Masa për uljen e TVSH-së për naftën nga 18 në 10 përqind vazhdohet deri më 20 tetor, njoftoi sot ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska. Sipas vendimit të Qeverisë, masa zgjatet edhe për tetë ditë të tjera, pasi vazhdimi i fundit ishte paraparë deri më 12 tetor, transmeton Portalb.mk.
“Me këtë masë ndikojmë në çmimet e karburanteve me pakicë dhe zbusim presionet e jashtme të çmimeve, me qëllim që të ulim barrën financiare për qytetarët dhe bizneset. Vazhdojmë t’i ndjekim me kujdes zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe të reagojmë në kohë me masa që kontribuojnë në mbrojtjen e standardit të jetesës dhe stabilitetit ekonomik”, shkroi ministrja e Financave në Facebook.
Ndryshe, propozim-ribalanci i ri i Buxhetit, të cilin Qeveria e miratoi më 7 tetor, sipas përfaqësuesve të saj, është rezultat i ndikimit fiskal nga masat e ndërmarra për mbështetjen e qytetarëve dhe bizneseve, përmes uljes së akcizës dhe TVSH-së për karburantet.