Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka ngritur propozim-akuzë kundër gjashtë personave për vepra të vazhduara penale – Falsifikim i dokumentit, nga neni 378, paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal. E akuzuara e parë është e punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si këshilltare e re për dokumentet e udhëtimit në Departamentin për Punë Administrative – Shkup, e cila gjatë periudhës nga 03.09.2020 deri më 24.08.2026, në disa raste ka përdorur kodet e saj dhe ka bërë ndryshime në patentë-shoferë, duke u shtuar kategori, transmeton Portalb.mk.
Pesë të akuzuarit e tjerë të përfshirë në aktakuzë janë shoferë të cilët, megjithëse e dinin se nuk kishin dhënë provimet për kategoritë C dhe D, në marrëveshje me të akuzuarën e parë, kanë paraqitur kërkesa për lëshimin e patentë-shoferëve, në të cilat u janë regjistruar kategoritë shtesë.
“Këto dokumente të rreme ata i kanë përdorur për të aplikuar dhe për të marrë certifikata për kompetencë profesionale të shoferit për pjesëmarrje në transportin ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave, ndërsa më pas, në disa raste, kanë drejtuar autobusë ose automjete transportuese në komunikacionin ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Për tre të akuzuar, përfshirë edhe të punësuarën në MPB, prokurori publik ka dorëzuar propozim për vazhdimin e masës së paraburgimit të caktuar më parë. Për tre të tjerët, të cilët janë të paarritshëm për organet e ndjekjes, ka propozuar që t’u caktohet paraburgim nga momenti i gjetjes së tyre, ndërsa procedura ndaj tyre do të vazhdojë në mungesë.
Ndërkohë, në kuadër të të njëjtit rast, vazhdojnë të ndërmerren veprime për sigurimin e provave edhe ndaj 21 personave të tjerë, të dyshuar si ndërmjetës ose përdorues të patentë-shoferëve të falsifikuar, ndërsa prokuroria po heton edhe abuzime të tjera të mundshme.
Ndryshe, Prokuroria Themelore Publike (PTHP) – Shkup më 12 shtator njoftoi se ka kryer kontrolle në 32 lokacione në Shkup, te persona, në shtëpi dhe në hapësira zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) lidhur me falsifikimin e patentë-shoferëve.
Aksioni erdhivjen pas hetimit të nisur muajin e kaluar nga Kontrolli i Brendshëm i MPB-së, kur u zbulua se punonjës të shërbimeve administrative, për rreth 1.400 euro, në mënyrë të paligjshme u kishin regjistruar kategoritë C dhe D në patentë-shoferët e personave që nuk kishin dhënë provim për drejtimin e kamionëve apo autobusëve.
Sipas informacioneve të deritanishme, në këtë rast disa qytetarë dyshohet se e kanë anashkaluar të gjithë këtë proces. Në vend të orëve të trajnimit dhe provimeve, kundrejt pagesës, kategoria u është shtuar drejtpërdrejt në patentë-shofer.