Zona pyjore e brezit të Malit Sharr po ndryshon në mënyrë drastike. Trungje të prera, vegjetacion i shkatërruar dhe gjurmë të dukshme të prerjes po e zëvendësojnë pyllin e dendur duke lënë pasoja serioze mbi pamjen natyrore të Malit Sharr. Posaçërisht shqetësuese është gjendja në zonat mbi fshatrat Vejcë, Varvarë, Llacë, Breznë dhe në luginën “Tre Ujërat”, ku peizazhet e dikurshme të mrekullueshme natyrore sot vende-vende janë shndërruar në sipërfaqe pyjore të zhveshura, transmeton Portalb.mk nga Lokalaktiv.
Për pamjen shqetësuese të Masivit të Sharrit dëshmojnë bjeshkatarët, të cilët prej vitesh lëvizin nëpër këto zona. Shtigjet e dikurshme tërheqëse malore të rrethuara me vegjetacion dhe pyje të dendura, sot në vende të caktuara kalojnë pranë sipërfaqeve të degraduara pyjore, ku gjurmët e prerjes po bëhen gjithnjë e më të dukshme.
Bjeshkatarët alarmojnë: Pylli po zhduket para syve tanë
Nga Klubi Bjeshkatar “Luboteni” nga Tetova, i cili është i pranishëm në Malin Sharr për më shumë se një shekull, thonë se anëtarët e tyre gjatë tureve të rregullta bjeshkatare dhe aktiviteteve të tjera në disa lokacione kanë vënë re gjurmë të dukshme të prerjes së drunjve. Trungje të prera, mbetje të masës drurore, rrugë pyjore dhe sipërfaqe të degraduara janë pjesë e dukurive me të cilat përballen në terren.
Sipas tyre, prania e shpeshtuar e gjurmëve të prerjes flet për nevojën për mbikëqyrje më të madhe, sidomos në lokacionet kritike. Ata theksojnë se shkatërrimi i pyjeve nuk paraqet vetëm humbje të masës drurore, por kërcënim potencial për ekuilibrin natyror dhe për të gjithë ekosistemin malor.
“Prerja e paligjshme dhe e pakontrolluar mund të ketë pasoja afatgjata mbi të gjithë ekosistemin malor. Krahas zvogëlimit të drejtpërdrejtë të pyllit ajo mund të kontribuojë në erozionin e tokës dhe rritjen e rrezikut nga rrëshqitjet e dheut, shkatërrimin e habitateve natyrore, zvogëlimin e diversitetit biologjik, si dhe rritjen e rrezikut nga përmbytjet dhe fatkeqësitë e tjera natyrore. Qëndrimi ynë është se prerja e paligjshme paraqet problem serioz që kërkon veprim të vazhdueshëm dhe të koordinuar të të gjitha institucioneve kompetente. Është e nevojshme të rritet kontrolli dhe prania e shërbimeve kompetente në terren, sidomos në lokacionet kritike, si dhe të vendoset sistem më efikas për regjistrimin, raportimin dhe sanksionimin në kohë të aktiviteteve të paligjshme”, apelon Jovan Bozhinovski nga Klubi Bjeshkatar “Luboteni” – Tetovë.
Por, me prerjen e drunjve nuk humben vetëm bukuritë natyrore të Malit Sharr.
“Nëse vazhdon ky trend zonat malore do të humbasin pjesë gjithnjë e më të mëdha të pyjeve të tyre të dendura. Kjo mund të ketë pasoja serioze ndaj natyrës, por edhe ndaj sigurisë së popullatës. Pasojat e dëmtimit të fondit pyjor mund t’i shihnim edhe gjatë përmbytjeve në rrethinën e Shipkovicës dhe të Leshokut në vitin 2015, kur, fatkeqësisht, pati edhe viktima në njerëz. Krahas kësaj, në këtë mënyrë prishet edhe pamja natyrore e malit, gjë që mund të ndikojë negativisht edhe në zhvillimin e potencialit malor dhe turistik”, tha Florent Bajrami nga Klubi Bjeshkatar “Tetova”.
Edhe ai bën thirrje për kontroll më të madh nga institucionet, si dhe për informim më të madh të aktivistëve dhe popullatës lokale se si t’i raportojnë aktivitetet e dyshimta.
“Institucionet duhet t’i hetojnë mirë raportimet, ndërsa kur të konstatohet shkelje, rastet të kenë zgjidhje përkatëse institucionale. Është e rëndësishme që publiku të informohet edhe për rastet e zbuluara me sukses dhe për sanksionet e shqiptuara, sepse kjo mund të ketë edhe efekt parandalues”, shton Bajrami.
