Kaos në Kuvend, pushteti “nuk lejoi” deputetët e opozitës të parashtrojnë pyetje

Tri orë pasi filloi seanca për pyetjet e deputetëve, asnjë deputet i opozitës nuk arriti të parashtrojë pyetje për shkak të lojërave politike të deputetëve të pushtetit dhe ministrave. Kur atmosfera, pas dy pauzave të dhëna, arriti në prag të konfliktit, me ndërprerje të vazhdueshme, fyerje dhe gjeste fyese me gishtin e mesëm, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, dha edhe një pauzë tjetër, transmeton Portalb.mk.

“Kjo është absolutisht e panevojshme. Tensioni është shumë i lartë, prandaj i ftoj koordinatorët e grupeve parlamentare në një takim. Nuk është mirë që qytetarët të na shohin në një atmosferë të tillë”, deklaroi Gashi dhe ndërpreu seancën, pa njoftuar se kur do të vazhdojë ajo.

Më herët, Boris Kërmov nga E Majta kërcënoi se ose do të ketë pyetje të deputetëve aq sa parashikon Rregullorja (dy orë vetëm për opozitën), ose nuk do të ketë fare seancë. Kjo shkaktoi reagime dhe nervozizëm nga radhët e pushtetit. Gjatë debatit u hodhën akuza të rënda, se kryetari i Kuvendit po sillet në mënyrë të papërgjegjshme, po shtiret si neutral, ndërsa në mënyrë të tërthortë merr pjesë në bllokimin e pyetjeve të deputetëve; se në çdo seancë, pavarësisht Rregullores së qartë, bëhen interpretime të gabuara ligjore dhe krijohen precedentë, me qëllim që opozitës t’i merret e drejta demokratike për të pyetur se çfarë po bën Qeveria.

Shkak për tensionet ishte përpjekja që pauza për një çështje procedurale të paraqitej si pjesë e dy orëve të parashikuara nga Rregullorja për pyetjet e deputetëve të opozitës, si dhe fakti që pas pauzës, edhe ministrat që kishin ardhur u larguan dhe nuk u kthyen më. Siç u theksua gjatë seancës, ministrat e tjerë, ndonëse ishin njoftuar se kishte pyetje për ta, jo vetëm që nuk erdhën, por as nuk u munduan të shpjegonin mungesën e tyre.

Deputeti Oliver Spasovski nga LSDM-ja i tha kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, se nuk mjafton të deklarojë se e ka kryer detyrimin e tij, përkatësisht se e ka përgatitur seancën, pasi përderisa qëndron aty si përfaqësues i një partie politike, është pjesë e lojërave në Kuvend. Ai i tërhoqi vërejtjen se nuk mund të krijojë precedentë në çdo seancë dhe e ftoi të tregojë qartë se në bazë të cilit nen të Rregullores kanë përfunduar pyetjet e deputetëve, pra cili nen përcakton se ka skaduar koha për to, kur deri në atë moment asnjë deputet nuk kishte parashtruar pyetje.

“Dëshmuat se kjo mënyrë e funksionimit të Kuvendit bëhet me ndonjë qëllim tjetër”, tha Spasovski.

Gashi, nga ana tjetër, u kundërpërgjigj me “matematikë”, duke llogaritur se nëse merret si bazë koha e zakonshme për pyetjet e deputetëve, nga ora 11:00 deri në 18:00, me një orë pauzë për drekë, lind dilema se si do ta plotësojnë këtë kohë sot, kur në të vërtetë as nuk kanë filluar ende.

Halil Snopçe nga Aleanca për Shqiptarët më pas i shpjegoi Gashit se demokracia nuk matet me kohëzgjatjen e pauzës, por me hapësirën që i jepet opozitës, duke vlerësuar se ajo që po ndodh sot është në kundërshtim me të drejtat themelore demokratike të deputetëve të opozitës. Më pas, ai hyri në një përplasje verbale me Nikolla Micevskin nga VMRO-DPMNE-ja, i cili i ndërhynte nga vendi, pavarësisht kërkesave të Gashit për qetësimin e tensioneve.

“Kjo është një lloj skizofrenie politike: të kesh një të drejtë të garantuar në kohëzgjatje prej dy orësh, ndërsa koha e kaluar në pauza të përdoret si argument për të ta mohuar pikërisht atë të drejtë!”, tha Snopçe.

