Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës më 18 nëntor do të takohen për të zhvilluar seancën e përbashkët qeveritare, duke llogaritur se mes këtyre dy vendeve ka çështje dhe projekte të përbashkëta, transmeton Portalb.mk.
“Më 18 nëntor Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e drejtuar nga kryeministri Hristijan Mickovski, do të zhvillojë një takim bilateral mes dy qeverive me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë”, njoftoi ministri për Çështje Evropiane në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani.
Ai vlerësoi që ky takim është përforcim i bashkëpunimit mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, si një rrugë për stabilitetin rajonal.
Ministri për Punë të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, Pançe Toshovski, më 4 tetor sqaroi që mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut po avancohet në projektin për një pikë kufitare me qëllim që të ketë qarkullim të përshpejtuar të udhëtarëve.
Ndryshe, në takimin bilateral ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, më 5 gusht ndër të tjera u diskutua edhe për organizmin e seancës së përbashkët qeveritare deri në fund të vitit 2024. Në vitin 2022 dhe 2023 ishte planifikuar organizmi i seancës së dytë të përbashkët ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut por nuk ishte realizuar.
Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë filluar disa projekte që prekin interesat e të dy vendeve, si rruga Shkup – Bllacë, Prizren – Tetovë dhe pika e përbashkët kufitare “One Stop Shop”, si një zgjidhje për tejkalimin e kolonave të gjata në kalimet Në lidhje me projektin e fundit, në muajin qershor filloi punën edhe Komiteti i Përbashkët i Ekspertëve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”.
- LEXO: Një pikë kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për përshpejtim të qarkullimit, paralajmëroi ministri Toshkovski
- LEXO: Një pikë e përbashkët kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, sot u zhvillua takimi i parë i Komitetit
- LEXO: Takimi Mickoski-Kurti: Të ruajmë marrëdhëniet e mira fqinjësore, bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve do të vazhdojë edhe në të ardhmen