Gati dy muaj pas vendosjes së gurthemelit, Zekolli thotë se punimet për autostradën Shkup-Bllacë do të nisin nesër

Gati dy muaj pas vendosjes së gurthemelit, punimet në terren për autostradën Shkup-Bllacë ende nuk kanë nisur. Deri tani janë zhvilluar përgatitjet teknike për projektin, ndërsa fillimi i punimeve është paralajmëruar për nesër. Këtë për Portalb.mk e tha zv.ministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli-Shaqiri, e cila tha se nga kompania realizuese “Granit” madje kanë kërkuar që projekti të përfundojë për tre vjet, në vend të katër vjetëve sa është afati i paraparë.

“Po, nesër fillon ajo pjesa e realizimit të punimeve. Jo se deri tani nuk është punuar, por është punuar në aspektin teknik dhe tani fillon vetëm puna”, deklaroi Zekolli për Portalb.mk.

Ajo tha se pergatitjet teknike përfshijnë pajisjen me leje të punëtorëve që do te angazhohen në terren dhe organizimin e mbikëqyrjes së punimeve.

“Ligjërisht, prej momentit kur hidhet gurthemeli kemi afat ligjor, kohor prej 60 ditëve kur bëhen përgatitjet teknike dhe në këtë drejtim merren leje për punëtorët që do të punojnë në terren, pastaj mbikëqyrësi i vendos zyrat e tyre, ku do të ketë mbikëqyrje për realizimin e punimeve. Nesër do të ketë një takim nga NP Rrugët Shtetërore me të gjithë faktorët e tjerë relevantë që janë dhe do të fillojnë punimet në terren”, tha Zekolli.

Sa i përket afatit të përfundimit, Zekolli tha se nga kompania “Granit” kanë kërkuar që punimet të përfundojnë brenda tre vjetësh, edhe pse afati i paraparë për realizimin e projektit është katër vjet. Ajo theksoi se terreni i vështirë e bën projektin sfidues për realizm.

“Siç e dini, ne e kemi potencuar që është një terren shumë i rëndë malor, ka 40 objekte që do të vendosen në 10 kilometra, ka mbikalime, nënkalime, ura, tunele. Të gjitha këto janë shqetësime në aspektin teknik, por ne kemi kërkuar nga realizuesi i punimeve, “Graniti”, që jo katër, por ta shtyjmë, ta finalizojmë këtë projekt edhe me tre vite. Kështu që do të bëjmë çmos që të respektohen afatet e parapara”, theksoi Zekolli.

Dokumentacioni i parë projektues për autostradën Shkup–Bllacë u përgatit në vitin 2002. Ndërtimi i segmentit të parë, rreth dy kilometra i gjatë, nisi në maj të vitit 2020 dhe ka përfunduar, por ende nuk është vënë në përdorim për shkak të mungesës së lidhjes funksionale me pikën kufitare.

Gurthemeli për segmentin e dytë të autostradës Shkup-Bllacë u vendos më 26 gusht 2026, në prani të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përfaqësuesve të institucioneve të Maqedonisë së Veriut dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Me këtë rast, u paralajmërua se punimet për 10.5 kilometrat e fundit do të përfundonin brenda katër vjetësh.

Autostrada Shkup-Bllacë ka një gjatësi të përgjithshme prej rreth 12 kilometrash dhe është ndarë në dy segmente. Segmenti i parë, me gjatësi rreth 1.5 kilometra, u ndërtua gjatë gjashtë vjetëve. Ndërkaq, segmenti i dytë, me gjatësi prej 10.5 kilometrash, pritet të kushtojë rreth 222 milionë euro, përfshirë shpenzimet për mbikëqyrje, mbështetje teknike dhe mirëmbajtje.

Kontrata për ndërtimin e segmentit të dytë i është dhënë kompanisë vendore të ndërtimit “Granit”, e cila është përzgjedhur si realizuese e projektit. Kompania ka qenë e angazhuar edhe në ndërtimin e segmentit të parë të autostradës.

Për financimin e segmentit të dytë është siguruar një kredi prej 167.6 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe një grant prej rreth 30.8 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian. Pjesa tjetër e financimit duhet të sqarohet sipas strukturës së plotë financiare të projektit.

Projekti parasheh ndërtimin e pesë tuneleve me dy tuba, tetë urave, 11 nënkalimeve, katër galerive dhe nëntë mureve mbajtëse, për shkak të terrenit të vështirë kodrinor dhe malor.

Kujtojmë se, projekti është shoqëruar edhe me përplasje politike lidhur me koston dhe historikun e tij. Nga BDI-ja kanë kritikuar Qeverinë për promovimin e projektit si sukses të saj, duke pretenduar se përgatitjet, projektimi dhe sigurimi i financimit janë zhvilluar më herët, kur kjo parti ishte pjesë e Qeverisë. Në të kaluarën, edhe përfaqësues të pushtetit aktual e kishin kritikuar projektin për koston dhe realizueshmërinë e tij.

Autostrada Shkup - PrishtinëKaltrina Zekolli ShaqiriKorridori 8Ministria e Transportit (MT)NP “Rrugët e Maqedonisë” – “Rrugët Shtetërore”