Çdo i treti migrant që kaloi nëpër RMV në shtator ishte afgan

Afganët, egjiptianët dhe sudanezët janë tri nacionalitetet më të përfaqësuara në mesin e migrantëve të regjistruar në Maqedoninë e Veriut gjatë muajit shtator, shkruan Portalb.mk.

Pjesa më e madhe e ardhjeve të regjistruara kanë qenë persona nga Afganistani, të cilët përbëjnë 37 për qind të migrantëve të evidentuar, tregon raporti mujor i Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM).

Sipas të dhënave për shtatorin e vitit 2026, në Maqedoni janë regjistruar 638 ardhje të migrantëve. Prej tyre, 37 për qind kanë qenë nga Afganistani, 24 për qind nga Egjipti dhe 12 për qind nga Sudani.

Të dhënat i referohen ardhjeve të regjistruara dhe nuk përfaqësojnë numrin e të gjithë migrantëve që kanë qenë të pranishëm ose kanë tranzituar nëpër vend.

Në krahasim me muajin gusht, numri i ardhjeve të regjistruara në Maqedoninë e Veriut është zvogëluar për gjashtë për qind. Megjithatë, afganët mbeten grupi më i madh në mesin e migrantëve të evidentuar, ndërsa egjiptianët renditen në vendin e dytë dhe sudanezët në vendin e tretë.

Në nivel rajonal, në Ballkanin Perëndimor gjatë shtatorit janë regjistruar 3.843 ardhje, që paraqet rritje prej tetë për qind në krahasim me muajin gusht. Nga fillimi i vitit 2026, në rajon janë regjistruar gjithsej 26.973 ardhje, përkatësisht 10 për qind më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Lëvizjet migratore nëpër Ballkanin Perëndimor janë pjesë e rrugëve më të gjera drejt vendeve evropiane, ku Maqedonia e Veriut mbetet një nga vendet transit në rrugën drejt Evropës Perëndimore.

Ndryshe, një muaj më parë nëpunësit doganorë nga Dogana e Shkupit, brenda një dite, zbuluan 12 migrantë të paligjshëm me origjinë nga Egjipti dhe Sudani, gjatë kontrollit të mallrave të deklaruara për zhdoganim importi në dy pika të ndryshme doganore.

Emigrim - Emigrantë - EmigracionMaqedonia e Veriut RMV