Brenda tri ditësh në RMV janë evidentuar 2.720 shkelje në trafik, janë arrestuar 67 shoferë

Gjatë tri ditëve të fundit, në kontrollet e rregullta të trafikut të kryera nga zyrtarët policorë në rrugët e vendit, janë shqiptuar gjithsej 2.720 urdhërpagesa, prej të cilave 1.360 kundërvajtje u përkasin shoferëve që nuk e kanë respektuar shpejtësinë e lejuar të lëvizjes, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), transmeton Portalb.mk.

“Janë privuar nga liria 67 persona për drejtim të pakujdesshëm të automjetit, prej të cilëve shtatë për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit, 21 për drejtim pa patentë shoferi, tetë për shkak të ndalimit të mëparshëm për drejtimin e automjetit, tre për tejkalim të shpejtësisë së lejuar jashtë vendbanimit dhe një person për tejkalim të shpejtësisë së lejuar brenda vendbanimit“, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Në njoftim shtohet se gjatë së njëjtës periudhë janë sekuestruar 27 automjete në bazë të nenit 300-b të Kodit Penal.

Sipas pasqyrës statistikore të aktiviteteve policore, gjatë tri ditëve të fundit janë evidentuar 328 kundërvajtje për parkim të parregullt, si dhe janë shqiptuar 57 sanksione për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit.

Nga ana tjetër, janë sanksionuar 33 drejtues të motoçikletave për mosmbajtjen e helmetës mbrojtëse, si dhe 239 pjesëmarrës në trafik që nuk kanë përdorur rripin e sigurisë.

Në përputhje me Ligjin për automjetet, 23 automjete janë përjashtuar nga trafiku për shkak se nuk ishin të regjistruara, ndërsa katër të tjera për shkak të parregullsive teknike.

MPB-ja njofton se janë sanksionuar edhe tetë shoferë për mosrespektimin e kushteve të përcaktuara për errësimin e xhamave të automjeteve me folie.

KomunikacioniMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Policia e Maqedonisë së VeriutSanksione