Shtetasit e huaj që kalojnë nëpër vend me automjete dhe kanë kryer kundërvajtje në trafik, prej tani do të ndëshkohen në pikën kufitare “Tabanoc”, informuan nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB). Nga atje shtojnë se në “Tabanoc”, gjatë daljes nga shteti, gjatë kontrollit paraqiten automjete për të cilat sistemi ka evidentuar më herët kundërvajtje në trafik, transmeton Portalb.mk.
“Drejtuesit e automjeteve njoftohen se është evidentuar një kundërvajtje dhe u lëshohet procesverbal për kundërvajtjen e kryer, së bashku me urdhërpagesë për kundërvajtje, me mundësi që gjoba të paguhet në përputhje me procedurën ligjore”, thonë nga MPB-ja.
Numri i shtuar i automjeteve të evidentuara dje në pikën kufitare, sipas tyre, vjen për shkak se bëhet fjalë për ditën e parë të zbatimit të këtij mekanizmi, ku përfshihen edhe kundërvajtjet e evidentuara më herët.
Ata thonë se po ndërmerren masa për zhvillimin pa pengesa të procedurës dhe për reduktimin e kohës së pritjes së udhëtarëve.
Nga MPB-ja thonë se me futjen e këtij mekanizmi sigurohet një qasje e barabartë dhe joselektive në ndëshkimin e kundërvajtjeve në trafik, pavarësisht nëse bëhet fjalë për automjete me targa vendore apo të huaja.
Implementimi i sistemit “Qyteti i Sigurt”, sipas MPB-së, vazhdon dhe zbatimi i tij gradualisht do të zgjerohet edhe në pikat e tjera kufitare të vendit.
Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, më 1 korrik njoftoi se sistemi “Qyteti i Sigurt” së shpejti do të fillonte të evidentonte dhe të dërgonte gjoba për kundërvajtje në trafik edhe ndaj shtetasve të huaj. Ai u bëri apel qytetarëve që tranzitojnë nëpër vend, veçanërisht përmes Korridorit 8 dhe Korridorit 10, të jenë të përgjegjshëm dhe t’i respektojnë rregullat e trafikut.
Sistemi “Qyteti i Sigurt” për evidentimin automatik të kundërvajtjeve në trafik funksionon që nga 1 shkurti i këtij viti, ndërsa deri më tani janë evidentuar mbi 120 mijë kundërvajtje në trafik.