Pas bujës të cilën e shkaktoi rasti në opinion dhe arratisë së të dyshuarve, Prokuroria Publike ka ngritur aktakuzë kundër tetë personave për keqpërdorim të pozitës zyrtare në rastin e Lotarisë Shtetërore, mes të cilëve janë edhe ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami dhe ish-sekretari i Qeverisë, Metodija Dimovski. Nga Gjykata Penale njoftuan se përmes shpërndarjes automatike, lënda i është caktuar gjyqtares Biljana Shuplinovska-Jovevski dhe seanca është caktuar për 24 gusht, në ora 10:00, raporton Portalb.mk.
Prokuroria Themelore Publike Shkup ka ngritur aktakuzë kundër gjithsej 8 personave si bashkëkryerës të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” nga neni 353 paragrafi 5 në lidhje me paragrafin 4 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal.
Siç sqaron Prokuroria, të akuzuarit, gjatë vitit 2023 dhe 2024, së bashku kanë ndërmarrë veprime me të cilat i kanë tejkaluar kufijtë e autorizimeve dhe detyrave të tyre të veçanta, me qëllim që t’i shkaktojnë dëm personit juridik të dëmtuar Shoqërisë Aksionare për organizimin e lojërave të fatit “Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, në vlerë të konsiderueshme prej 507.632.173 denarësh (mbi 8.2 milionë euro).
“Ata ishin të vetëdijshëm se Shoqëria Aksionare për organizimin e lojërave të fatit “Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nuk kishte të drejtë të organizonte lojëra elektronike të fatit në terminalet e videolotarive në territorin e vendit, pasi në vitin 2013 këtë të drejtë e kishte investuar si kontribut jomonetar me vlerë prej 6.244.898 eurosh gjatë themelimit të Shoqërisë për organizimin e lojërave të fatit “Lotaria Shtetërore e Videove e Republikës së Maqedonisë – KASINOS AUSTRIA” SHPK Shkup, për çka kishte fituar pjesë prej 51% të kapitalit themeltar të shoqërisë”, tha Prokuroria.
Më tej sqarojnë se përkundër kësaj, i akuzuari i parë, drejtor i përgjithshëm dhe kryetar i Bordit Drejtues të “Lotarisë Shtetërore”, më 09.05.2023, të akuzuarit të tretë – Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë së RMV-së, i ka dorëzuar Informacion për nevojën e ndërmarrjes së aktiviteteve për organizimin e pavarur të lojërave elektronike të fatit.
“Në informacionin me propozim-përfundime, ai ka theksuar se vlera e prokurimit përbën 42% të vlerës kontabël të pasurisë së shoqërisë, e përcaktuar në bazë të raporteve të fundit financiare të shoqërisë dhe si e tillë do të përbënte transaksion të madh, ndërsa miratimi i saj është në kompetencë të Bordit Mbikëqyrës të shoqërisë”, sqaroi Prokuroria.
Më tej thuhet se Sekretari i Përgjithshëm, më 06.06.2023, e ka propozuar këtë informacion si plotësim të një pike të rendit të ditës të seancës së Qeverisë, duke vepruar në kundërshtim me nenin 119, paragrafi 2 të Rregullores së Punës së Qeverisë së RMV-së dhe nuk ia ka kthyer informacionin parashtruesit, përkatësisht nuk ia ka përcjellë organit kompetent.
“I akuzuari i dytë, i cili kishte ndikim real në menaxhimin e SHA “Lotaria Shtetërore”, në cilësinë e personit përgjegjës, ka kryesuar me seancën e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në cilësinë e Kuvendit të Lotarisë Shtetërore dhe ka propozuar që pika e plotësuar në këtë mënyrë e rendit të ditës të miratohej, edhe pse ishte i vetëdijshëm se vendimi nuk ishte në kompetencë të Qeverisë si Kuvend i Shoqërisë Aksionare”, tha Prokuroria.
Prokuroria thekson më tej se informacioni i dorëzuar është miratuar dhe Shoqëria Aksionare për organizimin e lojërave të fatit “Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut” është ngarkuar të ndërmarrë aktivitetet e nevojshme për fillimin e organizimit të pavarur të lojërave elektronike të fatit dhe zbatimin e një prokurimi publik për terminale të videolotarive.
