Austria, Çekia dhe Sllovakia me nonpaper: Mosmarrëveshjet dypalëshe të zgjidhen mes vendeve, pa penguar anëtarësimin në BE

Në një non-paper të përbashkët, të shpërndarë më 7 tetor para mbledhjes së Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian, Austria, Çekia dhe Sllovakia e kanë përmendur mosmarrëveshjen mes Kroacisë dhe Malit të Zi si shembull të një çështjeje dypalëshe që e ka ngadalësuar procesin e anëtarësimit, raporton gazeta e Zagrebit, “Veçernji list”.

E gjithë kjo, siç shkruan mediumi, ndodhi në prag të konferencës së re ndërqeveritare mes BE-së dhe Malit të Zi, e mbajtur dje, në të cilën Podgorica vazhdon fazat e fundit të negociatave për anëtarësim.

Presioni ndaj Kroacisë si shtet anëtar, shtohet në tekst, nuk ndalet këtu. Pothuajse në të njëjtën kohë, Komisioni propozon që çështjet dypalëshe që nuk janë pjesë e kritereve të anëtarësimit të zgjidhen jashtë negociatave, madje hap edhe mundësinë që për disa hapa të ndërmjetëm të hiqet parimi i unanimitetit të të gjitha shteteve. Ndërkohë, Austria e veçon çështjen e zgjerimit dhe të vetos para ministrave të të gjitha vendeve anëtare. “Një presion i trefishtë, i cili megjithatë në masë të madhe buron nga kriteret tashmë të dakorduara”, shkruan “Veçernji list”.

“Kur Kroacia insiston në sqarimin e marrëdhënieve me Malin e Zi, ajo nuk niset vetëm nga kërkesat që i ka parashtruar ndaj këtij vendi. Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë shprehimisht pjesë e kornizës negociuese dhe një nga kriteret me të cilat matet përparimi i Malit të Zi drejt anëtarësimit, ndërsa Zagrebi i lidh disa nga çështjet e hapura me krimet e luftës, personat e zhdukur, të drejtat e viktimave dhe detyrime të tjera nga procesi i anëtarësimit. Për disa vende, zgjidhja më e thjeshtë do të ishte që çështjet e diskutueshme të futeshin në sirtarin e marrëdhënieve dypalëshe, me qëllim përshpejtimin e anëtarësimit. Por përcaktimi se çfarë është mosmarrëveshje dypalëshe dhe çfarë çështje e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mund të bëhet shumë lehtë politik dhe arbitrar”, thuhet në tekst.

Pikërisht non-paperi i Austrisë, Çekisë dhe Sllovakisë, siç theksohet, shkon përtej thirrjeve të zakonshme për përshpejtimin e zgjerimit.

“Këto tri vende propozojnë përfshirjen graduale të vendeve kandidate në disa politika, programe dhe agjenci të BE-së para anëtarësimit të plotë, miratimin më të thjeshtë të disa vendimeve teknike dhe ruajtjen e dinamikës së negociatave. Sa u përket mosmarrëveshjeve dypalëshe, mesazhi është më i drejtpërdrejtë: ato duhet të zgjidhen përmes bisedimeve mes vendeve, në mënyrë që të mos pengohet përparimi i vendeve kandidate”.

Në të njëjtin kontekst, ato përmendin edhe mosmarrëveshjen mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Ky dokument nuk u shfaq papritur. Austria, Çekia dhe Sllovakia u takuan më 29 shtator në Vjenë, në kuadër të formatit Sllavkov, ndërsa disa ditë më vonë ministrat e tyre të jashtëm udhëtuan së bashku në Podgoricë. Ministrja austriake, Beate Meinl-Reisinger, thotë se anëtarësimi i Malit të Zi është ‘brenda mundësive’, ndërsa ministri sllovak, Juraj Blanár, shkon një hap më tej: sipas tij, Mali i Zi i përmbush teknikisht parametrat për anëtarësim, por mbeten pengesa që nuk lidhen plotësisht me vetë procesin, por burojnë nga çështje të vjetra historike në rajon. Në atë kohë, ai nuk e përmend Kroacinë. Pesë ditë më vonë, mosmarrëveshja mes Zagrebit dhe Podgoricës tashmë gjendet në non-paperin e përbashkët. Austria nuk u ndal me kaq. Më 13 tetor, ajo e vendosi zgjerimin si pikë të veçantë në rendin e ditës të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, duke paraqitur qëndrimin e saj për zgjerimin”, shkruan “Veçernji list”.

Një ditë para publikimit të non-paperit, Komisioni publikoi propozimin e tij.

