Protestë, tensione dhe akuza në Këshillin e Tetovës për partneritetin publiko-privat, pikat u shtynë për më tutje (Video)

Këshilli i Komunës së Tetovës sot nuk i miratoi dy pikat të cilat nxitën debat, tensione dhe protestë në sallë. Bëhet fjalë për propozim-përfundimin për miratimin e studimit të fizibilitetit për partneritet publiko-privat për ndërtimin e objektit administrativ-komercial për Komunën e Tetovës dhe për propozim-vendim për fillimin e procedurës për dhënien e kontratës për vendosjen e partneritetit publiko-privat për projektimin, financimin, ndërtimin, pajisjen, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e stacionit të zjarrfikësve dhe objektit komunal, shkruan Portalb.mk.

Këto dy pika nuk janë tërhequr, por janë shtyrë për më tutje, ndërsa në ndërkohë pritet të vijojë debati publik.

Ky vendim erdhi pasi opozita pati kritika për këto dy çështje, akuzuan se udhëheqësia komunale po e vjedh pronën publike, ndërsa përmes protestës me pankarta kërkuan që kjo pikë të shtyhet.

Çfarë thanë këshilltarët komunalë nga opozita?

Berat Murati nga AKI-ja tha se nuk do ta lejojnë që kjo pikë të jetë në rendin e ditës dhe se do kërkojnë largimin.

“Do të vazhdojmë të bllokojmë seancën dhe nuk do ta lejojmë. Ne nuk jemi kundër investimeve, mirëpo kjo është një vjedhje klasike, vjedhje e poshtër klasike, nuk jemi kundër investimeve në Tetovë, jemi pro, por jemi kundër vjedhjes. Prandaj sot tërë ditën do të rijmë në protestë do ta bllokojmë seancën”, tha Murati.

Këshilltari i pavarur nga nisma qytetare Më Mirë për Tetovën, Agron Arifi i cili kërkoi që këto dy pika të tërhiqen nga rendi i ditës theksoi se kjo ka të bëjë me privatizim dhe me vjedhje të pronës publike.

“Vetëm dje, për dy orë e 17 minuta është përmirësuar tabela, ku katër milion euro janë shty në tabelë pasi hesapet u kishin dalë gabimisht në fillim. Kjo është e papranueshme, është një studim fizibiliteti tepër joserioz dhe nuk guxon ky studim fizibiliteti me këtë nivel amator i cili është i prezantuar ndaj neve si këshilltarë të kalojë në Këshillin e Komunës së Tetovës. Prandaj u bëj apel shumicës të tërhiqet nga ky studim fizibiliteti. Le të përpilohet një studim fizibiliteti ashtu siç i ka hije. Ne nuk jemi kundër investimeve kapitale në komunën e Tetovës. Por nuk mund të lejojmë që në emër të investimeve kapitale të bëhet vjedhja e pronës publike të qytetarëve të Tetovës dhe parat e qytetarëve të Tetovës të përfundojnë në xhepat e privatit”, tha Arifi.

Arlind Murtezani nga Lidhja Shqiptare thekson se këto pika janë kontroverse, siç thotë ai, komuna dëshiron ta paraqesë si investim, ndërsa në realitet nënkupton shitje të pronës.

“Për shkak se për një kohë të shkurt Komuna e Tetovës do duhej t’ua kthejë me 1.200 euro m2 operatorit privat/investitorit, realisht ndërtimi i një objektit të zjarrfikësit dhe hapsirat e komunës në mënyrë luksoze flasim nuk kushton mbi 400 euro për m2 që do të thotë se 800 euro për m2 po vidhen nga kjo udhëheqësi. Prandaj për këtë pikë duhet të hapet debat publik dhe të thirren përpiluesit e këtij studimi dhe të na tregojnë si e kanë paraparë ata këtë investim. Ku është përfitimi i komunës në këtë rast? Me këtë logjikë komuna është duke shkuar në atë rrugë të gabuar që të ardhmen qytetarët të mos ketë asnjë pëllëmbë pronë publike që ne çdo seancë po e ri përsërisim”, tha Murtezani.

Çfarë tha kryetari i komunës?

Kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha bëhet fjalë për një studim fizibiliteti për zhvillimin e një hapësire të rëndësishme për Tetovën, siç është lokacioni te Njësia e Zjarrfikësve, ku me iniciativë të Këshillit të Tetovës, u vendos që të nis përpilimi i studimit të fizibilitetit për zhvillimin e kësaj pjese.

“Ne kemi qenë të gatshëm dhe vazhdojmë të jemi të gatshëm që të diskutojmë për këtë temë dhe për të gjitha opsionet e mundshme se si më së miri të zhvillojmë këtë hapësirë në shërbimin të ndërmarrjeve komunale. Ne me këtë zgjidhje ofrojmë të gjithë këto ndërmarrje dhe sektorë të komunës të vendosen në kushte adekuate për punëtorët dhe shërbimet ndaj qytetarëve të jenë më të mira ashtu siç e meritojnë qytetarët…Ne nuk do të vjedhim dhe do të vazhdojmë t’ju shërbejmë qytetarëve të Tetovës”, tha Kasami.

Ai tha se do të ketë debat publik, ndërsa theksoi se studimi është dokumenti bazë që nis kjo procedurë komfort ligjit.

“Bëhet fjalë për interes publik dhe për ndërtimin e një objekti të Komunës së Tetovës dhe ndërmarrjet e saj, ofertat dhe procedurat do të jenë transparente dhe të hapura dhe garantoj se do të zgjidhet oferta më e mirë për Tetovën. Është një studim bazë dhe çfarë do studimi do të përpilojmë do të ketë kritika. Është studim në bazë nga i cili do të nis procedura dhe gjithë vlerat reale më tutje do të jenë transparente, ajo vlerë mund të jetë edhe 20 milion edhe 10 milion komfor asaj që ata nëse vlerësojnë se ka një ofertë më të mirë për interesin publik të Tetovës unë garantoj se do të pranohet”, tha Kasami.

Pas disa orëve debat, akuza, kundërakuza madje edhe protesta dhe fishkëllima nga opozita, kryetari i këshillit komunal njoftoi se e ndërpret seancën dhe se të vazhdojë debati për këto pika derisa të shteren paqartësitë rreth këtyre çështjeve.

Studimi i fizibilitetit është i qasshëm KËTU.

Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) Fronti EvropianBilall KasamiIniciativa Më mirë për TetovënKomuna e TetovësLidhja Shqiptare (LSH) ish Aleanca e SelësVideo Lajme