Mali i Zi në fazën përfundimtare të negociatave. Serbia, Bosnje e Hercegovina dhe Kosova nuk kanë shënuar përparim në fushat themelore. Serbia, krahas Bosnje e Hercegovinës, Gjeorgjisë dhe Turqisë, ndër vendet me rrezik të theksuar të “kapjes së shtetit”, raporton Radio Evropa e Lirë. Kosova dhe Serbia paralajmërohen se mungesa e përparimit në dialog ka kosto politike dhe ekonomike.
Mali i Zi mund t’i përfundojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të vitit 2026, ndërsa Serbia, Bosnje e Hercegovina dhe Kosova nuk kanë shënuar përparim në të ashtuquajturat fusha themelore. Kështu thuhet në draftin e komunikatës vjetore të Komisionit Evropian (KE) për politikën e zgjerimit, të cilën ky institucion pritet ta publikojë javën e ardhshme.
Paketa e zgjerimit është një tërësi dokumentesh përmes të cilave Komisioni Evropian vlerëson përparimin e vendeve kandidate dhe kandidate potenciale drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në bazë të saj, shtetet anëtare vendosin për hapat e mëtejshëm në negociatat e anëtarësimit, si hapja dhe mbyllja e kapitujve.
Në draftin, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë (REL), vlerësohet se përparimi i vendeve të rajonit vazhdon të jetë i pabarabartë.
“Serbia, Bosnje e Hercegovina dhe Kosova nuk kanë shënuar përparim në fushat themelore”, thuhet në dokument. Fushat themelore përfshijnë sundimin e ligjit, institucionet demokratike, reformën e administratës publike dhe kriteret ekonomike, dhe përcaktojnë ritmin e përgjithshëm të negociatave.
Mali i Zi: Përparim i jashtëzakonshëm drejt BE-së
Mali i Zi përshkruhet në dokument si vendi që prin në procesin e zgjerimit. Sipas vlerësimit të Komisionit, Podgorica i ka përmbushur kriteret përfundimtare në të gjithë kapitujt e negociatave dhe mund t’i përfundojë negociatat deri në fund të këtij viti.
“Përparimi i jashtëzakonshëm i Malit të Zi në negociatat e anëtarësimit me BE-në dëshmon se zgjerimi mbetet një realitet i arritshëm”, thuhet në draft.
Komisioni vlerëson gjithashtu se Mali i Zi ka avancuar me vendosmëri punën në fushat themelore, me rezultate të mira në sundimin e ligjit, qeverisjen ekonomike dhe reformën e administratës publike. Si dëshmi se Mali i Zi prin në procesin e zgjerimit, përmend punën për traktatin e anëtarësimit dhe propozimin e Komisionit për paketën financiare.
Në traktatin e anëtarësimit të Malit të Zi do të zbatohej për herë të parë një “qasje e përforcuar” ndaj klauzolave mbrojtëse. Traktati, siç thuhet, do të shërbente si model për traktatet e ardhshme të anëtarësimit.
Ndër reformat e Malit të Zi, Komisioni veçon ndryshimet kushtetuese që kanë forcuar pavarësinë e Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial, “plotësisht në përputhje” me rekomandimet e BE-së dhe të Komisionit të Venecias. Përmend gjithashtu politikën e tolerancës zero ndaj sulmeve kundër gazetarëve, si dhe përafrimin e politikës së vizave me atë të BE-së nga 31 tetori 2026.
Plani i Rritjes dhe pajtimi
Sipas draftit, deri në shtator të vitit 2026, nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor janë disbursuar 193,3 milionë euro grante nga gjithsej 1,6 miliard euro, për 90 hapa reformues të përmbushur. Komisioni vlerëson se zbatimi duhet të përshpejtohet. Thuhet gjithashtu se po punohet për heqjen e tarifave të roamingut me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në pjesën për pajtimin, Komisioni thekson se revizionizmi historik, mohimi apo glorifikimi i krimeve të luftës dhe retorika nxitëse janë “të papajtueshme me vlerat” mbi të cilat mbështetet procesi i anëtarësimit.