Oda Ekonomike e Maqedonisë kërkoi shkurtimin e ditëve jopune në 13 dhe heqjen e bartjes së festave të hënën, reagoi LSM

Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut së shpejti do t’i dorëzojë Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës propozim-ndryshime në Ligjin për Festat. Me to parashikohet që numri i ditëve jopune, në mënyrë indirekte, të reduktohet në 13, ndërsa festat që bien të dielën të mos barten më në ditën e hënë, transmeton Portalb.mk.

Në konferencën e sotme për media, menaxherja e projektit në Odë, Aneta Dimovska, sqaroi se propozimi nuk parasheh fshirjen e plotë të festave të caktuara, por rishikimin e së drejtës për shfrytëzimin e tyre, me qëllim tejkalimin e pabarazisë sistemore mes qytetarëve nga komunitete të ndryshme etnike dhe fetare.

„Nëse ndjekim këtë logjikë, pjesëtarët e komunitetit serb ose atij vlleh, nëse janë ortodoksë, kanë numrin më të madh të ditëve jopune – 11 për të gjithë, pesë që u referohen pjesëtarëve të besimit ortodoks dhe ditë shtesë që u referohen komuniteteve të caktuara etnike. Në anën tjetër, për shembull, një pjesëtar i besimit islam ka më pak ditë të parapara për festim në bazë të këtyre festave fetare“, tha Dimovska.

Sipas tyre, çdo punëtor gjatë themelimit të marrëdhënies së punës, përmes kontratës së punës, do të zgjidhte dy ditë shtesë jopune nga grupi i festave që nuk vlejnë për të gjithë qytetarët. Me këtë, së bashku me 11 festat që janë ditë jopune për të gjithë vendin, numri i përgjithshëm i ditëve jopune për person do të ishte 13.

Kërkesa e dytë e Odës është të ndërpritet praktika e bartjes së festave që bien gjatë fundjavës në ditën e ardhshme të punës.

Dimovska theksoi se sistemi aktual krijon vështirësi serioze organizative dhe financiare për punëdhënësit dhe ndikon negativisht në produktivitet. Sipas analizës së Odës për 36 ekonomi evropiane, në 70 përqind të tyre numri i ditëve jopune sillet nga 11 deri në 14, ndërsa në Maqedoninë e Veriut, me pesë festat për besimtarët ortodoksë, ky numër arrin në 16 ditë, duke e renditur vendin ndër kryesuesit në Evropë.

Për më tepër, nga Oda theksojnë se fundjavat e shpeshta të zgjatura nxisin udhëtimet jashtë vendit dhe shkaktojnë largimin e konsumit vendor jashtë vendit.

“Oda Ekonomike flet për shkurtimin e festave, por kur bëhet fjalë për pagesa nuk dëshiron të dëgjojë“, është qëndrimi i kryetarit të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), Sllobodan Trendafilov, pas propozimit të OEMV-së.

Në vitin 2026 janë paraparë gjithsej 27 ditë jopune, por ato nuk vlejnë për të gjithë qytetarët. Për të gjithë janë të përbashkëta 11 ditë jopune, prej të cilave gjashtë janë festa shtetërore dhe pesë festa të Republikës.

Ditë jopune - festë shtetëroreOda Ekonomike RMV