“Të akuzuarit e tjerë, kryetari dhe anëtarët e Bordit Mbikëqyrës, edhe pse e dinin se procedura ligjore nuk ishte respektuar, kanë marrë vendim me të cilin kanë miratuar fillimin e procedurës për prokurim publik të terminaleve të videolotarive për organizimin e lojërave elektronike të fatit si transaksion i madh. Prokurimi publik është realizuar dhe janë marrë obligime për pagesë, me të cilat SHA “Lotarisë Shtetërore” i është shkaktuar dëm në shumën e lartpërmendur”, thanë nga Prokuroria Publike.
Për Artan Grubin është propozuar vazhdimi i masës së mëparshme të caktuar të arrestit shtëpiak, e cila i është caktuar së bashku me masën e kujdesit, marrjen e përkohshme të dokumentit të udhëtimit dhe ndalimin e lëshimit të dokumentit të udhëtimit ose dokumenteve të tjera për kalimin e kufirit shtetëror.
Prokurori publik kompetent ka propozuar që edhe për të akuzuarit e tjerë të caktohen masa kujdesi, detyrimi për t’u paraqitur periodikisht në Gjykatë, marrja e përkohshme e dokumentit të udhëtimit ose dokumenteve të tjera për kalimin e kufirit shtetëror, si dhe ndalimi i afrimit ose vendosjes, përkatësisht mbajtjes së kontakteve apo lidhjeve me persona të caktuar.
Nga Gjykata Penale njoftuan se përmes shpërndarjes automatike, lënda i është caktuar gjyqtares Biljana Shuplinovska-Jovevski dhe seanca është caktuar për 24 gusht, në ora 10:00.
“Duke pasur parasysh se Prokuroria Themelore Publike Shkup ka dorëzuar propozim-akuzë, masa e paraburgimit, në përputhje me nenin 470 paragrafi 4 të Ligjit për Procedurë Penale, mund të zgjasë më së shumti 60 ditë nga dita e dorëzimit të propozim-akuzës deri në përfundimin e shqyrtimit kryesor, përkatësisht më së shumti 60 ditë nga dita e sotme”, thanë nga Gjykata Penale.
Ndaj kësaj reaguan nga BDI-ja opozitare, siç thonë, shprehin shqetësim për ngritjen e një aktakuze politike për përgjegjësi individuale që buron nga një vendim kolektiv.
“Pas dy vitesh hetim, opinioni meriton të dijë mbi cilat prova dhe argumente konkrete mbështetet një akuzë e tillë. Ne respektojmë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, por njëkohësisht kërkojmë drejtësi të barabartë dhe joselektive. Vendimet kolektive nuk mund të shndërrohen në instrument për përgjegjësi selektive dhe përndjekje politike individuale”, thanë nga BDI.
Ata kërkojnë transparencë dhe mbikëqyrje ndërkombëtare ndaj këtij rasti
Kujtojmë se pas mbi një viti në arrati, më 23 shkurt në orët e para të mëngjesit, Grubi u vetëdorëzua në pikën kufitare në Bllacë, ku edhe u arrestua dhe u dërgua në Burgun e Shutkës.
Më pas, siç sqaruan autoritetet, për shkaqe sigurie u vendos që ai të shkojë në arrest shtëpiak, ku më pas disa herë iu vazhdua paraburgimi.
Artan Grubi në fund të vitit 2024 u fut në Listën e Zezë Amerikane për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore për të shpëtuar Sasho Mijallkovin, pas së cilës ai u tërhoq nga jeta publike.
Pak ditë më vonë, ai u arratis nga vendi, ndërsa kërkohej me fletarrest ndërkombëtar së bashku me ish drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajramin, për rastin ‘Lotaria’. Atyre u ishte caktuar fillimisht masa e paraburgimit për 30 ditë.
Që të dy dyshohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej mbi 8.2 milion euro. Ata ngarkohen për veprën penale “mashtrim në shërbim” sipas nenit 354 të Kodit Penal, që parashikon dënim me të paktën katër vjet burg.