Shtatë roje për 62 mijë hektarë
Mali Sharr në vitin 2021 u shpall park kombëtar, që ka për qëllim mbrojtjen e pasurisë të tij natyrore nga prerja e paligjshme dhe aktivitetet e tjera të jashtëligjshme. Por, edhe përkundër statusit të zonës së mbrojtur, pyjet edhe më tej janë cak i vjedhësve të drunjve.
Nga Parku Kombëtar pohojnë se prerja e paligjshme ka rënë për rreth 50 përqind, por shifrat tregojnë se problemi është larg të qenit i zgjidhur. Vetëm në tre vitet e fundit, nga viti 2023 deri në vitin 2025, në mënyrë të paligjshme janë prerë 1.854 metra kub masë drurore, pjesa më e madhe nga pyjet e ahut.
Por, sa efikase është mbrojtja e malit? Në sipërfaqe prej mbi 62 mijë hektarësh Parku Kombëtar disponon me vetëm shtatë roje. Përveç prerjes së paligjshme të drunjve, ata duhet të përballen edhe me gjuetinë e paligjshme, ndërtimet pa leje dhe aktivitetet e tjera të jashtëligjshme. Nga Parku pranojnë se kapacitetet aktuale duhet të përforcohen që të mund të ketë kontroll më efikas të malit.
“Parku disponon me automjete për në terren, trap-kamera, pajisje për vëzhgim natën dhe dron. Por, për të siguruar kontroll të pandërprerë dhe më efikas në të gjithë territorin, nevojitet plotësim i mëtejshëm i kuadrove, pajisje shtesë për në terren dhe përmirësim i mobilitetit të shërbimit të rojave”, thotë Anella Panajotova nga Parku Kombëtar “Mali Sharr”.
Aktivistët kërkojnë dënime më të rrepta për prerësit e paligjshëm të drunjve
Por, edhe krahas uljes së numrit të prerjeve të paligjshme ekoaktivistët paralajmërojnë se institucionet duhet të përballen me më shumë vendosmëri me prerësit e paligjshëm të drunjve. Sipas tyre, nevojitet zbatim konsekuent i ligjeve dhe përgjegjësi më e madhe për ata që e shkatërrojnë në mënyrë të paligjshme pasurinë pyjore, sepse pasojat e aktiviteteve të tilla i ndiejnë si natyra, ashtu edhe popullata lokale.
Enver Ramadani, nga Qendra për Edukim dhe Zhvillim nga Tearca, thekson se prerja e paligjhsme e pyjeve, përveç se është e paligjshme, paraqet edhe kërcënim serioz për botën e gjallë në natyrën e Malit Sharr.
“Çdo pyll i prerë ilegalisht do të thotë humbje e habitatit natyror për një numër të madh kafshësh dhe bimësh, prishje e ekosistemeve dhe zvogëlim i diversitetit biologjik. Si aktivist konsideroj se mbrojtja e pyjeve duhet të jetë përgjegjësi e përbashkët e institucioneve, e komuniteteve lokale dhe e qytetarëve. Nevojiten kontrolle më efikase, zbatim konsekuent i ligjeve dhe përgjegjësi më e madhe ndaj atyre që i shkatërrojnë në mënyrë të paligjshme burimet natyrore. Pylli nuk është vetëm dru për zjarr apo burim i përfitimit ekonomik. Ai është shtëpi e botës së gjallë, mbrojtje natyrore për komunitetet tona dhe pasuri të cilën duhet ta ruajmë edhe për brezat e ardhshëm”, tha aktivisti Enver Ramadani.
Policia Pyjore e ruan Sharrin me një automjet me defekt
Një “Dacia Duster” nëntëvjeçare, e cila shpesh është me defekt, është i vetmi automjet terreni që është në dispozicion të Policisë pyjore në Tetovë. Me të të punësuarit duhet të përballen me prerësit e paligjshëm të drunjve në Masivin e Sharrit, në një terren që shtrihet në territorin e gjashtë komunave.
Sipas të dhënave nga institucioni, në periudhën nga viti 2023 deri në vitin 2026 në një pjesë të aksioneve janë konfiskuar traktorë, automjete dhe sharra elektrike, por nga dokumentacioni i dorëzuar shihet se jo të gjitha kallëzimet kanë përfunduar me sanksione. Një pjesë e tyre janë hedhur poshtë nga prokuroria, ndërsa në njërën nga lëndët personi i akuzuar është liruar edhe pas rigjykimit.
Nga Policia Pyjore theksojnë se mungesa e kushteve dhe burimeve adekuate paraqet sfidë serioze për punën në terren. Por, thonë se vazhdojnë me kontrollet dhe bashkëpunimin me Parkun Kombëtar dhe institucionet e tjera kompetente, ndërsa paralajmërojnë edhe përforcim të kuadrove me tre kolegë të rinj që e kanë kaluar trajnimin.
