ANALIZË: Statistikat tregojnë presion më të ulët mbi çmimet, shpenzimet e jetesës “përvëlojnë” qytetarët në RMV

Analistët ekonomikë presin ngadalësim të presioneve inflacioniste, por vlerësojnë se deri në vitin 2029 ekonomia vendase do të përballet me inflacion jo më të ulët se 3%. Edhe Qeveria ka dalë me parashikime të reja, më optimiste për këtë vit. Ndryshe nga ekonomistët, në Qeveri konsiderojnë se shkaqet kryesore të presioneve inflacioniste vijnë vetëm nga jashtë, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Vlerësimi i ekonomistëve, edhe në vitet e ardhshme inflacion mbi 3%, në bursat botërore ushqimet po shtrenjtohen

Pikërisht 1.142 euro nevojiten për shpenzimet mujore të një familjeje katëranëtarëshe, përllogaritja e re e shportës minimale sindikale, që “përvëlon” buxhetin familjar, tregoi se shpenzimet në tetor, krahasuar me shtatorin, janë rritur për 15 euro. Sipas përllogaritjeve të Portalb.mk, bazuar në të dhënat e shportës minimale sindikale, në tetor vetëm për ushqim, pije, fatura të shërbimeve komunale dhe higjienë shpenzohet gjysma e parave.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Me 50% të mjeteve të mbetura duhet të plotësohen nevojat për veshmbathje, arsim, shëndetësi, transport dhe komunikim. Për dallim nga këto matje të LSM-së, statistikat shtetërore shënojnë stagnim të rritjes së çmimeve, përkatësisht nuk raportojnë ndryshime mujore të shpenzimeve të jetesës.

Sipas përllogaritjeve të Qeverisë, në nëntë muajt e parë të këtij viti, përqindja mesatare e inflacionit ishte 3,6%, ndërsa ndikimin më të madh në rritjen e saj e patën çmimet e ushqimeve, derivateve të naftës dhe energjisë. Në rebalancin e dytë me radhë të Buxhetit për këtë vit, projeksioni për përqindjen e inflacionit ulet nën 4%.

“Projeksioni për përqindjen e inflacionit është rishikuar nga 4,5% në 3,8% mesatarisht për vitin 2026. Edhe gjatë pjesës së mbetur të vitit, inflacioni mbetet i pasigurt, duke pasur parasysh se ndikohet fuqishëm nga zhvillimet e mëtejshme në mjedisin e jashtëm dhe lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare”, thuhet në dokumentin e rishikuar buxhetor.

Ndryshe nga Qeveria, analistët ekonomikë konsiderojnë se mbi çmimet presion ushtrojnë jo vetëm faktorët e jashtëm, por edhe politikat e brendshme. Në fund të këtij viti ekonomik, ekonomistët presin që inflacioni të ngadalësohet, por rreziqet kryesore mbeten – rritja e rrogave dhe rritja e pensioneve në vend, përtej harmonizimit të përcaktuar me ligj, si dhe tensionet gjeopolitike jashtë vendit. Në parashikimin e ri theksohet se inflacioni do të jetë më i ulët se në vlerësimin e mëparshëm, por as gjatë dy viteve të ardhshme nuk do të zbresë nën 3%. Këtë vit, sipas deklaratave të analistëve të përmbledhura në Anketën e re të BPM-së, inflacioni pritet të arrijë në 3,9%.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Sa u përket rreziqeve, të anketuarit vazhdojnë të theksojnë pasigurinë e shtuar lidhur me zhvillimet gjeopolitike, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në çmimet e naftës dhe energjisë, si dhe në përcjelljen e këtyre efekteve te çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera. Si faktorë të brendshëm me ndikim të ngjashëm përmenden rritjet e mundshme të rrogave dhe pensioneve përtej harmonizimit të përcaktuar me ligj, kreditimi i shtuar, si dhe rritja e marzheve tregtare dhe e çmimeve të disa shërbimeve”, thuhet në Anketën e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut.

Sipas të dhënave më të fundit të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), në shtator, krahasuar me gushtin, indeksi i çmimeve të ushqimeve u rrit për 1,5%, ndërsa rritja më e madhe u regjistrua te drithërat.

“Në nivel mujor, çmimet botërore të grurit u rritën për 6,3%, ndërsa ato të misrit për 5,6%, duke arritur nivelet më të larta në tre vitet e fundit. – thuhet në raportin e ri të FAO-s.

Rritje e indeksit të çmimeve u regjistrua edhe te sheqeri, për 6,1%, te produktet e qumështit, për 0,1%, te mishi, për 1,1%, ndërsa te vajrat bimore indeksi u rrit për 0,9%.

Analiza Ekonomike e PortalbitBanka Popullore e RMVBuxheti 2026 RMVEkonomia e shtetit - Lajme ekonomiKriza ekonomikeRebalanci i buxhetit