Ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami i cili kërkohej me fletarrest ndërkombëtar, mëngjesin e sotëm është paraqitur në pikën kufitare Bllacë, pas së cilës është arrestuar. Bajrami është dorëzuar vetë, pasi ishte në arrati që nga viti 2024, shkruan Portalb.mk.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme informojnë se Bajrami sot në orën 5:35, vullnetarisht dhe në këmbë, është paraqitur te organet kompetente. Ai është privuar nga liria dhe do të dërgohet për procedurë të mëtejshme para organeve kompetente.
Bajrami është i akuzuar në procesin penal lidhur me keqpërdorimet në Lotarinë Shtetërore, së bashku me ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi, i cili gjithashtu ishte në arrati dhe po ashtu iu dorëzua vetë policisë.
MPB-ja ndaj Bajramit dhe Grubit në dhjetor të vitit 2024 shpalli fletarrestim ndërkombëtar, pasi Gjykata Penale u caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh, por ata nuk ishin të qasshëm për organet e ndjekjes. Grubi u dorëzua në shkurt të këtij viti në pikën kufitare Bllacë, në kufirin Maqedoni e Veriut–Kosovë, dhe u mbajt në paraburgim, i cili më vonë u zëvendësua me arrest shtëpiak.
Muajin e kaluar, Prokuroria Themelore Publike Shkup ngriti aktakuzë ndaj tetë personave për keqpërdorime në Lotarinë Shtetërore, mes tyre edhe Grubit, Bajramit dhe ish seksretarit të Qeverisë Metodija Dimovski. Prokuroria i akuzon tetë personat si bashkëkryerës të veprës penale keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar.
Sipas aktakuzës, gjatë viteve 2023 dhe 2024, ata ndërmorën së bashku veprime me të cilat tejkaluan autorizimet dhe detyrat e tyre, me qëllim që t’i shkaktonin dëm Lotarisë Shtetërore. Dëmi vlerësohet në rreth 9.7 milionë euro.