Punoni më 11 Tetor? Ja sa duhet të paguheni për ditën e festës

Për disa, festa nënkupton një fundjavë të zgjatur, ndërsa për të tjerët një turn pune në arkë, në spital, në restorant ose pas timonit. Puna më 11 Tetor ngre dy çështje të ndara lidhur me pagën: çfarë kompensimi u takon punëtorëve për festën dhe çfarë për punën të dielën, shkruan Racin.mk, transmeton Portalb.mk.

Këtë vit, 11 Tetori bie të dielën, ndërsa sipas programit zyrtar, edhe e hëna, 12 tetor, është ditë jopune. Prandaj, përllogaritja duhet t’i ndajë orët e punuara, shtesat në pagë dhe kompensimin për festën.

Çfarë përfitimesh u takojnë punëtorëve për festën dhe çfarë për punën të dielën?

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) i referohet nenit 24 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive për sektorin privat në fushën e ekonomisë. Sipas këtij neni, për punën gjatë festave, punëtori ka të drejtë në kompensimin që do t’i takonte sikur të mos punonte, si dhe në pagën për orët e punuara, të rritur për 50 për qind. Marrëveshja parasheh që shtesat e pagës nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën.

Për punëtorët që përfshihen në përjashtimet ligjore për punën të dielën, neni 134 i Ligjit për Marrëdhënie Pune parasheh shtesë prej së paku 50 për qind për çdo orë të punuar, përveç rasteve kur është përcaktuar një shumë më e lartë. Punëtorëve u takon edhe pushim javor gjatë shtatë ditëve të ardhshme.

Në sektorin publik, neni 16 i Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive gjithashtu parasheh shtesë prej 50 për qind për punën të dielën dhe rritje prej 50 për qind për orët e punuara gjatë festave, krahas kompensimit kur ai u takon punëtorëve. Duhet të merren parasysh edhe të drejtat më të favorshme që parashihen në marrëveshjet përkatëse kolektive.

Në tregti zbatohet një regjim i veçantë. Për punëtorët që përfshihen në përjashtimet e lejuara për punë të dielave dhe gjatë festave, parashihet shtesë prej së paku 100 për qind. Përllogaritja e pagës së tyre nuk duhet të bëhet automatikisht sipas përqindjeve të modelit të përgjithshëm.

KALKULATORI: Tetë orë punë

Tabelat janë modele orientuese, të bazuara në pagën bruto për një orë pune. Përqindjet i shtohen të njëjtës bazë, pa shumëzim të njëpasnjëshëm. Puna e natës, orët jashtë orarit dhe shtesat e tjera nuk janë përfshirë.

Modeli 1: Festa +50% dhe e diela +50%

Përdoret kur punëtorit i takojnë të dyja shtesat, nga 50 për qind secila.

Infografikë nga Portalb.mk. Krijuar me Canva.

Modeli 2: Festa +100% dhe e diela +100%

Përdoret vetëm kur regjimi përkatës parasheh dy shtesa të veçanta, nga 100 për qind secila. Një skemë e tillë për të dielën që përkon edhe me festë shtetërore është paraqitur për sektorin e tregtisë në buletinin profesional “Paga – nëntor 2025” të kompanisë “Eurokonsalt Plus”.

Infografikë nga Portalb.mk. Krijuar me Canva.

Në të dy modelet supozohet se punëtorit i takon edhe kompensimi, i barabartë me pagën bazë për tetë orë pune. Megjithatë, kjo nuk nënkupton se çdo punëtori i takon automatikisht një pagesë shtesë ditore për 11 Tetorin. Kompensimi ka bazën e vet të përllogaritjes; në sektorin privat, marrëveshja i referohet pagës mesatare të 12 muajve të fundit. Nëse kompensimi nuk i takon punëtorit për ditën konkrete, përdoret rreshti “Punë me shtesa”. Shumat janë bruto, para kontributeve dhe tatimit.

Kontrolloni veçmas 11 dhe 12 tetorin

Kompensimi përcaktohet në bazë të detyrimeve të punës dhe dispozitave përkatëse ligjore. Për turnet e punës më 11 dhe 12 tetor, kërkoni përllogaritje të veçantë: cilat orë janë punuar, cilat shtesa janë njohur dhe për cilën ditë është llogaritur kompensimi. Kompensimi që tashmë është përfshirë në pagën mujore nuk duhet të shtohet përsëri.

Punëdhënësi është i detyruar që gjatë pagesës të lëshojë një përllogaritje me shkrim të pagës. Në të, kontrolloni orët e punës, bazën e përllogaritjes, përqindjet dhe kompensimet.

Nëse nuk paguheni, ku mund të denonconi?

Kërkoni shpjegim me shkrim nga punëdhënësi dhe ruani fletëpagesën, orarin e punës dhe evidencën e orëve të punuara.

Nëse dyshoni se është shkelur një e drejtë e juaja, mund t’i drejtoheni Inspektoratit Shtetëror të Punës, përmes faqes: www.dit.gov.mk; në adresën info@dit.gov.mk ose në numrin 02/3 224 504. Në parashtresë shënoni punëdhënësin, adresën e saktë dhe pagesën për të cilën ankoheni.

LSM-ja pranon denoncime në adresën prijavi@ssm.org.mk, ndërsa mundëson edhe denoncim anonim përmes aplikacionit “LSM – Të drejtat e mia të punës”. Ndihma juridike falas është e dedikuar për anëtarët e sindikatave të bashkuara në LSM.

Ndryshe, Oda Ekonomike e Maqedonisë në një konferencë për media njoftoi se së shpejti do t’i dorëzojë Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës propozim-ndryshime në Ligjin për Festat, me të cilat numri i ditëve jopune, në mënyrë indirekte, do të reduktohej në 13, ndërsa festat që bien të dielën nuk do të zhvendoseshin më si ditë jopune të hënën.

Ditë jopune - festë shtetëroreMaqedonia e Veriut RMVPunëtor(e) PunëTë drejtat e punëtorëve