Atë që Portalb.mk e ka evidentuar disa herë me radhë, shënohet prej vitesh edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian. Qeveria e Maqedonisë së Veriut është kritikuar që prej vitit 2022 për mungesën e transparencës, përkatësisht mospublikimin e procesverbaleve dhe agjendave të saj. Ndryshimet e evidentuara nga viti në vit janë të kufizuara dhe nuk dëshmojnë për përmirësim të situatës. Përkundrazi, raporti i vitit 2026 tregon se problemit të transparencës së vendimmarrjes i është shtuar edhe cilësia e dobët e konsultimeve publike.
“Megjithatë, plani vjetor i punës së Qeverisë dhe raportet e saj mbeten të paarritshme për publikun. Agjendat e mbledhjeve të Qeverisë nuk u vihen në dispozicion publikut para mbajtjes së tyre, ndërsa vazhdojnë vonesat në publikimin e procesverbaleve dhe vendimeve të mbledhjeve”, thuhet në raportin e fundit të KE.
Sikurse këtë vit, edhe në vitin 2022, KE vërejti se Qeveria nuk i publikon dokumentet e miratuara gjatë mbledhjes së Qeverisë.
Gjatë vitit 2023 poashtu u tha se publikimi i agjendave dhe procesverbaleve të mbledhjeve të Qeverisë herë pas here vonohej. Dokumentet e miratuara në mbledhjet e Qeverisë nuk publikoheshin në mënyrë të rregullt. Ndërsa nuk ishin publikuar as raportet vjetore të punës për vitet 2020, 2021 dhe 2022.
Në vitin 2024 vazhdoi i njëjti avaz, plani vjetor i punës dhe raportet vjetore të Qeverisë nuk ishin të qasshme për publikun. Këtij viti i shtua edhe numri i lartë i pikave të shtuara në rendin e ditës së mbledhjeve të Qeverisë në momentin e fundit. Atë vit u tha se agjendat e mbledhjeve të Qeverisë nuk publikohen para mbajtjes së tyre. Edhe procesverbalet dhe vendimet e mbledhjeve të Qeverisë, tha KE, nuk publikohen në mënyrë sistematike në internet.
Në vitin 2025 gjithashtu u tha se plani vjetor i punës dhe raportet vjetore të Qeverisë ende nuk janë të qasshme për publikun. Si pozitive u përmend zvogëlimi i numrit të projektligjeve të paraqitura në ditën e mbledhjes së Qeverisë, pa kontrolle paraprake të duhura. Por u kritikua përsëri fakti që nuk publikohen paraprakisht për publikun agjendat e mbledhjeve të Qeverisë, si dhe vazhdimi vonesat në publikimin e procesverbaleve dhe vendimeve të mbledhjeve të Qeverisë.
Në vitin 2026 plani vjetor i punës dhe raportet e Qeverisë vazhduan të kritikohen për faktin se nuk ishin të arritshme për publikun. Agjendat e mbledhjeve të Qeverisë vazhduan të mos jenë të qasshme për publikun para mbledhjeve, ndërsa vazhduan edhe vonesat në publikimin e procesverbaleve dhe vendimeve të mbledhjeve të Qeverisë.
Portalb.mk vazhdimisht ka evidentuar mungesë të publikimit të procesverbaleve të Qeverisë, e veçanërisht mungesë të theksuar ose absolute të procesverbaleve në gjuhën shqipe.
Në artikullin e fundit në gusht të këtij viti, Portalb vërejti se në ueb-faqen e qeverisë mbi 80 procesverbale nuk ishin përkthyer në gjuhën shqipe,
Procesverbali i fundit i përkthyer në gjuhën shqipe ishte i datës 19 shtator 2025. Që atëherë, pra 11 muaj apo gati se një vit, në kategorinë e procesverbaleve në gjuhën shqipe nuk figuronin madje as seancat e mbajtura, dhe që në numër ishin 83.
Portalb.mk e pyeti Qeverinë se pse nuk i përkthejnë procesverbalet në shqip dhe pse ka mungesë të tyre edhe në gjuhën maqedonase, por Qeveria heshti, nuk u përgjigj në pyetjet gazetareske.
Ndërkaq, Sindikata e Gazetarëve doli me reagim se Qeveria e Maqedonisë së Veriut po krijon praktikë ku sistematikisht nuk u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve.
Portalb.mk edhe para një viti e trajtoi këtë çështje ku i pyetëm direkt dy ish-zëvendëskryeministrat e VLEN-it, Arben Fetain dhe Izet Mexhitin, megjithatë pavarësisht se ata pretendonin se procesverbalet ishin edhe në shqip realiteti nuk ishte ashtu.
- LEXO: Fetai sikurse Mexhiti: Procesverbalet e Qeverisë së RMV-së “janë edhe shqip”, por faktet i përgënjeshtrojnë
- LEXO: Procesverbalet “nga dje” nuk janë në gjuhën shqipe, Mexhiti nuk e thotë të vërtetën dhe pamjet e dëshmojnë këtë
Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut, neglizhente ndaj gjuhës shqipe ishte edhe gjatë pandemisë së Koronavirusit. Në ueb-faqen zyrtare të Qeverisë të dhënat në gjuhën shqipe në disa raste nuk figuronin aspak e në disa raste nuk ishin të kompletuara ose nuk ishin të plotësuara dhe të përditësuara.