Çfarë ka ndryshuar në Serbi në pesë ditët e para pas fitores së Listës Studentore?

Lista Studentore, fituese e zgjedhjeve parlamentare në Serbi, ende nuk e ka marrë pushtetin, por ndryshimet e para tashmë janë të dukshme, raporton Radio Evropa e Lirë. Nga largimi i kampit me tenda përpara Presidencës së Serbisë dhe mbulimi i grafiteve me mesazhe urrejtjeje, deri te dorëheqjet, shkarkimet dhe kërkimfaljet në transmetuesit publikë.

Ndërkohë, festivali muzikor Exit ka njoftuar rikthimin në Novi Sad.

Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë sjell zhvillimet që kanë shënuar pesë ditët e para të ndryshimeve politike në Serbi, atmosferën që i ka shoqëruar ato dhe reagimet e qytetarëve.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit, Lista Studentore mposhti Partinë Përparimtare Serbe (SNS) dhe ish-presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kjo i dha fund qeverisjes 14-vjeçare të SNS-së dhe partnerëve të saj të koalicionit.

Dy vjetët e fundit të qeverisjes së tyre u shënuan nga protesta masive kundër pushtetit, në të cilat u kërkua përgjegjësi për vdekjen e 16 personave në Novi Sad.

Ata humbën jetën më 1 nëntor 2024, kur u shemb streha prej betoni e stacionit hekurudhor të rinovuar në këtë qytet.

Parku i Pionierëve rihapet, largohet “Qacilendi”

Parku i Pionierëve në Beograd është rihapur për qytetarët.

Nga ky park, pranë Presidencës së Serbisë, është larguar kampi i mbështetësve të pushtetit, i njohur si “Qacilendi”.

Tendat dhe rrethojat metalike të kampit u rrëzuan gjatë festimeve, në orët e para pas shpalljes së fitores së Listës Studentore.

Të nesërmen, qytetarët, me ndihmën e shërbimeve komunale, organizuan një aksion për ta kthyer parkun në gjendjen e mëparshme.

U larguan mbeturinat, u pastruan stolat dhe këndet e lojërave për fëmijë, si dhe u mbollën lule.

Aleksandar Vuciq VuçiçBeogradiSerbiaStudentë