Pacientët me kancer që trajtohen në Klinikën e Onkologjisë në Shkup po përballen me mungesën e ilaçit Paklitaksel. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski thotë se për furnizimin me barna përgjigjet drejtori i Klinikës, Igor Stojkovski, i cili thotë se ka problem logjistik, shkruan Portalb.mk.
Në Klinikën e Onkologjisë dhe Radioterapisë në Shkup momentalisht mungon ilaçi Paklitaksel.
Gjendja në klinkë është e rëndë, kështu shprehet për Portalb.mk Ana Marjanoviç nga shoqata HEMA-ONKO.
“Vazhdimisht na thuhet se problemi qëndron te distrubutori, por nuk e di pse distrubutorët nuk mbajnë ilaçe rezervë në stok. Si alternativë për pacientët ekziston blerja e ilaçit në Zhan Mitrev dhe pastaj të rimbursohet nga Fondi Shëndetësor por kjo komplikon më shumë arritjen deri te ilaçi. Ndërsa si zgjidhje tjetër te disa pacientë jepet një ilaç tjetër zëvendësues, por kjo nuk është zgjidhje për çdo pacientë, pasi te disa pacientë nuk mund të aplikohet ilaç tjetër zëvendësues”, tha Marjanoviç.
Për mungesën e barnave, ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, përgjegjësinë e adreson te drejtori i Klinikës së Onkologjisë. Sipas tij, për çdo çështje duhet të dihet se kush është përgjegjës.
“Përgjegjësia për barnat bie mbi drejtorin e Klinikës së Onkologjisë dhe duhet të pyetet ai dhe pyetja duhet t’i bëhet atij. Pasi për çdo çështje ka kush është përgjegjësi”, tha Klekovski.
Nga ana tjetër, dejtori i Klinikës së Onkologjisë, Igor Stojkovski për Portalb.mk, u shpreh se ilaçi paklitaksel nuk është i disponueshëm në klinikë për shkak të një problemi logjistik me dorëzimin nga shpërndarësi.
“Kur protokolli i trajtimit e lejon, Paklitaksel mund të zëvendësohet me ilaç tjetër nga i njëjti grup. Onkologu që kryen trajtimin vlerëson nëse zëvendësimi është i përshtatshëm për pacientin specifik. Ilaçi Paklitaksel është në listën pozitive të barnave për trajtim spitalor”, u shpreh Stojkovski.
Ndërkohë për mungesën e ilaçit për trajtimin e kancerit, kanë reaguar edhe nga partia opozitare Levica. Nga atje thonë se pacientët onkologjikë po kthehen sërish nga klinika pa e marrë terapinë me ilaçin Paklitaksel, ndërsa, sipas tyre, pacientëve u është thënë se ilaçi nuk pritet të sigurohet deri në Vitin e Ri.
“Bëhet fjalë për pacientë që kanë filluar ciklet e kimioterapisë, të cilat duhet të merren në intervale të caktuara kohore dhe ndërprerja e tyre mund të ndikojë në efektivitetin e trajtimit dhe të shkaktojë përparimin e sëmundjes. Alarmante është se kjo nuk është çështje nëse shteti ka para apo jo, nëse Klekovski i paguan tenderët apo jo”, thonë nga Levica.
Klekovski e përsërit narrativin për decentralizimin e terapisë, por pa hapa konkretë për zbatimin e saj
Sa i përket decentralizimit të terapisë onkologjike, ministri i Shëndetësisë, Klekovski, e ka përsëritur narrativin e njëjtë, por punët në terren nuk kanë lëvizur.
Klekovski tha se kjo çështje është diskutuar gjatë dy viteve të fundit, duke u bazuar edhe në shembuj që, sipas tij, dëshmojnë se decentralizimi është i realizueshëm. Ai përmendi Klinikën e Neurologjisë, ku terapia për sklerozën multiple (SM) është një shembull që mund të shërbejë si model për zbatimin e këtij procesi edhe në institucione të tjera shëndetësore.
“Çështja e decentralizimit është pjesë e diskursit publik tani e dy vite. Ne mund të marrim shembuj pozitivë, siç është në Klinikën e Neurologjisë me terapinë e sklerozës multiple (SM), duke treguar se deecentralizimi është e mundur dhe nuk është shkencë raketore. Të gjithë kemi ngecur në status-quo, duke treguar se është i mundur dhe kemi shembuj të decentralizimit”, deklaroi Klekovski.
Ai theksoi se, sipas tij, ngecja në status-quo nuk duhet të vazhdojë dhe se përvoja nga institucionet ku decentralizimi tashmë është realizuar duhet të shërbejë si nxitje për zbatimin e tij edhe në trajtimin onkologjik.
“Shpresoj që drejtorët e shtëpive të shëndetit në Tetovë, Manastir dhe Spitalin Ushtarak të angazhohen më shumë në këtë drejtim”, tha ministri.
Kujtojmë se Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar se programi për zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje nuk po jep rezultatet e pritura, megjithëse në vitin 2023 janë shpenzuar 22.9 milionë denarë për aktivitete skriningu.
Pacientët onkologjikë prej vitesh përballen kohë pas kohe me mungesë të terapisë. Ata gjithashtu alarmojnë për kushtet jo të mira në klinikë, mbingarkesën me pacientë, si dhe problemet e vazhdueshme me skriningjet. Ministri i ri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, ngjashëm si paraardhësit e tij premtoi zgjidhje.
Nga ana tjetër, ekspertët vazhdojnë të theksojnë rëndësinë e kontrolleve të rregullta, veçanërisht për kancerin e gjirit, numri i rasteve të të cilit ka shënuar rritje të vazhdueshme në vend.
- LEXO: Rezistencë për decentralizimin e terapisë onkologjike, Klekovski: Punojmë për ta zgjidhur
- LEXO: Mungesa e terapive në Onkologjinë e Shkupit i nxori në protestë pacientët me kancer: Çdo muaj përballemi me të njëjtin problem
- LEXO: RMV, pacientët në protestë, sërish mungon terapia në Klinikën e Onkologjisë