“Në dokumentin ‘Përgatitja për një Union më të gjerë’ thuhet se çështjet dypalëshe që nuk lidhen me kriteret e anëtarësimit duhet të zgjidhen në mënyrë dypalëshe ose përmes mekanizmave ndërkombëtarë, ndërsa disa hapa të negociatave mund të kalojnë nga unanimiteti në shumicën e cilësuar. Megjithatë, vendimi përfundimtar për anëtarësim do të mbetej në duart e të gjitha vendeve anëtare. Komisioni propozon gjithashtu që anëtari i ri i ardhshëm të angazhohet që, për një periudhë të caktuar, të mos e bllokojë zgjerimin e radhës përmes një mosmarrëveshjeje dypalëshe. Marrëveshja e parë e anëtarësimit mbi bazën e së cilës duhet të zhvillohet ky model është ajo e Malit të Zi.

Argumenti i Kroacisë këtu është i qartë: të paktën një pjesë e paketës për Podgoricën nuk konsiderohet si një kusht dypalësh i imponuar më pas, por si çështje që bën pjesë në kornizën mbi bazën e së cilës vlerësohet vendi kandidat. Megjithatë, pikërisht përcaktimi i kësaj vije do të jetë objekt i mosmarrëveshjes, pasi varet edhe nga hapësira që ka Kroacia për të mbajtur të hapur kapituj të caktuar të Malit të Zi”, thuhet në tekst.

Se mosmarrëveshja tashmë ka hyrë në vetë mekanizmin e negociatave, shkruan “Veçernji list”, dëshmon Kapitulli 14, që ka të bëjë me politikën e transportit, për të cilin Kroacia ka paraqitur rezervë.

Drafti i parë zyrtar i qëndrimit të përbashkët të BE-së u përgatit më 10 qershor, ndërsa më 21 qershor presidenca e Këshillit hartoi një propozim kompromisi WK 9132/26 – një dokument i brendshëm pune që synon harmonizimin e qëndrimit të përbashkët të të gjitha vendeve anëtare. Ky dokument është kthyer për shqyrtim disa herë gjatë muajve të fundit në COELA, grupin punues të Këshillit përgjegjës për zgjerimin, ku përfaqësohen vendet anëtare.

Ai u vendos sërish në rendin e ditës më 2, 6, 7 dhe 8 tetor, por ende nuk ka mbërritur në COREPER – komitetin e ambasadorëve të vendeve anëtare, i cili përgatit vendimet politike për ministrat.

Ndërkohë, një grup i veçantë punues tashmë po përgatit marrëveshjen e ardhshme të anëtarësimit të Malit të Zi dhe përshtatjet teknike, konkretisht në fushën e politikës së transportit. Dokumenti i tyre WK 13824/26 – tekst që përcakton mënyrën se si do të zbatohen rregullat e BE-së në këtë fushë për Malin e Zi pas anëtarësimit – u hartua në mesin e shtatorit. Rishikimi i parë u bë më 30 shtator, ndërsa i dyti më 6 tetor, raporton “Veçernji list”.

Siç thekson mediumi, Bashkimi Evropian tashmë po përgatit pjesën që lidhet me transportin në kuadër të anëtarësimit të ardhshëm të Malit të Zi, ndonëse vendet anëtare ende nuk janë pajtuar nëse negociatat për transportin mund të mbyllen.

“Kroacia është gjendur në një situatë të pazakontë: disa nga kërkesat e saj bazohen në rregulla të përcaktuara nga vetë Unioni, por tani ajo duhet t’i mbrojë ato në një kohë kur gjithnjë e më shumë vende anëtare dëshirojnë të heqin pikërisht pengesat që mund ta ngadalësojnë përfundimin e negociatave me Malin e Zi. Kufiri mes kushtit për anëtarësim dhe çështjes dypalëshe nuk është më vetëm objekt mosmarrëveshjeje mes Zagrebit dhe Podgoricës. Për këtë ka filluar të diskutohet edhe brenda vetë Unionit”, thuhet në tekst.

Mosmarrëveshja mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë mbetet një nga pengesat kryesore në rrugën e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Bullgaria ka kushtëzuar përparimin e procesit të integrimit me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, në kuadër të angazhimeve të dala nga propozimi francez i vitit 2022. Nga ana tjetër, autoritetet maqedonase kanë kundërshtuar që mosmarrëveshjet dypalëshe të ndikojnë në procesin e anëtarësimit, ndërsa Sofja këmbëngul në zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Kjo situatë ka ngadalësuar përparimin e vendit drejt BE-së dhe ka ngritur debatin nëse çështjet dypalëshe duhet të mund të bllokojnë procesin e zgjerimit.

AustriaBullgariaÇekiaEurointegrime Negociata RMV-BEKroaciaMali i ZiMaqedonia e Veriut RMVMarrëveshja me BullgarinëSllovakia