U shpall urdhërarrest ndërkombëtar për Iva Mihaillovën

Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur urdhërarrest qendror dhe ndërkombëtar për Iva Mihaillovën (23) nga Koçani, e cila akuzohet në një proces gjyqësor në lidhje me një aksident trafiku me pasoja fatale në Koçan, transmeton Portalb.mk.

“Personi kërkohet me urdhërarrest qendror dhe ndërkombëtar, bazuar në kërkesën e Gjykatës Themelore të Koçanit, për vepër penale sipas nenit 300 paragrafi 4 dhe nenit 297 paragrafi 3 të Kodit Penal”, informoi Ministria e Punëve të Brendshme.

Në lidhje me zhvillimet që kanë të bëjnë me Iva Mihajlovën, sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme u thirr ambasadori i Republikës së Bullgarisë, Zheljazko Radukov. MPJ tha se ambasadorit iu përcoll se mënyra se si Iva Mihajlova u prit në Sofje, përfshirë paralajmërimet për pritjen e saj në nivel të lartë, përbën provokim, minon përpjekjet për ndërtimin e besimit dhe është në kundërshtim me angazhimet për zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

Ministria e Punëve të Brendshme fillimsht tha se në pikën kufitare maqedonase nuk është evidentuar dalja e Iva Mihaillovës. Më pas në një njoftim shtesë, nga MPB thanë se, nuk është regjistruar as hyrja e saj legale në territorin e Bullgarisë. Këtë informacion MPB-ja e ka marrë përmes qendrës së përbashkët të kontaktit të të dyja vendeve, pas kontrolleve të kryera nga policia kufitare bullgare.

Lajmin se Mihailova e ka kaluar kufirin maqedono-bullgar e shoqëruar nga avokati i saj bullgar, Nikolaj Dimitrov, e publikoi mëngjesin e sotëm televizioni bullgar BTV. Në një deklaratë për këtë medium, Mihailova tha se, për shkak të përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore, kishte vendosur të kthehej në Bullgari.

Në një deklaratë për BTV-në, avokati i saj, Nikolaj Dimitrov, refuzoi të tregojë se në cilën pikë kufitare kishin kaluar, duke thënë se nuk dëshiron t’u shkaktojë probleme personave që, sipas tij, u kishin ndihmuar. Ai pranon se veprimet e tyre mund të përbëjnë shkelje të masave të shqiptuara ndaj Mihailovës, por thotë se, sipas tij, e drejta për t’u trajtuar nga ana mjekësore ishte parimi kryesor që e udhëhoqi marrjen e këtij vendimi.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë njoftoi se nuk ishte informuar paraprakisht për rastin dhe pretendon se nuk kishte marrë pjesë në organizimin e kthimit të të resë Iva në Bullgari.

BullgariaMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)