Klekovski: Ardhja e vaksinave BCG kundër tuberkulozit, është çështje ditësh

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, pret dhe shpreson që vaksinat BCG të mbërrijnë së shpejti në vend dhe që të mos ketë probleme lidhur me ndërprerjen e vaksinimit, transmeton Portalb.mk.

“Vaksinat sigurohen nga depoja qendrore e UNICEF-it. Aktualisht është duke u organizuar logjistika, kështu që po përfundohen detajet”, shtoi Klekovski.

Sipas ministrit, mbërritja e vaksinave BCG në vend është çështje ditësh.

Ministria e Shëndetësisë javën e kaluar njoftoi se, si masë parandaluese, shtyhet imunizimi me vaksinën BCG nga prodhuesi bullgar, për të cilën në Kroaci pretendohet se ka shkaktuar efekte të padëshiruara.

Përdorimi i serive të kontestuara të vaksinës BCG në vend, siç deklaroi Klekovski, ka përfunduar para disa muajsh dhe aktualisht nuk ka në përdorim vaksina nga këto seri. Për të përcaktuar nëse ka pasur efekte të mundshme të padëshiruara te pacientët dhe nëse ato mund të lidhen me përdorimin e kësaj vaksine, do të bëhet një analizë e detajuar.

Ndërkohë, autoritetet shëndetësore të vendit kanë arritur marrëveshje me UNICEF-in për sigurimin e vaksinave BCG nga Japonia për një periudhë njëvjeçare, me qëllim që të garantohet vazhdimësia e këtij imunizimi.

Sasho KlekovskiVaksinim