Dhunuan dhe poshtëruan 13-vjeçaren në Gjorçe Petrov, gjykata dënoi katër të miturat

Dërgimi në shtëpi edukativo-korrektuese i katër të miturave është vendimi që mori Gjykata Themelore e Shkupit për dhunën mes bashkëmoshatarëve në Gjorçe Petrov, për të cilën publiku u njoftua në maj të këtij viti. Bëhet fjalë për një procedurë kundër nxënëseve të klasës së gjashtë, të cilat keqtrajtuan një bashkëmoshatare 13-vjeçare. Ato e filmuan me telefon mobil teksa e rrihnin, i fiknin cigare në trup dhe e detyruan me forcë të hante jashtëqitje qeni. Dy prej tyre morën masa me kohëzgjatje nga një vit, ndërsa dy të tjerat nga tetë muaj, konfirmuan nga gjykata, transmeton Portalb.mk.

Vendimi është i shkallës së parë dhe ende nuk është i formës së prerë. Nga Gjykata Penale thonë se vendimi është duke u përgatitur në formë të shkruar dhe ende nuk u është dorëzuar palëve. Prej atje sqarojnë se procedura është e fshehtë, pasi bëhet fjalë për fëmijë.

Rasti tronditi publikun pasi u publikuan pamjet e dhunës ndaj nxënëses 13-vjeçare nga Gjorçe Petrovi. Në pamje shihet se si një grup bashkëmoshatarësh e rrethojnë, e tërheqin për flokësh, e shtyjnë në tokë dhe e godasin. Disa nga të pranishmit e filmuan dhunën me telefona.

Sipas Prokurorisë Themelore Publike të Shkupit, dhuna ka ndodhur në dy ngjarje të ndara. Prokuroria nisi procedurë për veprën penale “dhunë” kundër tri vajzave 14-vjeçare dhe një vajze 17-vjeçare, e cila ndërkohë ka mbushur moshën madhore. Procedura është zhvilluar në bazë të Ligjit për Drejtësi për Fëmijët.

Lidhur me të njëjtin rast, në Prokurori ishin dorëzuar edhe gjashtë kallëzime penale kundër prindërve për “neglizhencë dhe keqtrajtim të fëmijës”, për shkak të dyshimeve se kanë neglizhuar detyrimin për kujdesin dhe edukimin e fëmijëve. Deri më tani nuk ka informacione për epilogun e këtyre kallëzimeve.

Ky rast shkaktoi reagime të shumta në opinion, ndërsa psikologët paralajmëruan se raste të tilla lënë pasoja të thella dhe afatgjata në shëndetin mendor të fëmijëve. Vitin e kaluar, MPB-ja regjistroi mbi 90 incidente të lidhura me dhunën mes bashkëmoshatarëve, prej të cilave mbi 60 ishin sulme fizike.

Dhunë - DhunaFëmija/ëGjykata Themelore Penale Shkupi 1