I akuzuari i parë, Dejan Jovanov, përmes avokates së tij ka propozuar 16 dëshmitarë në mbrojtje të tij, ndërsa në mesin e tyre, në seancën e sotme në Idrizovë, u paraqit edhe vajza e tij. Për zjarrin katastrofik në diskotekën “Puls” në Koçan, më 16 mars 2025, ku humbën jetën 63 të rinj dhe fëmijë, përveç pronarit të diskotekës janë të akuzuar edhe 33 persona të tjerë, ndërsa në mesin e të akuzuarve është edhe djali i tij, Mihajlo Jovanov, transmeton Portalb.mk.
Në fillim, prokurorët Darko Jakimovski dhe Natasha Saramandova kundërshtuan pëlqimin e këshillit gjyqësor që në fund të prezantimit të ekspertizave të paraqitet edhe ekspertiza e Mirosllav Grçevit, të angazhuar nga njëri prej të akuzuarve.
“Vlerësojmë se është e papërshtatshme të dëgjohen ekspertët. Nuk pajtohemi me propozimin e avokatit që Grçevit t’i jepet ekskluziviteti për të vendosur se kur dhe si do ta dorëzojë atë ekspertizë. Ekziston tendencë për zvarritjen e procedurës dhe, në kundërshtim me ligjin, këtij eksperti po i jepet ekskluzivitet. Nuk mund t’i jepet ekskluzivitet për të përgatitur ekspertizë, ndërsa ne të mos e marrim në pyetje. Ai duhet të paraqitet këtu dhe jo të vijë vetëm nëse e konsideron të nevojshme mbrojtja. Kemi një pyetje: a kanë bashkëpunuar më parë këta ekspertë që paraqiten së bashku edhe në raste të tjera?”, pyeti Jakimovski.
Një pjesë e ekspertëve të angazhuar nga të akuzuarit janë të akuzuar në lëndën për ndërtimin pa leje në Strugë, së bashku me Ramiz Merkon. Sipas aktakuzës, shtatë të akuzuar në këtë lëndë janë ekspertë të fushës së ndërtimtarisë, arkitekturës dhe urbanizmit, të cilët kanë dhënë gjetje dhe mendime të rreme në procedurën penale për ndërtim pa leje.
“Nuk ekziston harmonizim i ekspertëve”, tha Jakimovski.
“Reaguam se ekspertizat u propozuan pasi u dëgjuan ekspertët nga Fakulteti i Ndërtimtarisë, në vend që të propozoheshin më herët. Baraspesha procedurale duhet të ekzistojë për të gjithë pjesëmarrësit në procedurë. Kjo është tendencë për zvarritje dhe kjo gjendje tashmë nuk mund të tolerohet”, tha prokurori.
Duke folur për dëshmitarët, ai shtoi: “Ne kemi qenë plotësisht korrektë dhe kemi pasur kujdes që të mos i pengojmë avokatët, duke ua mundësuar që paraprakisht të njihen me ta. Deklaratat e dëshmitarëve tanë të dhëna gjatë hetimeve ua kemi dorëzuar paraprakisht. Por, një pjesë e avokatëve po veprojnë ndryshe. Dëshmitarët e tyre po i shohim për herë të parë tani në sallën e gjyqit”.
“Për shkak të vëllimit të madh të provave, të akuzuarve dhe dëshmitarëve, është e vërtetë se kështu ka ndodhur. Por, kur në seancën e kaluar avokati kërkoi marrjen në pyetje shtesë të ekspertit, asnjëri nga prokurorët e pranishëm nuk kundërshtoi. Është e vërtetë gjithashtu se ata që propozohen tani nga të akuzuarit nuk kanë dhënë ende dëshmi”, tha gjykatësja Diana Gruevska.
Pas kësaj, prokurorja Natasha Saramandova tha se kjo gjithsesi është e paligjshme dhe se nuk ka nevojë as të reagohet, por ajo megjithatë kishte reaguar.
Më pas, gjykatësja tha se ishte bërë një përjashtim, sepse ekspertiza e Grçevit nuk është e fushës së ndërtimtarisë, por e urbanizmit. Kjo nxiti reagim edhe më të madh nga prokurorja, e cila theksoi se një pjesë e ekspertizës së ekipit të Fakultetit të Ndërtimtarisë pikërisht i përket aspektit urbanistik.
