Pesë vjet më parë biznesmen kontravers me adresë në një ishull të Paqësorit investoi shumë jashtëzakonisht të madhe në sallon ondulimi në Shkup (400.000 euro) dhe punësoi dhjetë persona, me çka i plotësoi kushtet për pasaportë “të artë”. Pasi e mori dokumentin e udhëtimit ai i tërhoqi paratë dhe e shiti kompaninë, por e mbajti pasaportën me ngjyrë të kuqe të errët, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.
Amerikani Sean Andre Scott e mori shtetësinë e Maqedonisë duke e shfrytëzuar opsionin e “shtetësisë mbi bazën e interesit ekonomik”, sistem ky i cili u konceptua për të tërhequr investitorë me lehtësimet që ofron pasaporta e një vendi kandidat për në Bashkimin Evropian (BE).
BE për vite me radhë i kritikon vendet si ky i joni që japin shtetësi për investime. Kjo konsiderohet si praktikë e rrezikshme, sepse persona me prejardhje dhe para të dyshimta mund të fitojnë qasje në zonën Shengen, në rast se dështojnë kontrollet e sigurisë. Prandaj, nën presionin e BE-së vendet anëtare si Spanja dhe Bullgaria e anuluan këtë opsion.
Duke e ndjekur këtë parim BE e kërkon të njëjtën gjë edhe nga Maqedonia si shtet që është pjesë e sistemit pa viza dhe kandidat për anëtarësim.
Por, përgjigjja institucionale e autoriteteve tona në formën e ndryshimeve ligjore është larg të qenit adekuate, edhe pse u promovua si përmbushje e kërkesave evropiane dhe shtrëngim i kriteve për pasaportat “të arta”.
Ndryshimet e propozuara në Ligjin për Shtetësinë janë në kundërshtim me udhëzimet evropiane. Me ato jo vetëm që nuk anulohet mundësia për pasaportë në bazë të interesit të veçantë ekonomik, por ai opsion lehtësohet dhe rritet arbitrariteti gjatë dhënies së shtetësive.
Pra, ndryshimet ligjore parashikojnë shfuqizimin e dekretit që e përcakton shumën minimale dhe numrin e të punësuarve si kushte për aplikim, ndërsa vendimin për shtetësi, pa dallim se sa para janë investuar, ia lë Ministrisë së Ekonomisë.
Nga Delegacioni i BE-së në Shkup në përgjigje për BIRN theksojnë se rekomandimi i Komisionit Evropian është i qartë dhe se vendi duhet ta anulojë këtë opsion.
“Anulimi i pragut prej 400.000 eurosh, e në të njëjtën kohë ruajtja e mundësisë për dhënien e shtetësisë në bazë të interesit të veçantë ekonomik, nuk do ta adresonte rekomandimin e Komisionit.”
“Përkundrazi, heqja e pragut mund ta zgjerojë skemën dhe ta bëjë dhënien e shtetësisë edhe më diskrecionale”, thonë nga delegacioni i Bashkimit Evropian.
Reformë pa ndryshime thelbësore
Të kota ishin përpjekjet e BIRN për brifing në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), e cila i përgatit ndryshimet ligjore, sepse nga atje këmbëngulën të komunikojnë me shkrim rreth dallimeve mes asaj që kërkon BE-ja dhe asaj që po bëhet.
Edhe krahas qëndrimit të qartë të BE-së se problem është vetë opsioni “pasaportë për para” dhe jo limiti i poshtëm prej 400.000 eurosh, nga MPB me këmbëngulje pretendojnë se vërejtjet evropiane adresohen përmes heqjes së pragut.
“Vërejtja kryesore në raportet e Komisionit Evropian (KE) dhe Raportin e Gjashtë në kuadër të mekanizmit për pezullimin e liberalizimit të vizave i referohet praktikës së të ashtuquajturave ‘shtetësi ekonomike’ (skema për investitorë), ku pikërisht ekzistenca e SHUMËS SË SAKTË është problemi kryesor i BE-së”, thuhet në shkresën e MPB-së drejtuar BIRN, në të cilën me shkronja të mëdha theksohet pika kryesore.
Ministria i prezantoi ndryshimet e Ligjit për Shtetësi në qershor, kur edhe u vendosën në Sistemin Elektronik Kombëtar të Rregulloreve (ENER). Në media ndryshimet u promovuan si shtrëngim i kritereve.
Por, analiza e BIRN nxjerr në pah se nuk ka dallim thelbësor nga sistemi i deritanishëm, përveç se është shfuqizuar dekreti qeveritar që e precizonte procedurën për pasaportat “të arta”.
