Vazhdoi gjykimi për “Lotarinë Shtetërore”, ekspertja e konfirmoi pagesën prej 596 milionë denarësh për aparatet VLT

Në Gjykatën Penale në Shkup sot vazhdoi gjykimi për rastin “Lotaria Shtetërore”, në të cilin të akuzuar janë edhe ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Perparim Bajrami. Gjatë seancës dëshmoi ekspertja për ekonomi Anita Popovska, e cila konfirmoi se për furnizimin me aparate VLT janë paguar gjithsej 596.125.511 denarë, shkruan Portalb.mk.

Popovska tha se qëndron plotësisht pas ekspertizës që kishte përgatitur me kërkesë të Prokurorisë. Ajo kishte shqyrtuar të gjithë procedurën e furnizimit me aparate VLT, duke filluar nga planifikimi dhe vendimet e Lotarisë Shtetërore, deri te ofertat e kompanive, marrëveshjet kornizë, kontratat individuale dhe pagesat.

Popovska foli edhe për operatorin e tretë ekonomik, i cili ishte përzgjedhur në procedurën e furnizimit publik. Sipas saj, në dokumentacionin që kishte shqyrtuar nuk kishte gjetur kotnrata individuale me këtë operator. Po ashtu, nuk kishte dëshmi për dorëzimin e pajisjeve, faturimin apo pagesat ndaj tij.

Në fund të dëshmisë, ajo konfirmoi se shuma e përgjithshme e paguar për furnizimin arrin në 596.125.511 denarë.

Mbrojtja kundërshtoi disa nga pyetjet e Prokurorisë, duke vlerësuar se ato dilnin jashtë ekspertizës së përgatitur.

“Me këto pyetje, të parashtruara në këtë mënyrë, dilet jashtë asaj që përfshin urdhri për ekspertizë dhe përgjigjeve të dhëna në vetë konstatimin e ekspertes. Në fakt, shtrohen çështje që do të duhej të ishin pjesë e një ekspertize tjeter”, deklaroi pas seancës avokati Asmir Alispahiq.

Para fillimit të seancës, Perparim Bajrami u paraqit në Gjykatë pa shoqërim policor, pas lirimit nga paraburgimi. Sikurse Artan Grubi, edhe ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore tani po e ndjek procesin gjyqësor në liri.

Bajrami u lirua nga paraburgimi pasi Gjykata pranoi garancinë e ofruar në formë të pronës së paluajtshme, në vlerë prej 1.140.781 eurosh. Atij iu caktuan masa kujdesi, përfshirë marrjen e pasaportës dhe detyrimin për t’u paraqitur në gjykatë.

Kujtojmë se përveç ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe ish-drejtorit të Lotarisë, Përparim Bajrami, të cilët ishin në arrati, por u kthyen dhe iu dorëzuan autoriteteve në vend, në këtë lëndë gjyqësore janë të akuzuar edhe Bashkim Avdi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski dhe Aleksandar Dimitrioski.

Të gjithë të akuzuarit gjatë procedurës së deritanishme janë deklaruar se nuk ndihen fajtorë për veprat për të cilat ngarkohen.

Akuza, të cilën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, ka të bëjë me veprime të ndërmarra gjatë viteve 2023 dhe 2024, me të cilat të akuzuarit kanë tejkaluar kufijtë e autorizimeve të tyre zyrtare, megjithëse e kanë ditur se SHA “Lotaria Shtetërore” nuk ka të drejtë të organizojë në mënyrë të pavarur lojëra elektronike të fatit përmes terminaleve videolotarie. Kjo e drejtë që në vitin 2013 ishte investuar si kontribut jo-monetar në vlerë prej 6,2 milionë eurosh në themelimin e kompanisë së përbashkët “Lotaria Shtetërore Videolotarie e Republikës së Maqedonisë – KASINOS AUSTRIA”, ku SHA “Lotaria Shtetërore” zotëron 51 përqind të aksioneve.

Ndryshe, gjatë hetimit të akuzuarit ngarkoheshin për veprën penale “përvetësim në shërbim”, për të cilën, sipas nenit 354 të Kodit Penal, parashihet dënim më i lartë, por me dorëzimin e propozim-akuzës, prokurorët nga PTHP Shkup e rikualifikuan veprën në “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit”.

Risi në propozim-akuzë është se Prokuroria e ka saktësuar më tej atë, gjë që ka rezultuar nga ekspertiza dhe, sipas saj, në vend që të akuzohen për dëm në vlerë prej 507.623.173 denarësh ose 8,2 milionë eurosh, të akuzuarit tani ngarkohen për dëm prej rreth 9,7 milionë eurosh ose 596.125.511 denarësh.

Procesin gjyqësor e drejton gjyqtarja Biljana Shuplinovska Jovevska, si gjyqtare e vetme, pasi lënda është ngritur me propozim-akuzë dhe jo me aktakuzë dhe zhvillohet sipas procedurës së shkurtuar.

Artan GrubiLënda - rasti "Lotaria"Përparim Bajrami