Partia DOM ka deklaruar se nuk nevojiten premtime të reja deklarative dhe subvencione që vetëm i rrisin çmimet për metër katror. Ata shtojnë se ligji tashmë parasheh tatim tre herë më të lartë për banesat private të zbrazëta dhe tatim pesë herë më të lartë për objektet shtetërore dhe komunale të paregjistruara dhe të pashfrytëzuara – mungon vetëm vullneti politik për zbatimin e tij, transmeton Portalb.mk.
“Maqedonia tashmë ka mekanizëm ligjor për tatimin e banesave të zbrazëta, por ai prej vitesh mbetet i pazbatuar. Në përputhje me Ligjin për Tatimet në Pronë, ndërsa qytetarët për banesën ku jetojnë paguajnë normë efektive tatimore prej 0,05 përqind, për çdo banesë që qëndron e zbrazët dhe nuk jepet me qira për më shumë se gjashtë muaj gjatë vitit, tashmë vlen tatim tre herë më i lartë (0,30 përqind). Për më tepër, nëse pronari nuk deklaron se banesa nuk shfrytëzohet, ligji parasheh shumëzues ndëshkues me tatim pesë herë më të lartë (0,50 përqind). E njëjta normë pesëfish më e lartë vlen edhe për të gjitha objektet shtetërore dhe komunale të pashfrytëzuara”, thonë nga DOM.
Ata thonë se në praktikë, pothuajse askush nuk e paguan këtë tatim. Pjesa dërrmuese e pronarëve të banesave të zbrazëta, thonë nga kjo parti, vazhdojnë të marrin vendime për tatim me shuma minimale, sepse komunat dhe pushteti qendror nuk i kryqëzojnë të dhënat nga regjistrat e vendbanimeve të paraqitura dhe kontratat e qirasë me të dhënat për konsumin e energjisë elektrike dhe ujit. Njëkohësisht, vetë institucionet nuk e zbatojnë tatimin pesëfish më të lartë mbi fondin e tyre të banesave dhe objekteve afariste të zbrazëta.
“Ndryshe nga kjo pasivitet, vendet e rajonit, si Kroacia, në vitin 2026 vendosën tatim të detyrueshëm për banesat e zbrazëta, përmes kryqëzimit digjital të bazave shtetërore të të dhënave dhe afateve të qarta, pikërisht me qëllim të dekurajimit të spekulimeve me patundshmëri dhe kthimit të banesave në tregun e banimit afatgjatë”, thonë nga DOM.
DOM-i kërkon zbatimin e menjëhershëm dhe të qëndrueshëm të legjislacionit ekzistues përmes masave në vijim:
- – Kryqëzimi digjital i të dhënave: Komunat dhe Drejtoria e të Ardhurave Publike menjëherë t’i kryqëzojnë të dhënat për vendbanimet e paraqitura dhe kontratat zyrtare të qirasë me konsumin e energjisë elektrike dhe ujit, me qëllim që të përcaktohet numri real i banesave të zbrazëta.
- – Arkëtimi i rregullt i tatimit ligjor për patundshmëritë e zbrazëta: Zbatimi i plotë i normës tatimore trefish dhe pesëfish për banesat që qëndrojnë të zbrazëta për një periudhë të gjatë, në vend të tolerimit të mbajtjes së tyre jashtë tregut.
- – Destinimi i mjeteve për banimin e të rinjve: Të gjitha të ardhurat e mbledhura nga tatimi më i lartë për banesat e zbrazëta të orientohen drejtpërdrejt në Fondin për Banimin e Përballueshëm dhe për subvencionimin e qirave për të rinjtë dhe çiftet e reja bashkëshortore.
- – Regjistrimi dhe aktivizimi i pronës shtetërore dhe komunale: Publikimi i të gjitha banesave dhe objekteve shtetërore e komunale të zbrazëta, të cilat i nënshtrohen tatimit pesëfish më të lartë, si dhe vënia e tyre e menjëhershme në funksion përmes dhënies me qira me çmime të favorshme.
- – Lirimi nga tatimi për dhënien me qira afatgjatë për të rinjtë: Çdo pronar që banesën e tij të zbrazët ua jep me qira të rinjve, me kontratë të regjistruar prej së paku 10 deri në 12 muaj, me çmim të përballueshëm dhe të rregulluar, të lirohet plotësisht nga tatimi i rritur.
Kujtojmë se guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, tha se si pjesë e masave që pritet të shpallen së shpejti, ka kushte më të favorshme kreditimi për njerëzit që duan të blejnë apartament për të jetuar dhe që aplikojnë për kredi për herë të parë, krahasuar me ata që blejnë një apartament për një qëllim tjetër.
“Jemi relativisht të gatshëm me masat që do të lehtësojnë kushtet për ata që blejnë apartament për të jetuar për herë të parë, dhe do t’i shtrëngojmë ndjeshëm kriteret duke bashkëpunuar me bankat për blerjen e një apartamenti investimi që nuk do të përdoret për të jetuar”, tha Sllaveski.
Sllaveski thotë se Banka Popullore nuk dëshiron që ky trend negativ të vazhdojë dhe se ata kanë instrumente me të cilat do ta arrijnë këtë. Ai thotë se janë në kontakt me bankat dhe se propozimet e tyre janë marrë, dhe disa prej tyre janë pranuar. Kur bëhet fjalë për kthimin e mundshëm të taksës nga pesë në tetëmbëdhjetë përqind, ai tha se kjo nuk do të binte ndesh me këto masa dhe se do të ketë një rregullim.]
Guvernatori apeloi të kontrollohen deklaratat e nënshkruara nga aplikantët për kredi, sepse 73 përqind e apartamenteve që blihen me kredi deklarohen të destinuara për jetesë, por askush nuk e kontrollon këtë. Askush nuk kontrollon nëse adresa e banimit ka ndryshuar, megjithëse në shumë vende të botës bankat monitorojnë aplikantët për kredi për të parë nëse ata kanë ndryshuar vendbanimin e tyre, dhe nëse përcaktohet se është bërë një deklaratë e rreme se ata do të jetojnë në apartamentin që po blejnë me kredi, kjo konsiderohet mashtrim i rëndë.