evidentuara nga sistemi “Qyteti i Sigurt”, të kenë qasje në urdhërpagesat e lëshuara për kundërvajtje, si dhe t’i paguajnë gjobat në mënyrë elektronike.

Gjatë kyçjes në aplikacion, drejtuesi duhet të fotografojë ose skanojë dokumentin e udhëtimit dhe të vendosë targën e automjetit ose automjeteve që përdor në vendin tonë.

Në këtë mënyrë, drejtuesit e huaj, automjetet e të cilëve evidentohen se kanë kryer kundërvajtje në komunikacion në territorin e gjithë shtetit, do të mund të informohen me kohë dhe në mënyrë të thjeshtë dhe ta përmbushin detyrimin e tyre, pa pasur nevojë për ndalesa shtesë në pikat kufitare.

“Vendosja në funksion e këtij aplikacioni paraqet një hap të rëndësishëm në digjitalizimin e shërbimeve të lidhura me sistemin “Qyteti i Sigurt”. Ministria e Punëve të Brendshme vijon me avancimin e shërbimeve digjitale, ndërsa në fazat e ardhshme parashikohet zgjerimi i funksionaliteteve edhe për kategori të tjera përdoruesish”, thonë nga MPB.

Linku i aplikacionit:

https://safecountry.mvr.gov.mk/login

Ndryshe, dy ditë më parë, filloi sistemi për dënimin edhe të automjeteve të huaja në pikën kufitare Tabanoc. Nga MPB thanë se në “Tabanoc”, gjatë daljes nga shteti, gjatë kontrollit paraqiten automjete për të cilat sistemi ka evidentuar më herët kundërvajtje në trafik.

Sistemi “Qyteti i Sigurt” për evidentimin automatik të kundërvajtjeve në trafik funksionon që nga 1 shkurti i këtij viti, ndërsa deri më tani janë evidentuar mbi 120 mijë kundërvajtje në trafik.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB)Qyteti i Sigurt safe city