Banorët e Vizbegut mbetën pa autobus, detyrohen të ecin kilometra në këmbë

Ndërprerja e linjës 18 e autobusit e cila kalonte në Vizbeg, tani e disa muaj ka lënë banorët pa transport publik. Si rezultat i kësaj, ata duhet të ecin deri në tre kilometra për të arritur deri te stacioni më i afërt që është në Shuto Orizare. Komuna e Butelit dhe Ndërmarrja e Transportit Publik në Shkup heshtin, shkruan Portalb.mk.

Sipas banorëve, më herët kishin linjë direkte të autobusit që kalonte nëpër këtë zonë, por ajo prej disa muajsh nuk është në funksion.

“Autobusë nuk kemi. E kishim linjën 18, por e kanë ndërprerë. Ka disa muaj që nuk kalon këndej. Linja 37 është lëshuar, por nuk ndalet në “Slloveneçka”. Diku 1.000 nxënës shkojnë në këmbë”, tha një banor i Vizbegut.

Një banor tjetër thotë se, për shkak të mungesës së autobusëve, ata detyrohen të ecin dy deri në tre kilometra deri te ura në Shuto Orizare, ku ndodhet stacioni më i afërt.

“Autobusi nuk vjen, është ndërprerë për shkak të rrugës. Ka qenë linja 18A, por nuk vjen më. Duhet të shkojmë në këmbë prej këtu deri te ura në ‘Shutkë’, dy-tre kilometra”, tha një banor tjetër.

Banorët thonë se disa herë janë ankuar te institucionet kompetente për mungesën e autobusëve, por deri më tani problemi nuk është zgjidhur.

Portalb.mk pyeti Komunën e Butelit dhe Ndërmarrjen e Transportit Publik në Shkup lidhur me ndërprerjen e linjës së autobusit për Vizbeg, por asnjëri prej tyre nuk u përgjigj.

Përveç mungesës së transportit publik, banorët e Vizbegut përballen edhe me probleme të tjera infrastrukturore. Ata thonë se ndihen të lënë pas dore nga Komuna e Butelit dhe kryetari i saj, Darko Kostovski.

Kujtojmë se problemet me transportin publik në Shkup janë të pranishme prej disa vitesh. Mungesa e linjave të rregullta dhe autobusëve vazhdon të jetë një nga çështjet për të cilat ende nuk është gjetur zgjidhje. Si një nga zgjidhjet e paralajmëruara nga autoritetet është përmendur furnizimi me autobusë të rinj elektrikë.

Komuna e ButelitNdërmarrja Qarkulluese (Transportuese) Publike Shkup (NQP) (JSP) (NTP)Vizbegu