LSDM ngriti kallëzim penal për ujin në Gostivar kundër katër udhëheqësve në shëndetësi

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka ngritur kallëzim penal kundër katër zyrtarëve për shkak të ndotjes së ujit në Gostivar. Në ndërkohë priten analizat për praninë e baktereve, ndërsa Prokuroria dhe Avokati i Popullit kanë hapur procedura, transmeton Portalb.mk.

Derisa edhe pak ditë priten rezultatet përfundimtare të analizave të ujt, LSDM-ja ka ngritur kallëzim penal kundër ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovskit, drejtoreshës së Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovskës, drejtorit të Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, Kiril Lazovit, si dhe drejtorit të Qendrës për Shëndet Publik në Tetovë, Shpend Ametit.

Nga LSDM-ja pretendojnë se ekzistojnë dyshime të bazuara se gjatë periudhës nga qershori i vitit 2026 e deri më tani, institucionet kompetente nuk kanë ndërmarrë masat e duhura për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe parandalimin e pasojave nga ndotja e ujit.

“Ka kaluar më shumë se një muaj, i gjithë qyteti i Gostivarit u helmua me ujë të ndotur. Gati 5 mijë qytetarë përfunduan në spital. Katastrofë shëndetësore dhe kolaps total i institucioneve. Përgjegjësi nga pushteti, nga institucionet shëndetësore deri më tani nuk ka. Nga askush. Ndërsa Gostivari ende nuk ka ujë të pastër”, deklarojnë nga LSDM-ja.

Partia vlerëson se reagimet e institucioneve kompetente kanë qenë të vonuara dhe se qytetarët për javë të tëra kanë përdorur ujë që më vonë u lidh me shfaqjen e problemeve shëndetësore.

Prokuroria tashmë ka hapur procedurë hetimore kundër ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së NP “Komunalec” Gostivar, Artana Asanit, si dhe ndaj dy zyrtarëve të tjerë të ndërmarrjes. Ata dyshohen për vepra të rënda kundër mjedisit dhe natyrës, të lidhura me ndotjen e ujit të destinuar për pije.

Ndërkohë, edhe Avokati i Popullit ka hapur lëndë me iniciativë të tij për të përcaktuar rrethanat në të cilat është cenuar e drejta e qytetarëve për ujë të sigurt dhe të pastër për pije.

Institucioni ka rekomanduar që edhe Këshilli i Komunës së Gostivarit të shqyrtojë mundësinë që qytetarët të lirohen nga pagesa e faturave të ujit për periudhën gjatë së cilës uji nuk ka qenë plotësisht i sigurt për përdorim.

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, së fundmi njoftoi se rezultatet përfundimtare të analizave të ujit të pijshëm në Gostivar do të publikohen deri më 20 gusht. Sipas tij, gjendja epidemiologjike gradualisht po stabilizohet, ndërsa numri i pacientëve të rinj me probleme të stomakut po ulet.

Uji në Gostivar ende nuk është i sigurt për pije dhe mund të përdoret vetëm si ujë teknik. Në disa mostra është detektuar bakteri Pseudomonas aeruginosa, i cili mund të shfaqet si biofilm në sistemet e tubacioneve.

Ndryshe, më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e ndaloi përdorimin e ujit për pije në Gostivar, pasi u zbulua një pompë që fuste drejtpërdrejt ujëra të ndotura në sistemin e ujësjellësit. Inspektorët e Agjencisë dolën në terren së bashku me policinë pas shtimit të raportimeve të qytetarëve për probleme me stomakun.

Disa ditë më vonë, drejtoresha e NP “Komunalec” në Gostivar dhe edhe dy të punësuar u arrestuan, ndërsa ndaj tyre u hap hetim për ndotjen e ujit në Gostivar. Ata dyshohen se, me lëndë të dëmshme, e kanë bërë të papërdorshëm ujin për pije në dhomën e tejmbushjes së sistemit që furnizon me ujë Komunën e Gostivarit dhe disa fshatra përreth. Sipas hetimit, më 25 qershor të dyshuarit kishin urdhëruar punonjësit të vendosnin tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë dhomës së tejmbushjes së ujit të pijshëm për të testuar presionin e ujit.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mori mostra të ujit, por edhe pse rezultatet e analizave ishin gati, Qeveria dhe Prokuroria nuk i publikuan menjëherë. Pas insistimit të gazetarëve, më 20 korrik Prokuroria Publike publikoi rezultatet, sipas të cilave uji në Gostivar ishte jashtëzakonisht i ndotur dhe nuk duhej të përdorej për asnjë qëllim.

Në ujë u zbuluan 2.419,6 cfu/100 ml baktere koliforme, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 50 cfu/100 ml. Në mostrat e marra nga burimi i ujit u konstatua gjithashtu numër i rritur i kolonive bakteriale aerobe mezofile dhe prani e baktereve koliforme, ku sipas standardeve duhet të ketë 0 cfu/100 ml, ndërsa në ujë u gjetën 39 cfu/100 ml. Bëhet fjalë për një ndotje jashtëzakonisht të lartë fekale të ujit të pijshëm.

GostivariLidhja Social Demokrate (LSDM)Uji - ujë