Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski, deklaroi se paga neto reale është 5,2 për qind më e lartë krahasuar me një vit më parë, duke iu referuar të dhënave për muajin shtator të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave, shkruan Portalb.mk.
Mickoski e krahasoi këtë ndryshim me shtatorin e vitit 2022, kur, sipas tij, paga neto reale ishte zvogëluar për 5 për qind. Ai shpjegoi se paga neto reale llogaritet duke zbritur inflacionin, përkatësisht rritjen e shpenzimeve të jetesës, nga paga neto.
“A është kjo e mjaftueshme? Unë do të thoja se jo. A duhet më shumë? Duhet”, tha Mickoski, duke vlerësuar se rezultati është i mirë duke pasur parasysh sfidat në rajon dhe në botë. Ai shtoi se jo të gjitha problemet janë zgjidhur, por gjendja është më e mirë sesa para tre vjetësh.
Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut deri në shtator të vitit 2026-të kemi rritje të rrogës mesatare, krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar. Rroga mesatare neto arriti rreth 50 mijë denarë, ndërsa ajo bruto 73 940 denarë. Rritje më të madhe kemi te sektori i furnizimit me ujë, kanalizim, veprimtaritë e menaxhimit dhe të trajtimit të mbeturinave për 11.6%.
Renditja e vendeve sipas pagës minimale ndryshon ndjeshëm kur merret parasysh fuqia reale blerëse.
Në Maqedoninë e Veriut, paga minimale neto është rreth 26.046 denarë, gjë që e vendos vendin në fund të shkallës evropiane.