Mickoski: Jemi vendi më i përparuar për nga reformat

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski, deklaroi se ndjen përgjegjësi vetëm para qytetarëve, të cilët aktualisht po i japin mbështetje politikave të Qeverisë, përmes të cilave, sipas tij, po realizohen premtimet e dhëna. Ai tha se raporti i dhjetorit dhe raporti i qershorit i Komisionit Evropian tregojnë se shteti është më i avancuari në rajon sa i përket zbatimit të reformave, por shtoi se ndryshimi i Kushtetutës dhe pranimi i asaj që e ka pranuar Qeveria e mëparshme nuk përbën reformë, shkruan Portalb.mk.

“Ne jemi shteti më i avancuar në rajon kur bëhet fjalë për zbatimin e reformave. Për mua, ndryshimi i Kushtetutës dhe pranimi i asaj që e ka pranuar Qeveria e mëparshme nuk është reformë. Qëndrimi ynë është i qartë dhe i saktë. Qytetarët presin që udhëheqja e Qeverisë maqedonase ta mbrojë identitetin kombëtar maqedonas. Ne pikërisht këtë po bëjmë. Nuk ka çmim me të cilin do të bënim lëshime pa kushte”, tha Mickoski.

Mickoski tha se në fund qytetarët do ta japin verdiktin e tyre në zgjedhje, dhe nëse ata konsiderojnë se ai ka gabuar, përmes votimit për një opsion tjetër politik pushteti aktual do të kalojë në opozitë, ndërsa ai vetë do të tërhiqet nga politika.

Kryeministri tha gjithashtu se populli është i lodhur dhe i frustruar nga premtime të vazhdueshme, shpresa të parealizuara dhe lëshime shtetërore që gjatë viteve dhe dekadave të fundit kanë ndodhur pa asnjë garanci për realizimin e qëllimit përfundimtar.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Hristijan Mickoski HristianKushtetuta e RMVReforma në administratë