Përparim Rama u intervistua nga Prokuroria nën dyshimet për keqpërdorim

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama është intervistuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të pandehurit për projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”, me dyshimet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, raporton Koha.net.

Rama pas intervistimit ka thënë se i takon Prokurorisë të hetojë nëse ka diçka të paligjshme te projekti.

“Unë kam kërkuar vazhdimisht bashkëpunim me Prokurorinë për këtë çështje, por edhe të tjera. Prandaj kam ardhë përkundër faktit që disa si kryeministri që nuk shkojnë, ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Prokurorinë sepse kështu zhvillohet shteti demokratik. Puna ime është zhvillimi i kryeqytetit, puna e Prokurorisë është të dijë që çdo gjë po bëhet në bazë të legjislacionit”, ka thënë ai pas intervistimit.

Në Qershor të vitit 2024 KOHA ka shkruar se Komuna e Prishtinës e ka shkelur Ligjin e Prokurimit Publik që në fillim të procesit tenderues për kontratën “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”, në vlerë 12 milionë euro.

Konsorciumi që ka fituar kontratën, e që përbëhet nga kompanitë “Anarch” e “Ardi Ç”, kishte përfshirë në dosje dokumentin për Sigurim të Tenderit, në vlerë prej 12 mijë eurosh.

Vlera në këtë sigurim është dhjetëfish më e vogël sesa minimalja që kërkohet me ligj.

Korrupsion - RyshfetKosovaLDK partiaPrishtinaProkuroria Speciale e Kosovës