Gjykatësja Diana Gruevska-Ilievska nuk e ndryshoi vendimin për t’i dhënë të drejtën ekskluzive ekspertizës së Mirosllav Grçevit, të angazhuar nga njëri prej të akuzuarve, që t’i dorëzohet gjykatës në fund, pasi të jenë dëgjuar dhe lexuar të gjitha deklaratat e ekspertëve të deritanishëm. Ndërkaq, nëse ai do të paraqitet për t’u marrë në pyetje, do të vendosin ata që e kanë propozuar.
Në seancën e sotme, profesori Goran Markovski, i cili drejtoi ekipin e UKM-së të angazhuar nga Prokuroria, iu përgjigj ekspertizave të deritanishme të Petre Rusevskit, Inaet Danit dhe Vasilka Kaevskës, të angazhuar nga të akuzuarit.
“Në këto ekspertiza nuk mund të gjenden fakte të reja apo të ndryshme nga ato që janë konstatuar nga Fakulteti i Ndërtimtarisë. Dallimi i dukshëm ishte vetëm në mënyrën e përgatitjes. Ne paraqesim qëndrime të qarta për aspektet urbanistike, ndërtimore, të mbrojtjes nga zjarri dhe aspekte të tjera që lidhen me ngjarjen e 16 marsit 2025. Ekspertiza e Rusevskit përbën vetëdiskualifikim profesional. Këtu nuk kemi kundërshti profesionale, por mangësi serioze. Nuk e patëm të lehtë t’i analizonim këto ekspertiza, sepse në disa pjesë hasëm dallime të tilla në metodologji, saqë pyesnim veten nëse po bënim ekspertizë për të njëjtin objekt. Në ekspertizën e Nikollço Bocevit ka ekspertizë juridike, që nuk është në fushën tonë. Në ekspertizën e Petre Rusevskit, të përgatitur në mbrojtje të të akuzuarit të parë, Dejan Jovanov, është simptomatike që kërkohet ekspertizë për ndërtimtari, arkitekturë dhe mbrojtje nga zjarri, ndërsa konstatimi është nënshkruar vetëm nga Rusevski, i cili është inxhinier i diplomuar i ndërtimtarisë. Ndërkaq, gjatë gjykimit këtu ai vetë u deklarua si i pakualifikuar për çështjet e arkitekturës dhe mbrojtjes nga zjarri”, tha Markovski.
Gjatë gjithë kohës sa fliste, disa nga të akuzuarit i ndërhynin Markovskit nga vendet e tyre me komente të papërshtatshme dhe e fyenin.
Profesori vuri në dukje se eksperti Rusevski në ekspertizën e tij kishte heshtur për sfungjerin poliuretanik, llamarinën dekorative prej çeliku me të cilën ishin mbyllur dritaret e diskotekës dhe materialet e tjera të rrezikshme që Jovanov i kishte vendosur në brendësi të diskotekës. Këto materiale, sipas tij, u ndezën brenda pak sekondash nga shkëndijat, krijuan temperaturë prej 800 gradësh dhe dogjën ose asfiksuan në vend mysafirët.
“Si mund të shkruajë se kishte ventilim dhe kaq? Çfarë mund të thuhet për këtë?”, u shpreh i habitur Markovski.
Ai përmendi shumë shembuj të përzgjedhjes selektive në hulumtimet e ekspertëve të angazhuar nga të akuzuarit, gjë që, sipas tij, nuk duhet ta bëjnë, pasi janë persona zyrtarë me licenca për ekspertizë, dëshmojnë nën betim dhe nuk guxojnë të gënjejnë, të nxjerrin përfundime dhe konstatime pa verifikim apo të anashkalojnë fakte.
Ai reagoi edhe ndaj ndryshimeve të cilësuara si “kozmetike” në brendësi të diskotekës, e cila ishte shndërruar nga depo, përkatësisht objekt për prodhimin e qilimave, në diskotekë.
Ai kritikoi edhe mendimin se pronarit të akuzuar të “Puls” nuk i nevojitej procedurë dhe se nuk kishte bazë për vendim apo sanksion nga komuna dhe të gjitha institucionet kompetente.
Përshkrimi i objektit ishte ndryshuar – nga depo në diskotekë, ndërsa Rusevski kishte shkruar: “Këto janë ndryshime kozmetike”.
Në zjarrin në të ashtuquajturën kabare “Puls” në Koçan, më 16 mars 2025, gjatë performancës së grupit DNK, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan.