Nga e enjtja, qytetarët në RMV do t’i kenë letërnjoftimet dhe patentë-shoferët në telefonat e tyre

Nga e enjtja, qytetarët do të mund t’i kenë letërnjoftimet dhe patentë-shoferët në telefonat e tyre mobilë, njoftoi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në prag të prezantimit të aplikacionit që do të funksionojë si portofol elektronik, transmeton Portalb.mk.

Aplikacioni do të prezantohet të mërkurën, ndërsa nga e enjtja do të nisë zyrtarisht përdorimi i portofolit elektronik. Andonovski thotë se, përmes tij, përdoruesit nuk do të kenë nevojë t’i zbulojnë të gjitha të dhënat e tyre, siç ndodh gjatë përdorimit të letërnjoftimeve plastike ose patentë-shoferëve.

“Për shembull, kur dëshironi të identifikoheni në një bankë, bar apo lokal tjetër, nuk do të jetë e nevojshme t’i tregoni të gjitha të dhënat nga letërnjoftimi. Ju vetë do të mund të zgjidhni se cilat të dhëna dëshironi t’i ndani, në mënyrë të sigurt. Të dhënat do të ndahen përmes një kodi QR, i cili gjenerohet për përdorim të vetëm. Kodi skanohet dhe personi tjetër i merr të dhënat vetëm nëse ju e lejoni këtë. Pas 10 deri në 15 sekondash, kodi QR skadon dhe nuk mund të përdoret përsëri“, deklaroi Andonovski, duke shtuar se sigurisë së aplikacionit i është kushtuar vëmendje e madhe.

Sipas ministrit, ky është fillimi i një procesi që duhet të çojë drejt portofolit digjital evropian, i cili do të mundësojë digjitalizimin e plotë të dokumenteve. Ai shprehu shpresën se, paralelisht me zhvillimin e portofolit mobil, do të shtohen edhe shërbime, mundësi dhe dokumente të reja për qytetarët.

Qytetarët do të mund të kyçen në aplikacion përmes llogarisë së tyre në Portalin Kombëtar për Shërbime Elektronike – uslugi.gov.mk, ku do të kenë qasje në të dhënat e tyre dhe në funksionalitetet që ofron aplikacioni.

Dokumente personaleMinistria e Transformimit Digjital (MTD)Patentë patenta e shoferitStefan Andonovski