Ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubit, Gjykata Penale nuk ia ka kthyer pasaportën. Sot atij i skadoi masa e arrestit shtëpiak si i akuzuari i dytë në rastin “Lotaria” pasi sipas ligjit, paraburgimi nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë. Megjithatë, atij i janë caktuar masa të tjera kujdesi, transmeton Portalb.mk.
Gjykata Penale ka njoftuar se nuk do t’ia kthejë pasaportën Grubit dhe se i ndalohet lëshimi i një dokumenti të ri udhëtimi ose i një dokumenti tjetër për kalimin e kufirit shtetëror, pavarësisht garancisë së ofruar nga mbrojtja e tij në formë të pronës së paluajtshme, në vlerë prej 335.707, me të cilën garantohet se i akuzuari do të jetë i qasshëm për organet e ndjekjes gjatë procedurës penale.
Grubit gjithashtu iu caktua masa e ndalimit të largimit nga vendbanimi, përkatësisht vendqëndrimi.
Ai ka detyrim të paraqitet herë pas here në gjykatë, si dhe i ndalohet t’u afrohet dhe të kontaktojë me persona të caktuar.
Artan Grubi akuzohet në rastin “Lotaria Shtetërore” për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar, vepër për të cilën parashihet dënim maksimal prej një deri në pesë vjet burg. Në seancën gjyqësore, ai është deklaruar i pafajshëm.
Ish-zëvendëskryeministri, pas më shumë se 14 muajsh në arrati dhe i paarritshëm për organet e ndjekjes, në shkurt të këtij viti u kthye në vend dhe u arrestua në pikën kufitare “Bllacë”.