Kryetari i partisë opozitare LSDM, Venko Filipçe, pas seancës mbikëqyrëse në Kuvend, kushtuar gjendjes me Alta Bankën, në një konferencë për media deklaroi se kryeministri Hristijan Mickoski nuk po e thotë të vërtetën kur pretendon se Qeveria e LSDM-së kishte marrë vendim që Alta Banka të hynte në tregun maqedonas, transmeton Portalb.mk.
“Dëshmitari i parë në seancën mbikëqyrëse ishte Hristijan Mickoski, ndërsa kur nuk ka përgjigje, ai shtrembëron faktet dhe gënjen. Kryeministri sot në seancën mbikëqyrëse bëri një gënjeshtër brutale, duke thënë se Qeveria e LSDM-së kishte marrë vendim për të hyrë në marrëdhënie afariste me Alta Bankën e Serbisë”, tha Filipçe.
Filipçe theksoi se Qeveria e LSDM-së nuk kishte dhënë pëlqim për shitjen e aksioneve që zotëroheshin nga Ministria e Financave, por se Macura kishte marrë pëlqim nga Bosnjë e Hercegovina. Ndryshe nga pretendimet e kryeministrit, Filipçe thotë se Qeveria e LSDM-së kishte mbrojtur interesat shtetërore dhe interesat e qytetarëve dhe nuk kishte hyrë në marrëdhënie me Alta Bankën.
“Davor Macura nuk ka marrë leje nga Qeveria jonë, e LSDM-së, për t’i blerë aksionet që i përkasin Ministrisë së Financave. Por, ai ka marrë leje nga Bosnjë e Hercegovina dhe kështu është bërë pronar i mbi 90 përqind të aksioneve në Alta Bankën e Beogradit. Kjo, sipas ligjeve serbe, i ka mundësuar që t’i blejë edhe aksionet e mbetura”, deklaroi Filipçe.
Me këtë rast, Filipçe theksoi se më 24 tetor 2023, Qeveria e atëhershme kishte miratuar një konkluzion, të cilin Mickoski sot e kishte paraqitur si vendim për vendosjen e marrëdhënieve afariste me Alta Bankën. Sipas tij, me këtë konkluzion ishte mbrojtur interesi shtetëror, përkatësisht ishte paraparë angazhimi i Avokaturës Shtetërore për t’i mbrojtur interesat e Maqedonisë në Serbi.
“Ja vendimi, konkluzioni nga seanca e Qeverisë për angazhimin e Avokaturës Shtetërore, si organ që mbron interesin shtetëror, për të hyrë në komunikim me institucionet serbe, me qëllim të mbrojtjes së interesit shtetëror të Maqedonisë”, tha Filipçe.
Mickosi tha se sa i përket marrëdhënies në bazë kreditore ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë dhe kompanisë serbe Alta Banka në vitin 2023, në mbledhjen në të cilën është diskutuar dhe është dhënë autorizim Avokatit të Popullit që t’i tjetërsojë aksionet e Alta Bankës në pronësi të Qeverisë së Maqedonisë, të pranishëm kanë qenë, zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, më pas ministri i Financave Fatmir Besimi, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ministri i Arsimit Jeton Shaqiri, ndërsa nga radhët e LSDM-së, kryetari i Qeverisë Dimitar Kovaçevski, ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, ministri i Transportit Blagoj Boçvarski, ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska, Bujar Osmani, Lupço Nikollovski etj.
“Nëse dikush ka më së paku të drejtë të flasë për atë që po ndodh sot, madje edhe të manipulojë dhe të shpifë, ajo është pikërisht opozita politike në Maqedoni“, tha ai.
Kryeministri Mickoski u bëri thirrje të gjitha partive politike që të mos e pengojnë procesin e gjetjes së një zgjidhjeje, përkatësisht, siç tha, nëse nuk mund të ndihmojnë, atëherë të mos pengojnë.
“Ajo që u kërkoj me gjithë mirësjelljen të gjitha partive politike është, nëse nuk ndihmoni, ju lutem, me gjithë mirësjelljen, mos pengoni, na lini të gjejmë zgjidhje, jemi optimistë se zgjidhja është gjetur, që ky proces të përfundojë me sukses, ashtu siç do të jetë në interes të kreditorëve dhe të bankës“, theksoi Mickoski.
Ai tha se Alta Banka nuk do të falimentojë në mënyrë brutale si Eurostandard, disa ditë pasi një ministër i LSDM-së kishte tërhequr paratë.
“Kjo bankë nuk do të falimentojë, siç ishte, për shembull, rasti me Eurostandard Bankën, e cila falimentoi pasi disa ditë më parë ministri i Financave në Qeverinë e LSDM-së dhe BDI-së kishte tërhequr depozitën e vetë të kursimeve, gjë që paraqet vërtet një skandal“, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në Kuvend, gjatë seancës mbikëqyrëse për gjendjen në Alta Banka – Manastir.
Problemet me ALTA Bankën në Maqedoninë e Veriut pasuan zhvillimet në bankën e saj amë në Serbi, së cilës Banka Popullore e Serbisë ia revokoi licencën e punës. Më 1 nëntor, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut vendosi bankën në Manastir nën administrim të përkohshëm për tre muaj dhe caktoi tre administratorë për të shqyrtuar gjendjen financiare dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm. Ndërkohë, klientët u përballën me kufizime në tërheqjen dhe transferimin e parave, ndërsa degët u mbyllën përkohësisht.
Sipas Bankës Popullore, rreth 11.500 pensionistë i marrin pensionet përmes kësaj banke, prej të cilëve rreth 3.500 nuk kanë kartela bankare. Për këtë arsye, nga 5 nëntori është mundësuar tërheqja deri në 20.000 denarë në sportelin kryesor në Manastir. Administrimi i përkohshëm duhet të sqarojë gjendjen e bankës, ndërsa një nga mundësitë për zgjidhjen e situatës është gjetja e një investitori të ri.
- LEXO: Filipçe: Hyrja e Alta Bankës është pjesë e marrëveshjes mes Mickoskit dhe Vuçiqit, ata e dinin mirë se kush është Macura
- LEXO: Alta Banka do të lehtësojë procedurat për marrjen e parave, Banka Popullore ka planifikuar edhe transport për klientët
- LEXO: Gjysmë miliardë euro në kasafortën e ALTA-s, çfarë ka ditur Banka Popullore e Serbisë?
- LEXO: Rasti Alta Bank, Sllaveski: Shqyrtohet mundësia që 3.500 pensionistë pa kartela të mund të tërheqin deri në 20.000 denarë