RMV, asnjë shqiptar në 80 punësimet e reja në spital

Asnjë shqiptar në mesin e dhjetëra të punësuarve në Spitalin e Kumanovës. Punësimet e fundit në këtë institucion kanë hapur debat për përfaqësimin etnik, ndërsa drejtori Sasho Stoshevski vazhdon të heshtë. Televizioni Alsat tentoi të vihet në kontakt me të, por gjatë gjithë ditës ishte i pakapshëm. 

Sipas informacioneve të Alsat, procesi i punësimeve është zhvilluar në disa faza. Fillimisht, 10 persona kanë marrë vendime para dy muajsh, më pas janë angazhuar 7 persona me kontrata para një muaji dhe 7 të tjerë para një jave. Ndërsa ditë më parë janë angazhuar edhe 62 persona me kontrata.

Sipas të dhënave që posedojmë, të gjithë rreth 80 të punësuarit, janë të përkatësisë etnike maqedonase. Sipas opozitës, ky rezultat vjen si pasojë e premtimeve të rrejshme të VLEN-it që balancuesin do ta kthejnë në fuqi ligjore.

Ndryshe, Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat vazhdon të jetë i bllokuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Zëvendëskryeministri Bekim Sali në fillim të muajit tetor tha se opozita e kundërshton propozim-ligjin për shkak se ai vjen nga VLEN-i, ndërsa hedh poshtë akuzat se ligji është në dëm të shqiptarëve. Ai kërkoi mbështetjen e të gjitha partive politike për miratimin e tij. Nga ana tjetër, deputetja e Lidhjes Shqiptare, Ilire Dauti, kërkoi që të votohet propozim-ligji i tyre dhe e ftoi Salin në debat për t’i ballafaquar të dy propozimet.

Në Maqedoninë e Veriut për mbi dy vite nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.

Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.

Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.

Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, u miratua nga Qeveria më 7 prill dhe u dorëzua në Kuvend më 8 maj.

Gjatë shqyrtimit në Kuvend, opozita kërkoi që ligji të përmbajë kuota etnike dhe masa ndëshkuese për institucionet që nuk e zbatojnë atë. Në qershor, partitë opozitare dorëzuan 31 amendamente, ndërsa Lidhja Shqiptare paraqiti edhe një propozim-ligj të veçantë. Më 4 qershor, Komisioni për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Kuvend vendosi që propozim-ligji i Qeverisë të kalojë me shumicë të dyfishtë të thjeshtë, të njohur si “Badenteri i vogël”. Ndërkaq, më 16 korrik, propozim-ligji nuk u vu në votim në seancën plenare dhe procedura mbeti pa epilog.

Ligji për përfaqësim të drejtë - BalancuesiMinistria e Shëndetësisë (MSH)PapunësiPunësime partiakeSpital(e)Spitali i KumanovësVLEN koalicioni