VLEN Butel për vendosjen e mbishkrimit në shqip te parku: Problemi nuk zgjidhet nga qytetarët, përgjegjësia i takon institucionit

Pas këshilltarëve të AKI-së, edhe këshilltarët e VLEN-it në Komunën e Butelit kanë reaguar lidhur me vendosjen e mbishkrimit në gjuhën shqipe në tabelën informuese të Mega Parkut në Butel. Ata e kanë përshëndetur iniciativën e qytetarëve për vendosjen e mbishkrimit, por kanë kërkuar që kjo çështje të zgjidhet në mënyrë institucionale. Për gjendjen aktuale kanë fajësuar edhe BDI-në, duke thënë se kjo parti gjatë kohës sa ka qenë në pushtet ka lënë zgjidhje gjysmake, shkruan Portalb.mk.

Në një reagim në rrjetet sociale, këshilltarja e VLEN-it në Komunën e Butelit, Albesa Raman, ka shkruar se vendosja e mbishkrimit nga qytetarët nuk e zgjidh problemin dhe nuk e përjashton detyrimin e institucioneve për zbatimin e ligjit.

“E përshëndesim iniciativën e qytetarëve dhe shprehim mbështetjen tonë për çdo nismë që synon zgjidhjen e këtij problemi. Megjithatë, kjo nuk nënkupton se do të heqim dorë nga kërkesa jonë për një zgjidhje të mirëfilltë institucionale, në përputhje me ligjin. Nismat qytetare i mbështesim, por përgjegjësia për zbatimin e ligjit dhe zgjidhjen e problemit u takon institucioneve kompetente. Vendosja e mbishkrimit në shqip në Parkun “Oaza”, nga qytetarët dhe jo nga institucionet kompetente, nuk e zgjidh problemin dhe nuk e zëvendëson detyrimin ligjor të institucioneve”, ka shkruar Raman.

Ajo ka drejtuar kritika ndaj BDI-së, duke thënë se problemet e pazgjidhura janë edhe pasojë e mënyrës se si kjo parti i ka trajtuar çështjet e përdorimit të gjuhës shqipe gjatë kohës sa ka qenë në pushtet.

“Kjo është pasojë edhe e mënyrës se si BDI, gjatë kohës sa ka qenë në pozita vendimmarrëse, i ka trajtuar këto çështje, duke pranuar dhe lënë pas zgjidhje gjysmake, në vend të zgjidhjeve të qëndrueshme dhe në përputhje me ligjin”, ka shkruar ajo.

Ndërkaq, për vendosjen e mbishkrimit në shqip më herët reaguan edhe këshilltarët e AKI-së në Komunën e Butelit. Sipas tyre, pasi institucionet nuk vepruan, qytetarët vendosën ta bëjnë vetë një gjë të tillë.

“Institucionet përgjegjëse nuk i morën parasysh kërkesat tona për respektimin e dygjuhësisë, prandaj qytetarët vendosën të ndërmarrin këtë hap konkret, në tabelën e Mega Parkut të Butelit të vendosin edhe mbishkrimin në gjuhën shqipe”, deklaroi Armend Murseli, këshilltar i AKI-së në Komunën e Butelit.

Kujtojmë se Portalb.mk raportoi më herët se tabela informuese në hyrje të Mega Parkut në Butel ishte vendosur vetëm në gjuhën maqedonase, pa mbishkrim në gjuhën shqipe. Pas raportimit të Portalb.mk reaguan edhe këshilltarët shqiptarë të AKI-së dhe VLEN-it në Komunën e Butelit, të cilët kërkuan që tabela të plotësohej edhe në gjuhën shqipe.

Ata e ngritën këtë çështje edhe në Këshillin e Komunës së Butelit, por propozimi për vendosjen e mbishkrimit në shqip nuk u miratua. Në shenjë proteste, këshilltarët e AKI-së dhe VLEN-it e lëshuan seancën.

Për këtë rast, nga AKI iu drejtuan edhe Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, duke kërkuar që të kontrollohet nëse është respektuar Ligji për Përdorimin e Gjuhëve.

Inspektorati nisi procedurë për këtë rast, por inspektorët ende nuk kanë mundur të kryejnë inspektim në Qytetin e Shkupit, pasi ky institucion nuk ua ka mundësuar një gjë të tillë.

Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) Fronti EvropianKomuna e ButelitVLEN koalicioni