Kolona të gjata në Tabanoc: Shtetasit e huaj presin për të paguar gjobat nga “Safe City”

Pika kufitare “Tabanoc” sot po përballet sërish me kolona të gjata, pritje prej disa orësh dhe tensione, pasi sistemi “Safe City” ka filluar të zbatohet edhe për automjetet me targa të huaja, raporton TV21.

Gjatë daljes nga vendi, disa drejtuesve të automjeteve u janë dorëzuar urdhërpagesa për kundërvajtje në trafik, të cilat ishin evidentuar më herët. Kjo ka shkaktuar pritje të gjata dhe kaos shtesë në pikën kufitare.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dje sqaruan se kaosi është pasojë e ditës së parë të zbatimit të mekanizmit të ri, i cili përfshin edhe kundërvajtjet e regjistruara më parë.

Sipas MPB-së, drejtuesve të automjeteve tek të cilët sistemi evidenton një kundërvajtje u lëshohet procesverbal së bashku me urdhërpagesën për kundërvajtjen në trafik.

Qëllimi, sipas autoriteteve, është ndëshkimi i barabartë dhe pa përjashtim i automjeteve vendore dhe të huaja. Autoritetet paralajmërojnë masa për përshpejtimin e procedurave në pikat kufitare, ndërsa kontrollet gradualisht pritet të shtrihen edhe në pikat e tjera kufitare në vend.

Situata është zhvendosur edhe në rrjetet sociale dhe grupet e turistëve, ku ka pasur debate mes turistëve serbë dhe qytetarëve maqedonas.

Disa prej udhëtarëve serbë janë ankuar për organizimin dhe kanë paralajmëruar se në të ardhmen do të udhëtojnë përmes Bullgarisë. Nga pala maqedonase, ndërkaq, është përgjigjur se rregullat vlejnë për të gjithë dhe se gjobat për tejkalimin e shpejtësisë së lejuar duhet të paguhen.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski njoftoi se kamera inteligjente që lexojnë targat e automjeteve dhe përzgjedhin drejtuesit që kanë kryer kundërvajtje në trafik do të jenë pjesë e sistemit të ri në pikat kufitare.

Ai shpjegoi se kamerat janë vendosur në afërsi të pikave kufitare dhe, përmes leximit të targave, sigurojnë informacione mbi bazën e të cilave bëhet përzgjedhja e automjeteve.

“Me kamera inteligjente gjatë hyrjes, në afrimin drejt pikës kufitare, kemi vendosur disa kamera inteligjente që lexojnë targat e automjeteve dhe, mbi bazën e informacionit që marrim në kuadër të pikave të kontrollit, veçohen dhe përzgjidhen vetëm ata drejtues të automjeteve që kanë kryer kundërvajtje në trafik”, tha Toshkovski.

Sipas tij, drejtuesit që nuk kanë kryer kundërvajtje nuk do t’i nënshtrohen kontrolleve shtesë, por do të lejohen të vazhdojnë drejtpërdrejt drejt hyrjes në Republikën e Serbisë.

Toshkovski njoftoi se kjo zgjidhje teknike, në parim, do të zbatohet edhe në pikat e tjera kufitare, pasi të sigurohen kushtet e nevojshme.

Ministri pranoi se gjatë zbatimit do të ketë sfida, por theksoi se sistemi do të përmirësohet me qëllim rritjen e sigurisë dhe efikasitetit.

“Do të ketë sfida, nuk them jo. Do të përmirësohemi në të gjitha ato aspekte ku duhet të përmirësohemi, por po e përsëris – një jetë njerëzore e shpëtuar më shumë krahasuar me më parë nuk ka çmim”, deklaroi Toshkovski.

Sistemi për dënimin edhe të automjeteve të huaja filloi i dje.

Kufiri në TabanovcMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Qyteti i Sigurt safe city