Ndërsa Spasovski po fliste, pati sërish reagime nervoze nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Deputeti i LSDM-së u tha që këto sjellje t’i përdorin në partinë e tyre, ndërsa gjestin që njëri prej tyre po bënte me dorë, t’ia drejtonte liderit të tij.

“Mund të bërtisni sa të doni, por seanca do të vazhdojë”, u tha Spasovski para se të jepej pauza.

Përveçse u dëshmua se asnjë Rregullore nuk mund t’u japë fund lojërave politike dhe keqpërdorimit të të drejtave në Kuvendin tonë, u pa edhe se deputetët e kampit qeverisës tashmë nuk arrijnë ta kontrollojnë veten dhe t’i tolerojnë kërkesat për llogaridhënie. Për më tepër, Gjorgjia Sajkoski nga VMRO-DPMNE-ja doli me një komunikatë në të cilën pretendoi se opozita e kishte sabotuar vetveten.

“Sot ishim dëshmitarë se opozita nuk dëshironte të fillonin pyetjet e deputetëve të opozitës. Kjo vërtet përbën precedent në demokraci. Opozita të sabotojë pyetjet e deputetëve. Dhe kjo nuk është hera e parë. Opozita i frikësohet së vërtetës”, deklaroi Sajkoski.

Gjithçka filloi pasi në seancën, në të cilën ishte paraparë parashtrimi i pyetjeve nga deputetët e opozitës, një orë pauzë kërkoi koordinatorja e grupit parlamentar të BDI-së, Rina Ajdari, me kërkesën që ministrat të vinin në sallën plenare. Në atë moment, me kërkesë procedurale për një orë pauzë doli deputeti i ZNAM-it, Daniel Stojçevski, i cili, duke cituar nenet 38 dhe 42 të Rregullores, kërkoi nga deputetët që ta shfrytëzonin instrumentin e pyetjeve të deputetëve, pasi në të kundërtën, sipas tij, do të rezultonte se nuk janë të përgatitur për punën për të cilën paguhen.

“Çështja thelbësore është përgjegjësia jonë si deputetë për punën që bëjmë para popullit, para qytetarëve. T’i dëgjojmë edhe funksionarët që janë zgjedhur dhe emëruar, të tregojnë dhe të shpjegojnë për punën e tyre. Vazhdojmë të përballemi me bojkotimin e instrumentit të pyetjeve të deputetëve, i cili është menduar si instrument i opozitës për të kërkuar llogari nga ministrat dhe zëvendësministrat, përmes kërkesave për pauzë prej një ore. Mendoj se jemi i vetmi shtet në botë ku opozita kërkon pauzë gjatë instrumentit që është paraparë për opozitën”, theksoi Stojçevski.

Ai theksoi se deputetët marrin paga dhe kanë përgjegjësi para qytetarëve dhe popullit që e ndjek seancën.

“Sot jemi mbledhur këtu, kishte përfaqësues të Qeverisë, ministra dhe zëvendësministra, por sërish u kërkua pauzë. Në fakt, kjo po përsëritet vazhdimisht, siç ndodhi dje gjatë debatit mbikëqyrës dhe në seancat e mëparshme për pyetjet e deputetëve. Prandaj, në bazë të nenit 87 të Rregullores, kërkoj një orë pauzë, ndërsa shpresoj që në seancën e ardhshme të vini të përgatitur, tha Stojçevski.

Reagoi edhe deputeti i E Majta, Sashko Jançev.

“Pauza në Kuvend nuk mund të llogaritet si punë. Pauza nuk është punë. Është kaq e thjeshtë dhe është e pabesueshme që kjo duhet të shpjegohet. Paramendoni, ka pyetje të deputetëve dhe ministri të cilit dëshironi t’i parashtroni pyetje nuk është i pranishëm. Kërkoni pauzë prej një ore që ministri të vijë. Por, sipas Rregullores, pyetjet e deputetëve të opozitës parashtrohen brenda dy orëve pas përcaktimit të rendit të ditës. Dhe ju kërkoni një orë pauzë që ministri të vijë, ndërsa kryetari i Kuvendit e interpreton këtë sikur të ketë kaluar një orë nga ato dy orë të parapara për parashtrimin e pyetjeve. Pastaj del dikush nga koalicioni qeverisës, kërkon edhe një orë pauzë dhe, sipas mënyrës së VMRO-së, ju interpretojnë se koha prej dy orësh për pyetjet e deputetëve ka përfunduar. E, kujdes, asnjë pyetje nuk është parashtruar. Kjo është sabotim i Kuvendit”, theksoi Jançev.

Parlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së Veriut