Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) paralajmëron kontrolle të shtuara inspektuese te tregtarët në vend, me rastin e zbritjeve të paralajmëruara në kuadër të fushatës “Black Friday”. Inspektorët do të kontrollojnë nëse tregtarët i respektojnë dispozitat ligjore gjatë realizimit të aksioneve të shitjes, mënyrën e reklamimit të zbritjeve, shënimin e çmimeve dhe informimin e konsumatorëve për kushtet në të cilat ofrohen produktet, transmeton Portalb.mk.
Nga Inspektorati i Tregut bëjnë të ditur se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet shitjes së pajisjeve për amvisëri, pajisjeve të bardha, pajisjeve elektronike, telefonave celularë, pajisjeve kompjuterike, veshjeve, këpucëve, mobilieve, produkteve për amvisëri, si dhe produkteve të tjera që gjatë kësaj periudhe ofrohen me çmime të ulura.
“Qëllimi i këtyre aktiviteteve është të sigurohet zbatimi i qëndrueshëm i dispozitave ligjore, të parandalohen praktikat eventuale të padrejta tregtare dhe të mbrohen interesat ekonomike dhe të drejtat e konsumatorëve. Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet rasteve të paraqitjes së rreme të zbritjeve, rritjes së pajustifikuar të çmimeve para uljes së tyre, reklamimit të pasaktë dhe mashtrues, si dhe parregullsive të tjera që lidhen me kushtet e shitjes”, thonë nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.
ISHT u bën thirrje tregtarëve që t’i respektojnë detyrimet ligjore dhe t’i realizojnë aksionet e shitjes në mënyrë të drejtë dhe transparente. Ndërkaq, qytetarëve u apelon që t’i ndjekin me kujdes çmimet e shënuara, kushtet e zbritjeve dhe informacionet për produktet.
Në rast se vërejnë ndonjë parregullsi, qytetarët mund ta raportojnë atë në Inspektoratin Shtetëror të Tregut përmes numrit pa pagesë 191 ose në ueb-faqen zyrtare www.dpi.gov.mk.