Pas padisë penale të LSDM-së për epideminë në Gostivar, vijuan akuzat nga Ministria e Shëndetësisë dhe drejtori i Inspektoratit Shëndetësor

Përpjekjet e LSDM-së për ta kthyer rastin me ujin në Gostivar në çështje partiake nuk kontribuojnë në përcaktimin e fakteve. Kështu kanë reaguar nga Ministria e Shëndetësisë, pasidje LSDM-ja ngriti kallëzim penal kundër ministrit Sasho Klekovski dhe drejtorëve të disa institucioneve shëndetësore, duke i akuzuar për lëshime dhe mosmarrjen e masave gjatë ndotjes së ujit nga ujësjellësi i Gostivarit, transmeton Portalb.mk.

“Në Gostivar sistemi shëndetësor reagoi në kohë, pacientët morën kujdesin e duhur shëndetësor, ndërsa publiku u informua për gjendjen. E respektojmë mundësinë ligjore që secili të paraqesë kallëzim nëse konsideron se ekziston bazë për këtë. Njëkohësisht, presim që institucionet kompetente t’i shqyrtojnë profesionalisht, në mënyrë të detajuar dhe të paanshme të gjitha pretendimet. Prokuroria tashmë po vepron për rastin. Ministria dhe të gjitha institucionet shëndetësore kompetente do të bashkëpunojnë plotësisht dhe pa vonesë do të dorëzojnë çdo informacion, analizë dhe dokumentacion të kërkuar”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Drejtori i Inspeektoratit Shtetëror Sanitar, Kiril Lazov e konsideroi si absurd kallëzimin e LSDM-së.

“Edhe një kallëzim penal absurd nga LSDM-ja, edhe një përpjekje që përmes teatrit politik të mbulohet mungesa e përgjigjeve për veprimet e tyre. Në vend që përmes kallëzimeve penale të kërkojnë fajtorë në konferenca për shtyp, së pari duhet të japin përgjigje se çfarë kanë bërë ata kur kanë qenë kompetentë, çfarë masash kanë ndërmarrë dhe çfarë kanë lënë pa ndërmarrë lidhur me problemin shumëvjeçar me ujin në Gostivar”, tha Lazov.

LSDM-ja opozitare dje ngriti kallëzim penal kundër ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovski, drejtoreshës së Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovska, drejtorit të Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, Kiril Lazov, si dhe drejtorit të Qendrës së Shëndetit Publik në Tetovë, Shpend Ameti, duke i akuzuar për lëshime dhe mosmarrje të masave lidhur me rastin e ujit në Gostivar.

Prokuroria tashmë ka hapur procedurë hetimore kundër ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së NP “Komunalec” Gostivar, Artana Asanit, si dhe ndaj dy zyrtarëve të tjerë të ndërmarrjes. Ata dyshohen për vepra të rënda kundër mjedisit dhe natyrës, të lidhura me ndotjen e ujit të destinuar për pije.

Ndërkohë, edhe Avokati i Popullit ka hapur lëndë me iniciativë të tij për të përcaktuar rrethanat në të cilat është cenuar e drejta e qytetarëve për ujë të sigurt dhe të pastër për pije. Institucioni ka rekomanduar që edhe Këshilli i Komunës së Gostivarit të shqyrtojë mundësinë që qytetarët të lirohen nga pagesa e faturave të ujit për periudhën gjatë së cilës uji nuk ka qenë plotësisht i sigurt për përdorim.

Uji në Gostivar ende nuk është i sigurt për pije dhe mund të përdoret vetëm si ujë teknik. Në disa mostra është detektuar bakteri Pseudomonas aeruginosa, i cili mund të shfaqet si biofilm në sistemet e tubacioneve. Rezultatet përfundimtare të analizave të ujit të pijshëm në Gostivar pritet të të publikohen deri më 20 gusht.

Ndryshe, më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e ndaloi përdorimin e ujit për pije në Gostivar, pasi u zbulua një pompë që fuste drejtpërdrejt ujëra të ndotura në sistemin e ujësjellësit. Inspektorët e Agjencisë dolën në terren së bashku me policinë pas shtimit të raportimeve të qytetarëve për probleme me stomakun.

Disa ditë më vonë, drejtoresha e NP “Komunalec” në Gostivar dhe edhe dy të punësuar u arrestuan, ndërsa ndaj tyre u hap hetim për ndotjen e ujit në Gostivar. Ata dyshohen se, me lëndë të dëmshme, e kanë bërë të papërdorshëm ujin për pije në dhomën e tejmbushjes së sistemit që furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe disa fshatra përreth. Sipas hetimit, më 25 qershor të dyshuarit kishin urdhëruar punonjësit të vendosnin tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë dhomës së tejmbushjes së ujit të pijshëm për të testuar presionin e ujit.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mori mostra të ujit, por edhe pse rezultatet e analizave ishin gati, Qeveria dhe Prokuroria nuk i publikuan menjëherë. Pas insistimit të gazetarëve, më 20 korrik Prokuroria Publike publikoi rezultatet, sipas të cilave uji në Gostivar ishte jashtëzakonisht i ndotur dhe nuk duhej të përdorej për asnjë qëllim.

Në ujë u zbuluan 2.419,6 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml. Në mostrat e marra nga burimi i ujit u konstatua gjithashtu numër i rritur i kolonive bakteriale aerobe mezofile dhe prani e baktereve koliforme, ku sipas standardeve duhet të ketë 0 cfu/100 ml, ndërsa në ujë u gjetën 39 cfu/100 ml. Bëhet fjalë për ndotje jashtëzakonisht të lartë fekale të ujit të pijshëm.

EpidemiGostivariInspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor RMVLidhja Social Demokrate (LSDM)Ministria e Shëndetësisë (MSH)