“Për momentin SPP Tetovë punon me 11 policë pyjorë, një komandir dhe një administrator, dhe mbulon zonat e komunave Jegunovcë, Tearcë, Bogovinë, Bërvenicë, Zhelinë dhe Tetovë. Disponon me një automjet për terren ‘Dacia Duster’, të vjetër nëntë vjet, i cili shpesh është me defekt. Për momentin, në nivel mujor na janë vënë në dispozicion 15.000 denarë. Për periudhën nga viti 2023 deri në vitin 2026, SPP Tetovë i ka dorëzuar IP Parkut Kombëtar ‘Mali Sharr’ gjithsej 32,9 metra kub masë drurore, me dëm të përgjithshëm të denoncuar prej 1.067.217 denarësh. Janë parashtruar kallëzime kundërvajtëse dhe penale pranë organeve kompetente. SPP Tetovë ka ofruar bashkëpunim dhe ndihmë në punë gjatë mbrojtjes së IP Parkut Kombëtar ‘Mali Sharr’ në bazë ditore sipas nevojës së vlerësuar për veprim. Shpresojmë që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen”, thanë nga Policia Pyjore nga Tetova.
Nga gjykata nuk zbulojnë se sa persona janë dënuar
Zbulimi i prerësve të paligjshëm të drunjve jo gjithmonë nënkupton edhe dënim adekuat. Nga Policia pyjore theksojnë se një pjesë e rasteve të denoncuara kanë përfunduar me kallëzime të hedhura poshtë ose me vendime liruese.
Sipas të dhënave nga Policia pyjore nga Tetova në periudhën nga viti 2023 deri në vitin 2026 në një pjesë të aksioneve janë konfiskuar traktorë, automjete dhe sharra motorike, por nga dokumentacioni i dorëzuar shihet se jo të gjitha kallëzimet kanë përfunduar me sanksione. Një pjesë e tyre janë hedhur poshtë nga prokuroria, ndërsa në njërën nga lëndët personi i akuzuar është liruar edhe pas rigjykimit.
Ngrihet pyetja se sa nga kryerësit e veprave vërtet japin llogari për shkatërrimin e pasurisë pyjore dhe nëse sanksionet e shqiptuara janë të mjaftueshme për t’i penguar ata nga kryerja e sërishme e të njëjtave vepra.
Nga Gjykata Themelore në Tetovë nuk zbulojnë se sa persona janë dënuar, sa kanë qenë gjobat në të holla, as sa nga automjetet e konfiskuara janë kthyer. Pikërisht këto informacione do të tregonin se çfarë sanksionesh shqiptohen për prerjen e paligjshme dhe çfarë ndodh me gjësendet e konfiskuara gjatë aksioneve policore.
“Për periudhën nga 01.01.2023 deri më 22.09.2026 janë regjistruar gjithsej 75 procedura, prej të cilave 73 janë përfunduar me vendim të formës së prerë, ndërsa dy procedura janë në vijim e sipër, me ç’rast janë shqiptuar 39 dënime me gjobë, ndërsa në 17 procedura janë konfiskuar gjësende. Në pjesën e mbetur janë shqiptuar vërejtje gjyqësore, ndërprerje e procedurës, është hedhur poshtë kërkesa dhe akuza është refuzuar”, informuan nga Gjykata Themelore Tetovë.
Se presioni mbi pyjet e Malit Sharr është i madh tregojnë edhe të dhënat e Parkut Kombëtar. Një anketë e zhvilluar në 16 fshatra malore ka nxjerrë në pah se madje 96,6 përqind e 146 amvisërive të anketuara përdorin dru zjarri si burim kryesor ose plotësues për ngrohje. Por, varësia nga druri i zjarrit nuk e arsyeton prerjen e paligjshme.
Gjendja në Malin Sharr tregon se statusi i parkut kombëtar në vetvete nuk është i mjaftueshëm për ta mbrojtur pasurinë natyrore nëse nuk shoqërohet me kontroll efikas, burime adekuate dhe sanksionim konsekuent të aktiviteteve të paligjshme. Përderisa institucionet përballen me mungesë kapacitetesh, dhe pyjet vazhdojnë të zhduken, mbetet e hapur pyetja nëse Sharri do të mbrohet vërtet apo pasuria e tij natyrore do të vazhdojë të zhduket para syve të të gjithëve.
- LEXO: Parku Kombëtar “Mali Sharr” do të pyllëzohet me 30.000 fidanë të rinj
- LEXO: Mali Sharr mes potencialit dhe realitetit, rritet interesimi por problemet mbeten
- LEXO: Nga ‘sekret’ i Shipkovicës në hit në rrjetet sociale, Stanet po mbushen me vizitorë
- LEXO: Nuk mjaftuan as 5 vite nga shpallja si park kombëtar: ‘Sharri’ ende i mbuluar me mbeturina, institucionet i mbyllin sytë