Vazhdimi i segmentit të fundit të “Bllagoja Toskës” në Tetovë ende në pritje, pritet të rrënohen rreth 30 objekte

Ndonëse Komuna e Tetovës ka siguruar lejen e ndërtimit për vazhdimin e bulevardit “Bllagoja Toska” nga “Tekstilja” deri te “Mema”, ende nuk ka afat konkret se kur do të nisin punimet. Kryetari i komunës, Bilall Kasami, thotë se vijon vlerësimi i pronave përgjatë trasesë dhe se për hapjen e këtij segmenti pritet të rrënohen rreth 30 objekte, raporton Portalb.mk.

Sipas Kasamit, përgatitja e elaborateve për vlerësimin e tokës është në fazën përfundimtare. Ai nuk saktësoi se kur do të përfundojë kjo procedurë dhe as kur do të hapet rruga për qarkullim.

“Leja është siguruar për atë pjesë, domethënë jemi në fazën e vlerësimit të të gjitha pronave dhe pastaj të vazhdojmë me fazat e mëtejshme të depërtimit dhe realizimit të saj. Sa i përket numrit të objekteve, nuk e di saktësisht tani, por diku rreth 28 deri në 30 objekte duhet të rrënohen aty”, tha Kasami.

Në prill të këtij viti, Këshilli i Komunës së Tetovës miratoi vendimin për përcaktimin e trasesë në një pjesë të bulevardit, me çka filluan procedurat për vazhdimin e rrugës nga Shkolla ‘Tekstile” deri te rrethrotullimi te ‘Mema’ e cila është rreth 650 metra.

Për 300 metra, nga bulevardi “Ilinden” deri te rruga “K.R. Drnc”, nevojitej harmonizimi i planeve urbanistike.

Me hapjen e këtij segmenti, pritet të përfundojë ndërtimi i të gjithë bulevardit “Bllagoja Toska” i cili konsiderohet si një ndër rrugët kryesore për përmirësimin e qarkullimit në Tetovë.

Në prill 2025, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami e paralajmëroi se gjatë vitit 2026 do të bëhet edhe vazhdimi i bulevardit “Bllagoja Toska” nga pjesa te shkolla tekstile deri te rrethrrotullimi në bulevardin “Ilinden” apo i njohur ndryshe si te “Mema”.

Kujtojmë që vazhdimi i bulevardit “Bllagoja Toska” së bashku me dy bulevardet tjera, “Ilinden” dhe “Industrial” është edhe pjesë programit zgjedhor 2025/29 me të cilin Kasami garoi në zgjedhjet e fundit lokale. Të njëjtat ishin edhe në programin zgjedhor 2021-2025.

Bilall KasamiBulevardi “Bllagoja Toska” TetovëKomuna e TetovësPortalb Fakt - Premtime parazgjedhoreVideo Lajme