Prokuroria Themelore Publike (PTHP) – Shkup po kryen kontrolle në 32 lokacione në Shkup, te persona, në shtëpi dhe në hapësira zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) lidhur me falsifikimin e patentë-shoferëve, raporton Portalb.mk.
“Po ndërmerren edhe veprime të tjera për sigurimin e provave, për shkak të dyshimeve për veprën penale – Falsifikimi i dokumentit nga neni 378 i Kodit Penal”, njoftoi PTHP-Shkup.
Më herët, edhe MPB-ja njoftoi se po zhvillon aksion të ri lidhur me lëshimin e paligjshëm dhe falsifikimin e patentë-shoferëve.
Nga MPB-ja thonë se aksioni është në zhvillim e sipër, me qëllim zbardhjen e rasteve dhe sigurimin e provave materiale.
Aksioni i sotëm vjen pas hetimit të nisur muajin e kaluar nga Kontrolli i Brendshëm i MPB-së, kur u zbulua se punonjës të shërbimeve administrative, për rreth 1.400 euro, në mënyrë të paligjshme u kishin regjistruar kategoritë C dhe D në patentë-shoferët e personave që nuk kishin dhënë provim për drejtimin e kamionëve apo autobusëve.
Sipas informacioneve të deritanishme, në këtë rast disa qytetarë dyshohet se e kanë anashkaluar të gjithë këtë proces. Në vend të orëve të trajnimit dhe provimeve, kundrejt pagesës, kategoria u është shtuar drejtpërdrejt në patentë-shofer.