Në atë dekret precizohej edhe se pas plotësimit të kushteve bëhen edhe kontrolle, kështu që për shembull, nëse bëhet fjalë për investime ato i bën Ministritë e Financave dhe Ministria e Ekonomisë, ose nëse bëhet fjalë për ndonjë artist Ministria e Kulturës, e nëse një sportist dëshiron të marrë shtetësi, atëherë kontrollet i bën ish-Agjencia për Rini dhe Sport, e cila tani është shndërruar në ministri.
Por, edhe krahas vërejtjeve tona nga MPB këmbëngulin se “në këtë mënyrë sigurohet selektim më i madh, përgjegjësi institucionale dhe vlerësim individual për secilën kërkesë”.
Pothuajse e njëjta mënyrë kontrolli ka dështuar disa herë deri më tani, sepse institucionet kanë lejuar që përmes saj të kalojnë biznesmenë të dyshimtë nga të cilët Maqedonia nuk ka pasur ndonjë interes të veçantë ose, nga ana tjetër, figura kontroverse me biografi të kontestuara.
Histori lëshimesh
Në vitin 2013 Qeveria e udhëhequr nga Nikolla Gruevski vendosi t’u japë shtetësi Semanto dhe Sushanto Roy, djemve të biznesmenit indian Subrata Roy, pronar i “Sahara Group”, i cili premtonte investime në turizmin dhe bujqësinë në Maqedoni.
Por, përderisa në Maqedoni paraqitej si mesia ekonomik dhe organizoheshin spektakle muzikore për nder të tij në sheshin e Shkupit, Subrata Roy në shtetin e tij po përballej me hetim serioz financiar, i cili përfundoi me arrestimin e tij, pas çka dështuan paralajmërimet grandioze për investime në vend.
LSDM, më së shumti për shkak të skandalit me Subrata Roy, si opozitë i kritikoi ashpër shtetësitë “të arta”, por sipas të dhënave të BIRN, pasi e mori pushtetin nga viti 2017 deri në vitin 2023 lëshoi 51 pasaporta mbi bazën e interesit ekonomik.
Në raportin e vitit të kaluar nga BE theksuan se në vitin 2024 shtetësi ekonomike u është dhënë dy shtetasve turq, ndërsa në vitin 2025 një shtetasi të Bosnjë e Hercegovinës. Deri më tani mbi këtë bazë shtetësi kanë marrë gjithsej 121 persona, ndërsa 40 janë refuzuar.
Një nga skandalet më të mëdha me dhënien e shtetësisë maqedonase, edhe pse nuk u dha mbi bazën e investimeve, është epizodi me garuesin ukrainas në kërcime me kuaj, Oleksandr Onyshchenko, rast ky të cilin BIRN e zbuloi në vitin 2022.
Në kohën kur aplikoi për shtetësi maqedonase Onyshchenko tashmë ndodhej në listën e zezë të SHBA-ve për shkak të ndërhyrjes në proceset e tyre zgjedhore, ndërsa nga Ukraina kërkohej me fletëarrest për shkak të korrupsionit.
Nga të gjitha hallkat e zinxhirit lëshimi u detektua te agjentët e zbulimit, të cilët nuk e kishin kontrolluar detajisht biografinë e tij. Pas publikimit të tekstit tonë drejtori i Agjencisë u largua nga funksioni, ndërsa Onyshchenkos iu hoq shtetësia.
Lehtësira për pasaportë edhe për partnerët martesorë të të huajve
Ndryshimet e fundit që janë propozuar parashikojnë lehtësira edhe për partnerët e të huajve që duan të marrin shtetësi.
Nuk do të jetë më e nevojshme që partneri martesor të ketë shtatë vjet qëndrim të ligjshëm dhe të përhershëm, vendbanim të siguruar, burim të përhershëm të mjeteve, njohuri bazë të gjuhës maqedonase dhe të heqë dorë nga shtetësia e mëparshme.
Nga MPB thonë se kanë vendosur të propozojnë fshirjen e këtyre rregullave sepse në praktikë janë treguar “si ngarkesë e tepërt për partnerët martesorë të shtetasve të Maqedonisë, duke u shkaktuar kështu familjeve pasiguri juridike.”
“Me lehtësimin e këtyre kushteve mundësohet integrim më i shpejtë dhe mbrojtje juridike e partnerëve martesorë, duke i ruajtur njëkohësisht të gjitha kontrollet e nevojshme të sigurisë që kryhen nga Ministria e Punëve të Brendshme”, thonë nga kjo ministri.