Autobusët u shtrenjtuan, trena nuk ka: Maqedonia Perëndimore pa zgjidhje të transportit publik

Derisa qytetarët e rajonit të Pollogut ankohen për shtrenjtimin e transportin ndërurban me autobusë, ata vazhdojnë mos të kenë zgjidhje alternative, nuk ka autobusë publikë ndërsa linja e trenit nga Shkupi drejt Tetovës, Gostivarit dhe Kërçovës nuk funksionon. Autoritet paralajmërojnë rikthimin e saj, por pa afat konkret, shkruan Portalb.mk.

Ditëve të fundit ka pasur reagime të shumta nga qytetarët dhe studentët pas shtrenjtimit të biletave të autobusëve drejt kryeqytetit.

Nga ana tjetër, linja e trenit që kalonte nga Kërçova, Gostivari dhe Tetova drejt Shkupit tani e një kohë nuk funksionon.

Ndonëse rikthimi i kësaj linje premtohet vazhdimisht, nuk ka asgjë konkrete në terren.

Se kur kjo linjë do jetë funksionale për qytetarët, nga Ministria e Transportit nuk zbulojnë detaje, thonë se po punohet në këtë drejtim.

Nga kabineti i zëvendësministres së Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqirit, thonë se sa i përket linjës hekurudhore Shkup–Tetovë, ajo është pjesë e planeve më të gjera për zhvillimin e lidhjes hekurudhore në krahun perëndimor të Korridorit 8.

“Aktualisht, së bashku me Bashkimin Evropian, po punohet intensivisht në dokumentacionin për lidhjen hekurudhore Shkup–Tetovë–Gostivar si fazë e parë, e cila më pas parashihet të vazhdojë drejt Kërçovës, Ohrit, Strugës dhe kufirit me Shqipërinë”, thanë nga kabineti i zëvendësministres.

Ndryshe, ditë më parë u vu në përdorim linja e parë e trenit të qytetit që lidh Zelenikovën me Shkupin, ndërsa trenat në këtë linjë pritet të qarkullojnë tetë herë gjatë ditës.

Bashkimi Evropian (BE)Delegacioni i Bashkimit Evropian në RMVHekurudhaMinistria e Transportit (MT)TransportTransport, Transport publikTreni